ISIS 2.0 është në fakt ISIS-i origjinal

ISIS 2.0 është në fakt ISIS-i origjinal

Me humbjen e territorit, Shteti Islamik shpejt është kthyer në origjinën e tij si një grup terrorist

Afër katër muaj pas deklaratës së kryeministrit irakian Haider al-Abadi se Shteti Islamik [ISIS] ishte mposhtur ushtarakisht, ky grup shpejt u transformua në një rrjet terrorist dhe nuk shfaq shenja se do t’i japë fund fushatës së sulmeve përgjatë Irakut verior.

“Proto-shteti i ISIS-it nuk ekziston më. Flamuri i tyre nuk valon në territorin irakian më,” tha Fareed Yaseen, ambasador i Irakut në Shtetet e Bashkuara. “Por kjo nuk nënkupton se ky grup është zhdukur. Ata po kthehen në taktikat e vjetra të përdorura nga al Qaeda para 2014-s.”

Si një testament për reziliencën e grupit, në javët e fundit ndodhën një seri i sulmeve të profilit të lartë, përfshirë njërin në të cilin nëntë zyrtarë të policisë federale ishin marrë si pengje në një pikë kontrolli të rreme e të cilët më pas u ekzekutuan nga luftëtarët e Shtetit Islamik të maskuar si anëtarë të milicisë shiite. “The Associated Press” poashtu raportoi që dikund prej 150 deri në 200 anëtarë të forcave të sigurisë irakiane ishin mbytur në sulmet e Shtetit Islamik gjatë muajve të fundit.

Këto sulme ndaj forcave të sigurisë dhe civilëve, shpesh duke përfshirë pika kontrolli të rreme, kanë ndodhur në ish fortesat e grupit në provincat e Anbarit dhe Kirkukut, poashtu si afër provincave të Mosulit dhe Diyala-s – një zonë rurale në veri të vendit i njohur për luhatjet e tij, përcjell Periskopi. “Është vërtetë një zonë jo e mirë,” tha koloneli Ryan Dillon, folës në koalicionin e udhëhequr nga ShBA-të kundër Shtetit Islamik. “Por është zonë e mirë për njerëzit që duan të fshihen shkaku i terrenit të vështirë. ISIS-i ka qenë i aftë të gërmojë tunele dhe të blejë armë, municion, dhe material për të bërë bomba.”

Shteti Islamik mori një pjesë të madhe të Irakut verior përgjatë kohës sa zgjerohej më 2014. Megjithëse Armata Irakiane e detyroi grupin të tërhiqej nga këto zona më 2016 dhe 2017, shumë ushtarakë kanë arritur të arratisen ose të vendosin celula të fjetura përgjatë territorit që e kishin nën kontroll më herët.

Disa u zotuan të vazhdonin luftës: Shteti Islamik e prodhoi revistën Al-Naba që sygjeronte se grupi kollaj mund të transformohej në një kryengritje, siç ndodhi më 2008 pas së ashtuquajturës valës së madhe të trupave të ShBA-ve. Liderët e saj thuaj vazhdimisht artikuluan nevojën potenciale për një “tërheqje të përkohshme” në shkretërirë për të kthyer fatin e kalifatit.

“Kjo ishte një periudhë kritike kur ISIS-i po shikon për zbrazëtira dhe po hedh bazamentin për një kryengritje të re në të ardhmen,” tha Hassan Hassan, autor që ka shkruar një libër për grupin.

Shumçka nga kjo strategji është përqendruar në kombinimin e të tentuarit për të vënë një kontroll të heshtur në zonat rurale ndërkohë që sulmojnë figura kyqe politike dhe simbolike të lidhura me shtetin e Irakut. “Ajo çka po bëjnë tash është ajo që forcat ushtarake do t’i quanin ‘patrolle luftuese,’” tha Mike Knights. “Ata po dominojnë tokën e askujt jashtë vendbanimeve dhe qyteteve.”

Qëllimi, sipas Knights, është që të sulmojnë forcat e sigurisë nëpër fshatra e qytete, duke i lejuar Shtetit Islamik më shumë liri të lëvizjes përgjatë tyre. Forcat e Sigurisë Irakiane, tashmë janë shtrirë gjerësisht përgjatë gjithë territorit të vendit, por do ta kenë të zorshme që t’i mbajnë – meqë iu kushton gjithnjë e më shtrenjtë të lëvizin përtej pikave të kontrollit mirë të fortifikuara.

Megjithëse ende aspiracionale, këto përpjekje janë fokusuar në vijën e ashpër nga veriu i Siriksë e deri në Diyala. “Ende kemi fragmente të ISIS-it ose mbetje të ISIS-it – kryesisht në Makhmur, Kirkuk, Tuz Khurmatu – është një lloj i një vije diagonale ku mund t’i gjejmë këto gragmente,” tha në një konferencë shtypi javën e kaluar Andrew Croft, një Gjeneral Brigade i ShBA-së.

Por duke qenë se veprimtaria kryengritëse e Shtetit Islamik është në fillesat e saj, fokusi është më pak në bombardime të rrëmujshme sa që është në sulme të shënjestruara. “Që nga koha kur ISIS-i e kontrollonte territorin, ata janë përpjekur të heqin qafe njerëzit që mund t’i përndiqnin,” tha Knights. “Ata po vrasin prijës fshatrash, liderë fisesh, sahwa-të e rinj [një organizatë joformale fisnore në aleancë kundër Shtetit Islamik], dhe njësitet popullore të mobilizimit.”

Një zyrtar i Shteteve të Bashkuara e quajti këtë taktik një theksim në cilësinë e sulmeve, më shumë se në sasinë e tyre.

Megjithëse ushtria amerikane nuk e ka klasifikuar teknikisht dhunën e fundit në Irak si kryengritëse – duke qenë se pak sulme janë bërë dhe pak civilë janë vrarë – në fakt ata që u vranë ishin figura të rëndësishme.

Sipas Hassanit, kjo është logjika prapa sulmeve si ai i fundit që i shënjestroi policët federalë. “Ata u janë vënë pas njerëzve me rëndësi për shtetin e Irakut,” tha ai.

Nga ana e tyre, forcat e sigurisë irakiane dhe Njësitet popullore të moblizimit, bashkë me të tjera agjenci civile, ende po punojnë që të rivendosin autoritetin në zona që ishin kontrolluar më parë nga Shteti Islamik. Kjo ka nënkuptuar më së shumti në zhvendosjen e fokusit nga trajnimet për luftëra të mëdha si e Mosulit te një ambient më kompleks i fushatave kundër-kryengritëse.

“Nuk na duhet të stërvisim ekipe armësh howitzer në këtë moment,” tha Eric Pahon, folës në Departamentin e Mbrojtjes, duke iu referuar partneritetit të koalicionit me forcat e sigurisë irakiane. “Neve na vyen të trajnojmë forca të sigurisë lokale që mund të mbajnë zonat dhe të ndalojnë kryengritjen e ISIS-it.”

Dhe megjithatë, Armata Irakiane dhe njësitet e specializuara si Shërbimi Kundër-terrorizmit kanë shkurtime në njerëz. Dhe pa aftësinë që të mbajnë një prezencë të vazhdueshme, qeveria irakiane poashtu rrezikon humbjen e mbështetjes të atyre që jetojnë në ato zona që kërcënohen nga dhuna e Shtetit Islamik.

“Synitët në vende si Hawija, ideja e tyre është që, derisa të shohësh një fitues të qartë, nuk lëvizë dot. Ulesh në gardh,” tha Knights. “Në zonat rurale, nuk shihni që qeveria irakiane të ketë arritur fitoren ende.”

Marrë nga Foreign Policy| Përktheu Periskopi.

Shpërndaje në: