Përgojimi si metodë e aktivistit politik
Qytetari i rëndomtë nuk ka lidhje të afërt me politikanët. Ky është një fat i mirë sepse i jep mundësinë që të përmbahet brenda temave publike, meqë kur flet për personalen e politikanëve nuk merret seriozisht ashtu siç nuk merret kur me fantazinë e tij thurrë teori konspirative. E megjithatë, ai lëngon që të njihet me privaten e politikanëve, privaten e përfaqësuesve të tij, me anën e pasme të tyre. Ata janë jashtëqitja e tij e dashur, biles e dashur edhe në urrejtje.
I pushtetshëm në këtë mes bëhet ai që zakonisht quhet aktivist politik. Ai që kërkon dhe punon për ndryshime sociale në dukje, e në padukje rikthehet në habitatin e tij ndjenjësor. Pikërisht në këtë padukje ndodh tradhtia e madhe ndaj ‘ndryshimit’, ‘përmbysjes’ apo çfarëdo kauze që ata duan të shtyjnë përpara. Brenda hapësirave private, që përbëjnë mjedisin më të natyrshëm për të, pra habitatin, ai e bën veprimin e tij më të natyrshëm: e përfutë dalësin nga habitati, politikanin, sërish brenda tij – ose thënë me fjalë të tjera, e rikthen në habitat, ose edhe me të tjera, e përgojon anën habitatore të tij dhe e përligj këtë veprim përmes afërsisë që ka me politikanët.
Qytetari i rëndomtë, kafsha në habitat, ndjen dhimbje të pakuptueshme për kafshët që e përfaqësojnë jashtë atij mjedisi. Dhe si mediatorë, për aq sa mundet, i përdorë aktivistët por poashtu edhe mediat. Një aferë private e një politikani ndjell më shumë kurreshtje se çdo temë tjetër publike duke e bërë kësisoj median një fushë të korruptuar, e të showbizuar. E gjithë kjo ka të bëj me kërkesën e madhe që të vërej tiparet e tij, në ata që e përfaqësojnë në mjediset artificiale të ashtuquajtura publike.
Qytetarët nuk merren seriozisht kur flasin për personalen e politikanëve, ndërsa aktivistët po, shkaku i afërsisë që kanë. Dikush mund të pres të kundërtën. Pra, që qytetarët të merren me përgojime mbi personalen e politikanëve, dhe aktivistët të merren kryekëput me çështjet publike. Por e kundërta është e vërtetë. Ajo që ndodhi në Lëvizjen Vetëvendosje e dëshmon një gjë të tillë. Gjithë ata aktivistë të ndryshëm, që jodomosdo lidhen me partitë politike, përbëjnë një tjetër dëshmi për këtë gjë. Ata shërbejnë si mediatorë – që terrorizojnë ata që kanë guxuar të dalin nga shpella, ata që kanë guxuar të sillen përnjëmend ndryshe nga sjelljet që bëhen në habitat. Prandaj ekzistojnë kaq shumë përgojime, e kaq shumë fjalë që operojnë me anë të vlerave të habitatit [këtu, besoj e kuptoni që termi në fjalë del përtej definimit të tij të zakonshëm, në një hapësirë ndjenjësore, epistemike, rehatie] të cilat iu shërbejnë si dhëmbë për t’i ngrënë e për t’i mbytur. Ky është një fenomen, dhe jo një akt i izoluar.
U qitën në shesh ngacmimet seksuale, dyshimet për agjentë të shërbimeve sekrete, për tradhtarë e për gjëra të ngjashme. Këto u qitën në shesh pikërisht nga aktivistët. Statuset e tyre në rrjetin social Facebook mund të shihen si epigrafe të fjalëve të shumta që natyrshëm i flasin në hapësirat e ngushta private, ku kryejnë ndërkëmbimin me habitat. Përgojimi si element i aktivizmit politik në Kosovë ka qenë i njohur edhe pa u bërë publik. Kishte ‘sekrete publike’ të ndryshme, e të cilat e formësuan atë që e njohim si skenë politike. Habitati e bëri aktivistin politik që të mbivendoste interesin e tij personal mbi atë publik, dhe e ravijëzoi metodën e tij që duhej të rrokte pikërisht personalen dhe jo publiken. Duhej të sulmohej njeriu, dhe jo vlerat në të cilat ai besonte, dhe jo diskursi që e lëvizte. Duhej ekzaminuar relacioni i tij me habitatin, lojaliteti i tij me ato vlera primitive morale që kinse i luftonin. Dikush mund të thotë se kjo është hipokrizi. Unë jo, unë po e quaj thjesht një domosdoshmëri. Diçka të paqëllimshme që nuk buron nga thelbi i vetë individëve të caktuar.
Kosova është në një fazë tranzitore dhe kjo bën që të ketë një ‘shpurdhje’ e ‘shqetësim’ të gjithandejmë në lidhje me vendin në skemën sociale. Kemi të bëjmë me një skemë prodhimi në ndryshim e sipër, ku mjetet e prodhimit janë në kapje e sipër. Dhe prandaj gjithë ky shqetësim e mosdurim jo ndaj sistemit, ndaj klasës në pushtet, apo ndaj projektit ndërkombëtar, por ndaj njëri-tjetrit si kohabitues. Kjo ka bërë që jo vetëm të keqpërdoret hapësira publike, administrata publike, universitetet publike, me një fjalë çdo institucion publik, por që të keqpërdorej edhe sfera publike e debatit, kritika dhe reagimi ndaj gjendjes. Pra, të keqpërdorej edhe aktivizmi. Edhe ky të bëhej një strehë e caktuar tranzitore për të kapur një vend sa më të mirë në skemën sociale. Dhe kjo është arsyeja pse nuk ka aktivizëm ‘grassroot’ në Kosovë dhe në anën tjetër, ndodhin tradhti të shumta nga gazetarë, opinionistë, aktivistë që braktisnin kauzat për partitë politike e të tjera, e të tjera. Pra, në një formë të caktuar u privatizua edhe kjo formë angazhimi. Dhe pasojat e këtij privatizimi, te i cili pronare u bë analfabetizmi shoqëror, janë të kudovërejtshme. Dhe pikërisht ky analfabetizëm shoqëror sot e bën namin prej televizionit publik, universitetit publik e ministrisë së arsimit ku shkruhet me gabime drejtshkrimore, e deri te kritika ndaj kësaj gjëje. Pikërisht ky analfabetizëm shoqëror ka përvijuar formën e të angazhuarit të aktivistëve përmes standardesh morale që shumë prej tyre do të duhej t’i luftonin.
Të marrim si shembull feministët. Gra të ndryshme që mësyjnë një shoqëri të emancipuar në lidhje me pozitën e gruas përdorin të njëjtën metodë dhe të njëjtat paragjykime. Etiketojnë e shajnë të tjera gra – shpesh në referencë me vlerat patriarkale që do të duhej t’i luftonin. Rikthimi në habitat, në vendin ku ndihet rehat – determinohet sërish nga këto manovrime me vlera. Natyrisht, ato e kuptojnë që s’duhet të luftohej thjesht moraliteti patriarkal, por poashtu edhe metoda tradicionale përmes së cilës shpërndahej ai, përgojimi – por nuk kanë takatin e mjaftueshëm për ta bërë një gjë të tillë. Një shpirt i mësuar me rehati, nuk mund të bëj diçka të tillë.
Pamundësia për të jetuar jashtë habitatit, në parehati e sharje, në ekskomunikim, bën që aktivizmi politik, njësoj si vlerat liberale – të gëlltiten pa u shijuar ose të përdoret thjesht dhe vetëm për të marrë një pozicion sa më të mirë në habitat. Pa shpirtra të mëdhenj, që kushedi si linden [Nietzsche beson se vetëm përmes një kombi vetmitarësh] nuk mund të ketë kurrfarë ndryshimi. Dhe këtu s’po flasim për gjëra të kota, për hajni e për korrupsion, e për liberalizim vizash.
Qysh ndodh ndryshimi epistemik? Çfarë duhet të bëjmë? Kjo është një çështje e shtruar nga Foucault, dhe për të cilën filozofia politike ende nuk ka një përgjigjje. Prandaj, të mos pezmatohemi.