Identiteti nacional dhe pushteti politik

Identiteti nacional dhe pushteti politik

Mes elitave liberale në perëndim, reputacioni i keq i nacionalizmit veç po shkon duke u rritur. Ata e lidhin nacionalizmin me supremacinë e bardhë, politikat e reja restriktive të emigracionit në shumë prej vendeve perëndimore, ringjalljen e proteksionizmit ekonomik, ose me populizmin joliberal të presidentit amerikan Donald Trump.

Por nacionalizmi e ka edhe një anë pozitive. Identitetet nacionale mund të inkurajojnë solidaritet mes qytetarëve dhe mund të bëjnë që individët të sakrifikojnë të ardhurat personale për të mirën e përbashkët. Individët patriotë, për shembull, është më pak e mundshme të mashtrojnë me taksa, dhe politikanët me një përkushtim të fortë për çështjet kombëtare janë më të përqendruar në ofrimin e të mirave publike – të tilla si infrastruktura, kujdesi shëndetësor, dhe shkollimi – dhe më pak të prirë për interesat e ngushta të bazës së votave të tyre. Veçanërisht për shtetet në zhvillim, përballja me integrimin politik, ndërtimi i një sensi të solidaritetit kombëtar mbi dhe përtej identiteteve etnike ose rajonale, është krucial.

Një pyetje me rëndësi për akademikët dhe politikëbërësit, kësisoj, është: pse qytetarët e zhvillojnë një lidhje më të fortë me kombin në disa vende se në disa vende tjera? Pse, për shembull, amerikanët, ganezët, dhe tajlandezët janë më patriotë se gjermanët apo tajvanezët? Hë, pse?

Studiuesit kanë ofruar një mori shpjegimesh, përfshirë diversitetin etnik të vendit [vendet me më shumë popullsi homogjene shihen si më nacionaliste se ato që kanë më shumë diversitet], integrimin në ekonominë globale [me më shumë nacionalizëm në vendet e globalizuara], ose përfshirë edhe pasojat në luftë. Hulumtimi im tregon një tjetër shpjegim: njerëzit e identifikojnë veten me vendin kur e shohin grupin e tyre etnik të përfaqësuar në qeverinë kombëtare. Përfaqësimi politik, me fjalë të tjera, e ndjell identifikimin kombëtar – në vende me diversitet, po aq sa në ato me homogjenitet.

RRJETA E KOKLAVITUR

Pse përfaqësimi është kaq i rëndësishëm për identifikimin kombëtar? Konsiderojeni politikën si një rrjet aleancash: individët janë njerëz të organizatave të caktuara, të tilla si shoqata profesionale e infermierëve, që zhvillon aleanca me të tjera organizata – shoqata për infermieret mund të bashkohet me atë të mjekëve për të krijuar një organizatë ombrellë kombëtare për kujdesin shëndetësor të punëtorëve. Këto aleanca në këtë mënyrë mund të lidhen me parti politike dhe më së fundi edhe me qeverinë. Brenda këtyre rrjeteve të aleancave, favoret dhe burimet shkëmbehen: për shembull, një parti mund të premtojë zbatimin e politikave të caktuara për kujdesin shëndetësor të punëtorëve në këmbim të votave të tyre.

Me kalimin e kohës, individët që janë bërë pjesë e aleancave me njëra tjetrën dhe që i përkasin të njëjtit rrjet, do të zhvillojnë një sens të bashkësisë dhe të qëllimit të përbashkët. Kjo e formon bazën e një identiteti grupor të kuptimtë, të tilla si ato të definuara nga vijat etnike, religjioze ose profesionale.

E njëjta aplikohet edhe për identitetet kombëtare: sa më e fortë rrjeta që lidh qytetarët me qeverinë kombëtare, aq më shumë qytetarët do të përqafojnë idenë e një kombi si një komunitet i një solidariteti të shpërndarë dhe i një fati politik. Anasjelltas, grupet që përjashtohen sistematikisht nga këto rrjete do të zhvillojnë identitetet e tyre të ndara, shpesh të definuara në terme etnike apo racore. Ato do ta shohin kombin si një kategori më pak të kuptimtë dhe do të identifikohen më pak me të.

Sa për ilustrim, imagjinoni një sondazh të bërë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1900 që i pyet qytetarët se sa krenarë janë me vendin e tyre. Mund të pritet që afro-amerikanët, të çliruar nga skllavëria një gjeneratë më parë, por ende pa të drejta të barabarta ose pa përfaqësim të kuptimtë politik, do të ndiheshin më pak patriotë se popullsia e bardhë në përgjithësi. Anasjelltas, mund të pritet që protestantët anglosaksonë, që atëherë e dominonin politikën e vendit, të shprehnin më shumë krenari kombëtare se të bardhët e margjinalizuar politikisht, si irlandezët dhe italianët.

PUSHTET DHE KRENARI

Për të ekzaminuar më sistematikisht marrëdhënien mes pushtetit politik dhe identitetit kombëtar, unë i kam kombinuar qindra sondazhe të bëra nga organizata të ndryshme kërkimore në botë. Gjithsej unë mblodha, me një ekip të asistentëve hulumtues, përgjigjjet e më shumë se 750 mijë individëve nga 132 vende, të përmbledhura në 582 sondazhe përfaqësuese të vendosur në vite të ndryshme nga 1980-a e këtej. Këto vende kanë 92% të popullsisë së botës.

Të gjitha sondazhet e përmbanin të njëjtën pyetje: “Sa krenar jeni me kombin tuaj?” Shumë u pyetën edhe për prapavijën etnike të respondentëve, të tillë si “aziatiko-amerikanët” në Shtetet e Bashkuara, “turqishtfolësit” në Bullgari, Sikh-ët në Indi, dhe Uighur-ët në Kinë. Kjo më lejoi mua të lidhja përgjigjjet e sondazhit me setin e të dhënave të listuara ku grupet etnike janë të përfaqësuara në qeverinë ekzekutive [të tilla si presidenca, kryeministria dhe kabineti] në secilin vend dhe secilin vit; kur janë përjashtuar nga pushteti politik, siç ishin afroamerikanët pas revolucionit të të drejtave civile dhe siç është komuniteti rom i përjashtuar në Evropën lindore sot.

Analiza statistikore prodhoi rezultate konsistente me idenë që identifikimi kombëtar është kryekëput funksion i përfaqësimit politik. Sa më e madhe shpërndarja e popullsisë që nuk është e përfaqësuar në qeverinë ekzekutive, aq më pak krenari te qytetarët e atij kombi.

Në raste ekstreme, koalicionet sunduese konsistojnë në një minoritet të vogël demografik. Është rasti me Sirinë, ku alavitët dominojnë qeverinë ekzekutive, ushtrinë dhe shërbimin sekret pavarësisht se përbëjnë vetëm 12% të popullsisë. Në vende të tilla, anëtarët e grupeve të përjashtuara etnike identifikohen më pak me kombin se anëtarët e grupeve që e kanë kapur shtetin. Dhe vërtetë, alavitët janë dukshëm më krenarë si sirianë sesa kurdët apo synitët. Anasjelltas, në vende më përfshirëse si Zvicrra, ku tri grupet e mëdha gjuhësore [gjermanishtfolësit, frëngjishtfolësit dhe italishtfolësit] përfaqësohen në nivelet më të larta të qeverisë, anëtarët e të gjitha grupeve ndihen krenarë me vendin e tyre. Madje, frëngjishtfolësit dhe italishtfolësit minoritarë janë edhe më krenarë që janë zvicrranë sesa gjermanishtfolësit shumicë.

Siç mund të pritet, grupet që shfaqin më pak krenari kombëtare janë ata që diskriminohen aktivisht nga elitat politike dhe shoqëria. Shembujt përfshijnë komunitetin rom në Evropën lindore, rusët në Letoni dhe myslimanët në Serbi. Dhe në kundërshtim të asaj që thotë se shumicat veç pse janë shumica ndihen më patriotë se minoritetet, të dhënat sygjerojnë që përfaqësimi politik, dhe jo madhësia demografike, është ajo që ka rëndësi. Minoritetet në pushtet, si arabët në Jordani, tregojnë më shumë krenari kombëtare se shumicat, si psh. shqiptarët etnikë në Shqipëri. Anasjelltas, grupet e mëdha të margjinalizuara – rusët etnikë në Letoni, për shembull – identifikohen shumë pak me kombin se që bëjnë grupet e vogla, si psh. romët. Dhe në fund, popullsitë më me diversitet nuk janë më pak krenare me kombin e tyre se që janë qytetarët e vendeve homogjene. Ajo që ka rëndësi nuk është diversiteti per se por mënyra sesi lidhet ai me përfaqësimin politik dhe pushtetin.

Krenaria kombëtare, megjithatë, nuk mbetet statike me kalimin e kohës. Në konsistencë me argumentin tim, mora vesh se grupet do të identifikoheshin më pozitivisht me kombin kur marrin më shumë pushtet dhe më pak pozitivisht nëse e humbnin atë. Të bardhët në Shtetet e Bashkuara, për shembull, u bënë më pak krenarë me kombin e tyre pas zgjedhjes së Barack Obamas më 2008, dhe kështu ndodhi me tajvanezët, gjyshërit e të cilëve ishin lindur në ishull pas Kuomintangut, lidershipi i të cilëve buronte nga Kina, të kthyer në pushtet më 2008. Në Afrikën e Jugut, qytetarët e zinj dhe aziatikë shprehën më shumë krenari kombëtare pas fundit të apartheidit, ndërsa trendi për të bardhët, pas goditjes së shkurtër në krenari menjëherë pas tranzicionit, shkoi në drejtim të kundërt.

Nëse qytetarët identifikohen me kombin poashtu varet nga vlerësimi që kanë për të ardhmen. Nëse ata nuk mund të besojnë që do vazhdojnë të përfaqësohen në qeverinë kombëtare, do të priren të jenë më pak krenarë me kombin e tyre. Ky është veçanërisht rasti në vendet me histori të luftës civile – konfliktet e së kaluarës e bëjnë më të zorshme për elitat që të vendosin koalicione të qëndrueshme dhe t’i besojnë njëra-tjetrës. Në vendet me histori të konfliktit etnik, si Myanmari psh, qytetari i rëndomtë është kësisoj më pak krenar se në vendet paqësore, si Gana. E njëjta vlen për anëtarët e grupeve specifike subkombëtare, si kurdët irakianë, që kanë bërë shumë konflikte të dhunshme me Baghdadin gjatë gjeneratës së kaluar.

Besimi në përfaqësim në të ardhmen poashtu reduktohet nëse vendi udhëhiqet nga një koalicion multietnik, si në Belgjikë ose në Irak pas rënies së Sadam Husseinit. Koalicione të tilla janë më pak stabile se regjimet monolitike. Në situata të tilla, individët mund të brengosen nëse grupet e tyre do të përfaqësohen ende në qeverinë kombëtare në të ardhmen ose nëse elitat nga grupi tjetër etnik do t’i shtyej përfaqësuesit e tyre jashtë pushtetit.

E NDËRTUAR PËR TË ZGJATUR

Nëse përfaqësimi politik e nxit identifikimin kombëtar, çfarë nënkupton kjo për politikat kombndërtuese? Qytetarët nuk do të përqafojnë kombin si një komunitet të solidaritetit të shpërndarë nëse nuk vendosin marrëdhënie këmbyese përfituese me shtetin. Politikat e projektuara për të ushqyer një sens të përkatësisë kombëtare në shoqëri të ndara duhet kësisoj të përqendrohen në çështje të pushtetit, përfaqësueshmërisë dhe qeverisjes. Shpërndarja e pushtetit mbetet mjeti më efektiv për ushqyerjen e identitetit kombëtar, edhe nëse regjimet në koalicion përballen me sfida të ndërtimit të besimit. Regjimi post-apartheid i Afrikës së Jugut, për shembull, arriti të integronte të bardhët që kishin dominuar në një koalicion përfshirë të gjitha grupet e mëdha afrikane nën ombrellën e Kongresit Kombëtar Afrikan. Dhe me të vërtetë, pavarësisht ndjesive armiqësore, sensi i një qëllimi të përbashkët kombëtar është shpërndarë mes qytetarëve.

Nxitja e marrëveshjeve për shpërndarje të pushtetit, siç bëri ShBA-ja në Irlandë dhe provoi ta bënte në Irak, mbetet politika më e mirë e jashtme që ndihmon ndërtimin e kombit. Agjencitë e zhvillimeve ndërkombëtare duhet ta forcojnë kapacitetin e qeverive kombëtare për të shpërndarë të mirat publike dhe kështu të forcojë aleancat mes qytetarëve – një gjë më e mirë se dorëzimi i këtyre detyrave te organizatat joqeveritare ose te kompanitë private.

Anasjelltas, propaganda e thjeshtë nacionaliste e përçuar me anë të teksteve shkollore ose përmes himnit, ritualeve publike, dhe të ngjashme është më pak efektive se që besojnë shumë politikanë anembanë botës. Një shembull i skajshëm është promovimi i “banustanëve” në Afrikën e Jugut – vendet e të zinjve – të cilat dështuan të rrënjosin sensin e krenarisë kombëtare te qytetarët e tyre. Simbolet nuk mjaftojnë për qytetarët që të zhvillojnë një sens të fortë të komunitetit kombëtar nëse kjo nuk përcillet me përfaqësim politik dhe integrim efektiv në strukturat e pushtetit. Në ndërtimin e kombit substanca politike ka më shumë rëndësi se forma simbolike. /ForeignAffairs/Përktheu në shqip: Periskopi

Shpërndaje në: