Madeleine Albright-i është e shqetësuar. Edhe ne duhet të jemi, poashtu

Madeleine Albright, ish sekretarja e shtetit, ka lindur në një vakt totalitarizmi. Ajo ishte shumë e vogël kur me prindërit e saj, që kishin prejardhje hebreje të bërë më vonë katolikë, u larguan nga Çekosllovakia pas invazionit që bëri Hitleri më 1939. Ata u rikthyen pas luftës, por u larguan sërish nga vendi i tyre pas një puçi komunist më 1948.
Babai i saj, diplomati Josef Korbel, kërkoi azil për familjen në Shtetet e Bashkuara, duke shkruar se nëse ktheheshin në shtëpi do të arrestohej “për qëndrimet e mia të palëkundura në mbrojtje të idealeve të demokracisë.” Amerika i mori si refugjatë. Korbel u bë një studiues i njohur i politikës së jashtme, dhe më 1997 Bill Clintoni e bëri vajzën e tij, Albright-in, shefe të diplomacisë së tij, e para grua që e mbante atë post.
Në atë kohë, Lufta e Ftohtë kishte mbaruar dhe luftërat e mëdha ideologjike të shekullit 20 dukej ishin zgjidhur. Demokracia liberale ishte në ngritje dhe vendi adaptues i Albrightit ishte kampioni i fuqishëm i saj. Harku i jetës së saj dukej se koincidonte me një evolucion global nga tirania e përhapur gjithandej drejt një lirie gjithnjë në zgjerim.
Kësisoj, është e trishtë dhe drithëruese që Albrighti, tash 80 vjeçare, veç sa e ka publikuar një libër të titulluar “Fashizmi: Një Paralajmërim.” Libri nuk është veç një paralajmërim për Donald Trumpin; Albrighti është e shqetësuar me eklipsimin e demokracisë liberale gjithandej botës dhe më tha mua në një intervistë të mëparshme që ka planifikuar të shkruante për atë çështje edhe para se të zgjedhej Trumpi si president. Por presidenti vetëm sa e ka përforcuar projektin e saj. “Nëse e mendojmë fashizmin si një plagë nga e kaluara që veçse është kuruar, duke e vendosur Trumpin në Shtëpinë e Bardhë ishte si të hiqnim fashën nga ajo plagë, dhe të preknim aty ku ajo lëshon dhimbjen më të madhe,” shkruan ajo.
Veç fakti i daljes në dritë të këtij libri do të na mahniste sikur Trumpi të mos e prishte kapacitetin tonë për mahnitje. Albrighti për kohëtë gjatë ka qenë eksponente optimiste e ekskepcionalizmit amerikan, një figurë e konsumuar e establishmentit që nuk ishte e dhënë pas fjalimeve alarmuese. Është shokues fakti që ajo ndjen nevojën për të na paralajmëruar neve për fashizmin.
Në janar, Freedom House, një matës ndërkombëtar i demokracisë, raportoi se 71 vende po vuanin një rënie në të drejtat politike dhe liritë qytetare, ndërsa vetëm 35 kishin shënuar ngritje. Në vend se t’i dilte kundër këtij trendi, Amerika nën Trumpin u bë pjesë e tij. Siç konkludoi Freedom House, “Një zhvillim madhor i 2017-s qe tërheqja e Shteteve të Bashkuara si kampion dhe shembull i demokracisë.”
Albrighti nuk po e akuzon Trumpin se është fashist. Përpjekjet e tij për të minuar rendin e ligjit kanë arritur veç sukses të përzier, pjesërisht shkaku i paefektshmërisë së tij.
Por Trumpi është, siç më tha Albrighti, “presidenti më jodemokratik” në historinë moderne Amerikane. Ai e fuqizon autoritarizmin globalisht dhe në këmbim po fuqizohet nga rritja ndërkombëtare e populizmit të së djathtës. Siç shkruan në libër ajo: “Mendësia e turmës është e fuqishme në çështjet ndërkombëtare. Liderë rreth-e-rreth globit mësojnë nga njëri-tjetri dhe e mimetizojnë njëri-tjetrin.”
Historiani Roger Griffin e përshkroi vizionin kyq të fashizmit si “komunitet nacional që ngritet si feniksi pas një periudhe rënieje gati deri në shkatërrim.” Definicioni i Albright-it është më i gjerë se shumica e taksonomive akademike; ajo priret të përdorë “fashizmin” si një sinonim për autoritarizmin.
Libri i saj përfshin Italinë e Benito Musolinit dhe Rusinë e Vladimir Putinit, e poashtu edhe Venezuelën e Hugo Chavezit, Turqinë e Erdoganit dhe Korenë Veriore të Kim Jong-il-it, që u pasua nga i biri i tij pas vdekjes, Kim Jong-uni. Përveç Musolinit, ajo i ka takuar të gjithë këta njerëz që përmendëm. “Ajo çfarë kanë të përbashkët,” thotë ajo, “është supozimi, ose vendimi, që ata vetë mishërojnë shpirtin e kombit dhe që ata i kanë përgjigjjet dhe që instinktet e tyre janë të mira, që janë më të mençur se kushdo tjetër dhe që mund t’i bëjnë të gjitha gjërat vetë.”
Trumpi e shkrin veten dhe shtetin pikërisht në këtë mënyrë. Shumë prej detajeve në historitë e Albrightit për diktatorë të ndryshëm përngjajnë me të. Para se ta lexoja, nuk e kisha ditur se Mussolini kishte premtuar të “thante moçalin,” dhe që turma e tij i fishkëllente grupimeve të reporterëve gjatë fushatave të tij. [As nuk e dija që Mussolini, njësoj si Trumpi, mendonte që është e pashëndetshme t’i shtrëngoje duart.] Për Chavezin, Albrighti shkruan “strategjia e tij komunikuese ishte që të shpërndante fishekzjarrje retorike dhe t’i hidhte në të gjitha drejtimet.” Ai ishte i suksesshëm në kontrollimin e mediave.
Përngjasimet me të tashmen në libër janë të qëllimshme. “Një prej redaktorëve të mi më tha ‘Bëjeni lexuesin të punojë vetë,’” tha Albrighti. “Kështu ju mund t’i shihni shumë hapa të ndryshëm.”
E pyeta Albrighti sesi e shmangte dëshpërimin duke parë autoritarizmin që i diktoi rrjedhën e fëmijërisë duke nxjerrë sërish krye në pleqërinë e saj. “Është diçka që mendoj se e kam mësuar nga prindërit e mi,” tha ajo. “Duhet të krijoni një mënyrë për t’u marrë me problemet në mënyrë që të shmangni dëshpërimin, dhe jo thjesht të jeni vështrues të këtyre problemeve. Duhet të kuptojmë se të gjithë e kemi një rol në këtë punë.” Roli i saj në këtë kohë është që të flas për problemin, me çfarëdo autoriteti që i jep karriera dhe historia e saj.
Përktheu nga The New York Times, Periskopi