Së pari ata vranë babain tim

Së pari ata vranë babain tim

(Për të gjithë, më shumë se 15 njerëzit që i pash duke u rrëzuar para meje, të vrarë)

Është qesharake: kujtoj se si fëmijë, lufta më zbaviste. Mendoja se gjithçka, atëherë pa ditur të them inskenim ose të mendoj kështu, mendoja se ishte një lojë, që do të përfundonte dikur kah mbrëmja dhe do ta imitonim me fëmijët e lagjes.

Isha 8 vjeç. Së pari ata vranë babain tim…

26 shtator 1998. Po ecja me nënën pas një ofansive të madhe në Drenicë. Gjithçka rreth nesh ishte në flakë, gjithçka po digjej. Trupa njerëzish të vrarë rreth meje, trupa kafshësh. Babai, prej shumë kohësh i ishte bashkuar UÇK’së. Prej një rruge me shumë lloç pasi shiu binte pa ndërprerë, ishte një distancë më shumë se 500 metra që të arrinim në shtëpi.Për të tjerët në familje, nuk dinim ku ishin. Kur e pash oxhakun e shtëpisë, i thash nënës mos është ai babai. Nuk m’u përgjigj. Rreth dy orë më vonë, na treguan se babai ishte vrarë gjatë luftimeve pak metra larg shtëpisë. E kam dëgju ofshamën e nanës, mërzinë e motrës, i kam pa lotët e hallës, e kujtoj tymin e cigares së vëllait. Rreth mbrëmjes do ta varrosnim babain. Trupi i tij ishte në një rimorkio. Shkova dhe e pash. Ishte si i buzëqeshur… Pak më kishin folur për vdekjen. Nuk besova se ka vdekur.

Më pas, ata vranë Antigonën, Diturien, Valmirin…

Pasi varrosëm babain, dëgjuam se ma kishin vrarë edhe shoqen e bankës, Antigona Deliun. Valmirin 2 vjeçar në gjirin e nënës dhe Diturie Delin 6 muajsh. Isha 8 vjeç, por mu kujtua xhaxha Ymeri, prindi i tyre. Qysh? Me Antigonën më nuk do të shkoj në shkollë? Nuk besova se ka vdekur.

Pas ofenzivës më të madhe në Drenicë, ku u vra një pjesë e imja e jetës, ne do të vazhdonim për në Prishtinë. Së pari, hyjmë te një familje e cila na kërkon qera si refugjatë dhe më pas na merr një familje të na mbajë pa qera.

Aty nisi shkollën, por gjithmonë me mend te babai. Se do të kthehesha ta shihja një ditë. Në Llukar, gjetëm familje të mira. Më çuan në shkollë. Më ulën me nxënësit më të mirë: Yllkën, Elvirën, Edonën, Albanën, Granitin, Vetonin, Arbënorin..

Pas pak ditësh shkollë, edhe në Prishtinë nis lufta e madhe. Shkuam në Marec, për të qëndruar disa ditë. Edhe atje vjen lufta. Rikthehemi kah Grashtica. E gjithë kjo rrugë, kuptohet: disa ditë, në këmbë.

Së pari, ata vranë djemtë më të ri…

Isha 8 vjeç e pak muaj. Po xhiroja gjithçka me ata pak tru që më kishte mbetur. Ata jepnin urdhër që djemtë të rrinin në njërën anë dhe gratë në anën tjetër.

E pash trupin e një të riu, me një breshëri automatiku e rrëzuan mu para këmbëve të mia, as dy metra larg. Ata vranë më shumë se 10 të rinj kështu. Të gjithë i pash. Të gjitha këto skena, i përcillte një shi i madh. Lugina pranë rrugës kryesore Grashticë – Makoc, ishte mbushur me trupa të rinjsh.

Pas kësaj, marrim trenin e stërmbushur për në Maqedoni. Pak ditë pasi NATO bombardon caqet serbe, kthehemi për në Prishtinë.

Është trishtuese: si fëmijë, sado që të të flasin, ti nuk e kupton vdekjen. Mendoja se babin e kisha varrosur, por një ditë do ta shihja sërish.

P.S. Titulli i rrëfimit, nga filmi ‘First they killed my father’.

 

 

 

 

Shpërndaje në: