Gjuha e heshtjes
Në shkollën e Krotonës, filozofi i njohur Pitagora instituoi disiplinën e heshtjes dymijë-e-pesëqind-e-kusur vjet më parë. Studentët më të mirë të tij i nënshtroheshin heshtjes, pra nuk duhej të flisnin për një periudhë prej pesë vjet rresht. Gjuha si organ shihej si e pakontrollueshme. Ajo qiste fjalë bazuar në ndjesi, shpesh vetëlënduese, e të cilat e dëmtonin rëndë të menduarit dhe e bënin njeriun rob të fjalëve të tij.
Mendoj se është e nevojshme të kultivojmë heshtjen si pasion qytetar në vendin tonë. Ne flasim tepër shumë. E prapë, nuk bëjmë kurrgjë të hairit.
Njerëzit flasin kot. Përgojojnë, paragjykojnë, ndërtojnë teori konspirative, as nuk lodhen të bëjnë çare për shkarjet logjike. As nuk lodhen të mendojnë. Siç thoshte Niçja, “Opinioni që na vjen ndërmend kur pyetemi për një gjë, zakonisht nuk është i yni, por vetëm i përbashkët, ai i kastës sonë, pozicionit, i origjinës; opinionet tona vetjake rrallë dalin në sipërfaqe.” Njerëzit pra, marrin atë logjikë ekzistuese, ato paragjykime ekzistuese, dhe i komunikojnë. Bëhen agjentë të tyre. E rëndësishme bëhet që të depërtosh te tjetri përmes asaj që thua, t’i ndërhysh në shpirt, në rrjedhën e të menduarit dhe të të ndjerit.
Të flasësh përbën një ngjarje shoqërore siç i referohej edhe Wittgensteini duke treguar pamundësitë e gjuhës private. Të flasësh është një veprimtari që vazhdueshëm bën komunikimin e vlerave. Çdo fjalë e thënë është përbrenda një terreni paradigmatik. Brenda një terreni të kontrollueshëm gjuhësor. Çdo fjalë e thënë është kësisoj një armë për pozicionim në skemën e prodhimit, ose armë për mbrojtje të pozitës [duhet ta mendojmë më gjerësisht këtë koncept, sesa veç pozicionin institucional].
Pamundësia për të kontrolluar gjuhën e bën njeriun krejtësisht fals, inautentik. Vegël të pushteteve të ndryshme që depërtojnë në shpirtin e tij. Qoftë edhe të thuash “Sot është ditë e mirë” sa për të nisur një llaf me dikënd, nënkupton të bësh një tradhti të lartë ndaj vetes. Nënkupton të bësh një tradhti ndaj kuptimeve e ndjesive që ndodhen brenda teje. Të tradhtosh vlerat e bindjet të cilat vullnetshëm i ke zgjedhur.
Ta dendësh komunikimin me ‘opinione kaste, pozicioni, origjine” nënkupton t’iu pamundësosh opinioneve vetjake edhe atë shfaqje të rrallë.
Duke qenë se heshtja shihet si e papranueshme, fjalët e kanë humbur rëndësinë e tyre. Të flasësh nënkupton thjesht dhe vetëm të llomotisësh. Të besosh në diçka nënkupton poashtu të jesh në rendje pas një statusi të caktuar social, në rendje për një pozicionim sa më të mirë brenda një sistemi që i ndrydhë potencialet e njerëzve.
Rrethana në të cilën ndodhemi mund të përshkruhet me klishenë në vijim: ne flasim por nuk themi asgjë. Ne belbëzojmë fjalë që as nuk i dimë, as nuk i mendojmë, e as nuk kanë rëndësi për ne. Dhe kësisoj, qoftë edhe në përditshmëri, e shesim veten tonë, përmes asaj që themi, te ky sistem dekadent vlerash. Jo që nuk marrim vesh se çka thonë të tjerët, por s’marrim vesh as çka themi ne vetë. Kjo mungesë e heshtjes, kjo mungesë shurdhuese e heshtjes, padyshim që jep idenë se ne nuk dimë as të dëgjojmë e as të shohim. Gjithçka hyn në një vesh dhe del nga tjetri. Kjo bën që ne të mos kuptojmë njëri-tjetrin, të mos kemi empati për njëri-tjetrin, të mos arrijmë të përpunojmë asnjë ndjesi brenda nesh, të mos arrijmë të kalisim një shpirt durues e kurreshtar që e bën një lexues të jetë lexues, dhe më e fundit, të mos arrijmë të kuptojmë as rrethanën kulturoro-sociale në të cilën bëjmë pjesë.
Para dy ose tri vitesh, unë pata vendosur që të mos flisja më. Të bëhesha memec. Një masë vetëdisiplinuese tepër radikale dhe naive e predestinuar të dështonte. Dhe që dështoi duke e prishur një marrëdhënie të caktuar. Është e kuptueshme që njerëzit e këtyre ditëve, njerëzit e Facebook-ut, s’mund të kuptojnë heshtjen. Nuk mund të kuptojnë as kurrfarë radikaliteti.
Por, sidoqoftë, për mua është më e qartë se kurrë se duhet të ushtrojmë e kuptojmë heshtjen, të kemi durim të dëgjojmë e kuptojmë atë me të cilin flasim, të kemi durim të lexojmë e kuptojmë ata që lexojmë. Ndryshe mbesim në amorfitetin absurd të deritashëm.
I riu i rëndomtë kosovar nuk i lexon as dhjetë libra në vit, por megjithatë përmes fjalësh të kota që i thotë në rrugë, kafene, Facebook, shtëpi, i shkruan dhjetë libra për një javë. Dhe padyshim, ne ndikohemi më shumë, shumë më shumë nga këta libra të përditshëm e pa-lidhje, se nga librat e rëndësishëm ku shpalosen ide të rëndësishme.
Para një viti unë isha në favor të ndryshimit të kodit dhe procedurës penale ku kriminalizohej shpifja. Kjo është një masë në dukje autoritare, por që në fakt, thjesht dhe vetëm e bën fjalën të rëndësishme. Angazhimin publik të rëndësishëm. Kritika ndaj pushtetit është bërë mosvet joserioze dhe e papeshë duke qenë shpesh e pa-artikuluar, konspirative, paragjykuese dhe e dendur. Ne duhet të marrim përgjegjësi për fjalët që i themi. Për qëndrimet që marrim. Për zgjedhjet që bëjmë. Një gjë e tillë mund të bëhet vetëm duke e futur edhe heshtjen në strategjinë tonë ligjërimore. Të përvetësojmë një gjuhë të re, me heshtjen si pjesë vitale të saj. Të shpikim një gjuhë të heshtjes.