Dëmet që shkaktojnë ëndrrat

Dëmet që shkaktojnë ëndrrat

Të gjithë ne kemi ëndrra, por jo të gjithë e jo gjithnjë i realizojmë ato. Ky është padyshim rasti me kërkesat e Vitit të Ri – ku, sipas një studimi, i realizojmë vetëm në masën e 12%. Ka shumë arsye pse kjo ndodh: përhumbemi në rutinën e përditshme, nuk kemi para, ose të tjera arsyetime. Por është edhe një tjetër arsye, më e fshehtë: i ngatërrojmë ëndrrat tona me fantazitë dhe dëshirat e  cekta.

Mund të fantazojmë për të udhtuar rreth-e-rreth botës, të humbim peshë apo të studiojmë për mjekësi – por pa e pasur qëllimin për ta bërë atë gjë. T’i mendosh gjërat në këtë formë është një lloj i ikjes nga realiteti. Fantazia mund vetëm të na gjallërojë neve. Kur jemi të lodhur, mendimi për të qenë në një plazh idilik mund të na ndihmojë që t’i përballojmë vështirësinë e ditëve. Ëndrra e vërtetë nuk është të kapësh një ajroplan dhe të zhdukesh, por që thjesht të lëmë mendjen tonë të bredhë nëpër palma plazhesh të një fantazie të largët.

Këto fantazi janë drejtëpërdrejt të lidhura me motivimin tonë. Një studim nga Carnegie Mellon University gjeti se dita më e mirë e javës është e premtja [një përfundim në të cilin zor se besojnë shumë njerëz pa një hulumtim të duhur]. Sidoqoftë, ky studim bën një argumentim interesant. Thotë që i preferojmë të premtet para të dieleve sepse kënaqemi më shumë nga fantazimi i asaj se çka do të bëjmë, se nga vetë ajo që bëjmë. Edhe pse na duhet të shkojmë në punë të premteve, ne shohim përpara drejt vikendit, që është e kundërt me atë që ndodhë të dieleve. Nuk duhet të shkojmë në punë, por na duhet të përgatitemi mendërisht që të punojmë ditën që vjen, pra të hënën. Fantazitë na vijnë nga parashikimi i të bërit diçka që kurrë nuk do të lodheshit ta bënit – s’ka rëndësi sa shpesh ia thuani vetes dhe të tjerëve se do ta bënit. Një ëndërr, megjithatë, është krejt një tregim tjetër.

Ëndrrat që përnjëmend kanë rërndësi dhe që mund të na ndryshojnë jetën tonë janë ato që na frymëzojnë dhe na bëjnë të ecim përpara. Kur ëndrrojmë për të ndryshuar punën tonë ose për të shkuar në një safari në Afrikë, për shembull, e lexojmë çdo reklamë pune në gazetë ose çdo revistë udhëtimesh. Këto ëndrra mund të jenë bezdisëse, sepse nuk mund të ndalemi së menduari a së foluri për to. Ato na shtyejnë, na detyrojnë që të japim gjithçka, dhe për dallim nga fantazitë, nuk janë thjesht teka që kalojnë.

Nëse do ta bënim një listë të ëndrrave tona, sa prej tyre vërtet na shtyejnë përpara dhe sa prej tyre janë veç dëshira të thjeshta? Duhet të bëjmë dallimin mes të dyjave në mënyrë që të mos frustrohemi. Nëse mund të gjejmë se cilat janë ëndrrat e vërteta dhe të bëhemi të ndershëm me veten, do të arrinim më shumë se 12% të asaj që arrijmë nga Viti i Ri. Nëse vërtetë nuk jemi të interesuar që të ushtrojmë a të mbajmë dietë, cili është kuptimi që t’i konsiderojmë ato si qëllime?

Së fundi, ëndrrat na ndihmojnë neve që të ecim përpara dhe të rritemi si njerëz. Nuk është e thënë të jenë të mëdha. Ëndërr e mirë mund të jetë edhe të qeshësh në ditë të vështira. Ose mund të jenë më ambicioze, për shembull, të arrish gradimin në punë ose të gjesh një lidhje dashurore më të shëndetshme. Çfarëdo që është, nëse nuk na nxitë që të bëjmë diçka, nëse nuk na shtyen të punojmë ose nuk na frymëzon, është e mundshme të jetë vetëm fantazi. Nuk ka asgjë keq me këtë gjë por duhet ta njohim që nga fillimi që të mos frustrohemi sesi nuk u realizua ëndrra. /El Pais/ Përktheu: Periskopi

Shpërndaje në: