Kisha e prishjes dhe ndreqjes së tolerancës fetare ne Drenicë

Nuk besoj se ka dikush me pak fije mend që është i interesuar të bëj fesate për një objekt fetar, përjashto këtë në oborrin e UP-së që ka një konsensus të përgjithshëm shoqëror, që para se gjithash, nuk është një objekt fetar. Po, edhe përkundër këtij konsensusi të konstatuar, prapë se prapë, askush nuk do ndonjë ‘bela’.
Pra, askush nuk dëshiron të shtyjë kokën me ‘beton e armaturë’, kur për të është investuar nga një komunitet i caktuar fetar, ta zëmë, pa ndonjë prapavijë, të njohura tashmë në Kosovën e pasluftës. Më të theksuara te myslimanët, e më pak tek të krishterët.
Çdonjëri që kaloni në autostradën Prishtinë-Pejë, me siguri iu ka rënë ta shihni objektin që u përurua sot, kishën e Shën Abrahamit në Llapushnik.
Për këtë kishë ishte bërë një zhurmë e madhe. Sot kur rikapitulova një histori të ndërtimit të saj, pashë edhe artikuj në media, që fillonin me: ‘në Drenicë prishet toleranca fetare’. Duke marrë për bazë prishjen e themeleve me gurë që kishin bërë disa protestues kundër kishës, pra vihej në konstatim se toleranca fetare qindra vjeçare ndër shqiptarë, po prishej në Drenicë. Por, sot po dëshmohet e kundërta: që toleranca fetare po ndreqet në Drenicë.
Nuk besoj të ketë më shumë tolerancë fetare, kur ta lëmë anash pak hipokrizinë, se po të ndërtohej një xhami në atë vend ose objekt i ndonjë besimi tjetër fetar, (ndoshta) do të kishte reagime të mëdha sot. Shto këtu edhe po të kishte protesta e ‘prishje tolerance fetare’. Mund të tingëllojë si një paragjykim, por përvoja na e tregon këtë. Cilin objekt fetar në Kosovë, do ta kishim duruar, edhe sikur mahallat do të çoheshin në këmbë e do të thonin qartë: nuk është kundër objektit, por kundër vendit. Sepse në atë vend është paraparë nderimi i njërës prej Betejave më të mëdha të UÇK-së. Dhe se nuk do të donin aty as kishë as xhami?
Para se gjithash, vendi ku u ndërtua kjo kishë, e cila sa i përket shijes time estetike, nuk është se nuk rri bukur në atë vend, ishte i destinuar për varreza dëshmorësh. Madje, thuhet se ajo ishte shpallur nga organet qeverisëse komunale që nga viti 2010, si një ‘zonë me interes të përgjithshëm’. Por u bë mirë. Toleranca e prishur fetare në Drenicë, rrjedhimisht në shqiptari, u ndreq sot. Në atë vend mund të jetojnë të gjithë të lumtur. Mund të bien këmbanat, mund të thirret ezani. Ka aty vend sa të duash. Dëshmorët mund t’i varrosim andej bjeshkës të Berishës…
P.S. Nga fotografitë e kishës së shuguruar, më ra në sy rreshti i parë i njerëzve. Ishin krejt Partia Demokratike e Kosovës, e prirë nga kreu i saj darvinist Kadri Veseli (në intervistë në Klan Kosova ai thotë se është darvinist në politikë).
Fjalimet e tyre politike në vendin e shenjtë – kishë, ngjajnë sikur të kenë shkuar të ndalin gjakderdhje qindra vjeçare. “Nga sot, krenarisë suaj si fshat i rezistencës për liri, i shtohet edhe krenaria e të qenit fshat i bashkëjetesës fetar”, thotë Kadri Veseli, sikur në fshatrat tjera në Drenicë, tashmë mbetet misioni i njëjtë: ndërtimi i nga një kishe dhe xhamie dhe ja vet lumturia jonë.
Sikur ta shihte Abrahami kush zë vendin e parë në shugurim kishe, me siguri do ndihej keq për kishën ashtu si Muhamedi për ndonjë xhami. Por të dy, jam e bindur se do të ndienin keqardhje nga prapavijat e ‘tolerancave tona ndër-fetare’, që unë nuk jam për t’i prishur, përkundrazi, jam për t’i ndërtuar, qoftë edhe nëse na kushton me nga një kishë ose xhami për kokë banori.