Vladimir Putin, njeriu më i fortë në botë

Vladimir Putin, njeriu më i fortë në botë

Putini e ka bërë veten si njërin pol të një debati të madh global të kohës, debatin mes autoritarizmit dhe demokracisë. Ai ka një strategji koherente që të promovojë anën e tij autoritare në këtë debat. Ai është i aftë të poshtërojë dhe të përçajë rivalët demokratikë. Ai është bërë një hero kulturor për konservatorët populistë gjithandej – në Francë, Itali, Filipine dhe në Zyren Ovale.

Njerëzit vazhdimisht po thonë që Putini është i mirë vetëm duke luajtur me dorë të dobët. Të gjithë presin që ai të dobësohet shkaku i ekonomisë ruse në rënie. Por dora e tij nuk është aq e dobët. Kjo sepse baza e tij e pushtetit nuk është ekonomia; baza e tij është kulturore dhe ideologjike.

Siç shkroi Christopher Caldwell, prestigji ndërkombëtar i Putinit fillon me tregimin që vendos të rrëfejë. Ai erdhi në pushtet, duke thënë që reformatorët perëndimor gati sa nuk e shkatërruan vendin e tij. Ekipe ekonomistësh amerikanë mendonin që nëse privatizoje si duhet, ligji e rendi dhe kohezioni social do të vendoseshin vetë.

Katastrofa sociale pasoi. Jetëgjatësia mesatare ruse ra poshtë asaj të Bangladeshit. Qeveria bankrotoi. Anëtarët e nomenklaturës komuniste i plaçkitën resurset e vendit. Administrata të vazhdueshme amerikane e poshtëruan Rusinë në rangun botëror. Putini erdhi dhe e vendosi stabilitetin. Jetëgjatësia mesatare në Rusi tash është 71 vjeç, një lartësi historike kjo. Ekonomia u kthye në binarë. Rusia u bë fuqi botërore përsëri, e aftë, siç tregoi java e kaluar, të shpërfillte sulmet e kombinuara diplomatike të vendeve perëndimore. Psa 17 vitesh në pushtet, shkalla e popullaritetit të brendshëm shkon mbi 80 përqind.

Për më shumë, në vitet që do të vijnë autoritarët putinistë do të kenë disa avantazhe kyqe në luftën e ideve.

Në rend të parë, demokracia liberale është ndërtuar në idenë që pushteti duhet të shpërndahet nëpër një sistem marrëdhëniesh dhe institucionesh.

Putini e mbron idenë se autoriteti duhet të centralizohet, me një lider në majë dhe me linja të hekurta të autoritetit të shpërndara teposhtë. Ai mbron idenë që demokracia liberale çon në kaos kur nuk ka besim social, që është mashtrim që i lejon njerëzit me lidhje të mira të plaçkisin secilin.

Në kohë të ankthit dhe mosbesimit, është më e kollajshme të argumentosh për autoritet të qartë e të centralizuar sesa për autoritet amorf e të shpërndarë.

E dyta, lojaliteti më i fundëm i demokracisë liberale është për një abstraksion – kushtetuta, një besim dhe një set i normave demokratike. Ne në kampin demokratik jemi gjithnjë të alarmuar kur shohim një Putin ose një Donald Trump ose një Xi Jinping duke i thyer normat për të marrë pushtet personal.

Por lojaliteti më i fundëm i autoritarizmit është për një person. Për njeriun në vetvete. Siç e tha z.Steven Fish, “Putini nuk është veç politikani më i njohur e më i pushtetshëm rus; ai është i vetmi politikan.” As përkrahësit e Putinit, as të Trumpit, as të Xi Jinpingut nuk janë të mërzitur nga shkelja e normave, për aq sa është një person në detyrë i gatshëm që të komandojë.

Në kohë të ankthit dhe mosbesimit, është shumë më e kollajshme t’i mbledhësh njerëzit rreth një personi se rreth një abstraksioni.

E treta, demokracia liberale është e ndërtuar në besim, në besim në kapacitetet e qytetarëve si individë. Besimi, siç e dini, është konfidenca në gjëra të shpresuara dhe evidenca në gjëra të papara. Ne demokratët kemi besim në idenë që njerëzit e dinë më mirë vetë të zgjedhin për jetën e tyre dhe që zgjedhjet e këtyre individëve mund të thurren brenda një fabrike të përbashkët.

Putinizmi, si Trumpizmi, është i bazuar në cinizëm. Bazohet në idenë që njerëzit nuk duhet të kenë iluzione, e që të jenë të mençur për sfidat që shtron bota. Njerëzit janë, siç thoshte Makiavelli, mosmirënjohës dhe mashtrues, të frikësuar nga rreziqet dhe lakmues të profitit. Rivaliteti është i paevitueshëm. Çdokush është partizan. Çdokush dhe çdo institucion që pretendon të jetë objektiv është gënjeshtar.

Në këtë botë, çdogjë ka të bëj me relacionet publike, dhe sa më e paturp maskarada aq më mirë sepse njerëzit do të besojnë vetëm atë që iu konvenon të besojnë.

Në kohë të ankthit dhe mosbesimit, është më e lehtë të shesësh cinizëm se idealizëm.

Në fund, demokracia liberale është ndërtuar në idenë që njerëzit që nuk janë si ju vetë, prapë e meritojnë të respektohen, që politika ka të bëj me bërjen e kompromiseve me njerëz që nuk mund t’i duroni.

Putinizmi bazohet në idenë që njerëzit të cilët nuk janë si ju vetë, do të mbjellin kaos kulturor; ata po e minojnë mënyrën tuaj të jetës. Putini vazhdimisht bën fushata kundër gay-ve, myslimanëve, ateistëve, perëndimit “shterp e të pagjini”.

Në kohë të ankthit dhe mosbesimit, është shumë më e kollajshme të shesësh dallimet ne/ata sesa të mbjellësh tolerancë dhe diversitet kulturor.

Shkurtimisht, kurrë mos e nënvlerësoni këtë njeri dhe kauzën e tij. Përgjatë gjithë botës regjimet politike po përshtaten, po bëhen ose pak më shumë autoritare ose pak më shumë demokratike. Tash për tash, momenti është qartë në të mirë të autoritarizmit. Kjo është pjesërisht shkaku që ajo anë e ka një figurë briljante dhe shpërfillëse si lider. Është poashtu shkaku që kur ndaleni e pyetni se kush është lideri global i kampit të demokracisë liberale, nuk do t’iu vij ndërmend asnjë emër.

Përktheu nga The New York Times, Periskopi

Shpërndaje në: