Islamizmi kosovar në udhëkryq

Fatlum Sadiku
Pas arrestimeve famoze për nxitje për pjesëmarrje dhe pjesëmarje në konfliktin sirian, ligjërimi politik i myslimanëve shqiptarë të Kosovës duket të jetë platitur. Përnjeherë klerikë e avam, i janë kthyer një diskursi më mesatar të predikimit e ligjërimit që disi heshtë ndaj implikimeve politike, sidomos ndaj atyre të vendit.
Ç’është e vërteta sot gjithandej ka debat rreth asaj se ç’mund të quhet islamizëm, prandaj këtu me “islamizëm” kushtimisht është nënkuptuar politizimi islamit, në formën e dominancës së interpretimit vehabist të tij.
Goditja që pushteti i njësuar me shtetin i dha kryesisht pjesës që predikon një ligjërim të ç’truallzuar të islamit në Kosovë, në fakt ishte një thikë që pushteti i identifikuar kryesisht me PDK-në i dha kësaj pjese të shoqërisë, pjesë shoqërore kjo që për vite shërbeu si njëfarë aleati i (pa)natyrshëm i PDK-së.
Kjo sepse hegjemonia kulturore që LDK-ja e identifikuar me politikat simboliste të ish -presidentit Rugova pati ngritur dhe ushtruar ndaj tërë shoqërisë nën siglën e një katolaicizmi, përgjatë viteve pati krijuar gradualisht, por sigurtë kundërefektin: një pjesë të pakënaqur shoqërore, që ndihej e përjashtuar, madje e ofenduar dhe që priste ditën të afirmohej përmes ndonjë atashimi pushtetor.
Kjo pjesë e shoqërisë s’ishte e zonja të organizohej vetë politikisht (meqë kombinonte në vete edhe apatinë depolitizuese të kosovarit, por edhe injorancën e thellë mbi veprimin politik) e as të ketë ligjërim reprezantues në një Kosovë konvulsionesh e rishqyrtimesh të mëdha vlerore, që po i përjetonte en bloc/njëkohësisht: çlirimin nga okupimi, kapitalizmin e globalizmin.
Zaten është mu ontologjia në fjalë ajo që më së shumti hapërdau daseinin kosovar pavarësisht beckgraundit të tij: tanimë gjejm kosovar që nga turboanglofoni westernist deri tek që e ndryshon edhe emrin në arab. E vetmja gjë që i lidhte këto dy ekstreme kosovare ishte robëria e pakusht ndaj kapitalizmit e teknologjisë.
E në boshllëkun e statizmit drejt së cilit ishte shtyrë islami përgjatë dekadave në Jugosllavi (dallimi bergsonian i fesë statike dhe dinamike), vehabizmi si edhe shumëku tjetër gjeti shtof të mirë brumosjeje.
Krahas me tëra këto zhvillimeve brenda islamit, kishim një PDK që synonte pushtetin dhe realisht s’ishte që zgjedhte fort aleatë, por që prirej t’i takonte/gjente ata rrugës. Kjo çoi drejt një përafrimi të fesë, në këtë rast islamit me “moralin ateist” (nëse shërbehemi me termin e Alija Izetbegovicit), të përfaqësuar nga strukturat e PDK-së.
Si dukuri e 25-30 vjeçarit të fundit e masivisht e pasluftës ligjërimi islam(ist) ka ndërtuar një relacion disi epizodik me realitetin (krejt kjo si pasojë e përjashtimit të ligjerimeve të shtetit-komb me islamin por edhe si pasojë e globalizmit): nuk është se realitetin e përjeton në plotninë e tij dhe në rrjedhën e tij të përditshmërisë (p.sh. ke plot myslimanë që më në detaje i dijnë ligjeratat e ndonjë kleriku në Arabinë Saudite se sa për ndonjë protestë para KEDS-it në Prishtinë), pasuar nga një pjesë krejt indiferente ndaj politikës.
Hipoteka e përqafimit të një tradite tjetër islame nga pjesa vehabiste (asaj arabe), deri edhe në ndrrim emrash (jo pse është e ndaluar ta ndrrosh emrin, por kur kjo bëhet nga kriza të caktuara, atëherë nisë e bëhet simptomatike) së bashku me ndrydhjet e kumuluara me kohë herë-herë çonin tek jo pak fërkime të brendshme në komunitetin mysliman, shoqëruar nga reaksionarizmi politik i islamit anipse deri me konfiktin sirian pa ndonjë rrezikshmëri serioze ndaj shoqërisë, krahasuar me destruktivizmat tjerë pre e cilave është kjo shoqëri që nga kokat gjysmëanalfabete të shtetit e deri në korierë.
Ka edhe diçka tjetër që lidhi islam(izmin) kosovar me pushtetin PDK-ist që po shtrihej gradualisht pos faktorit koincidues kohë: të qenit e Kosovës edhe vend i vogël, por edhe i mbyllur, e ku lidhjet farefisnore janë të forta; si dhe fakti që vehabizmi përjashtimisht disa qyteteve/qytetëzave ndihej dhe ndihet i stigmatizuar në qytet.
Mund të imagjinohet se sa ahistorike e jashtëkohore është ta predikosh zeitgeistin e Ibn Tejmijes në “agorën” poaq të ç’truallzuar të modernizmit jugosllav: në Prishtinë, Pejë…
Kësodore përjashtimi (vehabizmi) + ngutia (elektorati/strukturat e PDK-së) u bashkuan në oksimoronin që tashmë u elaborua deri këtu, për t’u dëshmuar në fund se pushteti i identifikuar me PDK-në, pa tek pjesa myslimane vetëm mishin për top, llumin që shërben për t’ia zgjatur vetit pushtetin nën siglën famoze të luftës ndaj terrorizmit.
Pushteti i Thaçit dhe Veselit toleruan/madje yshtën shkuarjet në Siri të plot kosovarëve në kohën kur edhe Kosova u rangua pëkrah shteteve që përkrahin luftën e Ushtrisë së Lirë Siriane. Me daljen në skenë të ISIS-it, kursi ndryshoi gjithandej, por shkuarjet nuk është se u penguan, meqë nevojitej dosido një fajtorë rezervë, mbulues i kriminalitetit ordiner të pushtetit.
Rrikthimi gjithnjë e më i vrejtshëm i ndikimit të Turqisë, duket se vetmësa i ka komplikuar gjërat. Turqia ka një shkëputje 100 vjeçare me Ballkanin dhe dosido se rikthimi i saj përcillet nga një shkarje e madhe mendësore për gjithë çfarë ka ngjarë këndej pari.
Krerët turq duket se janë indifirentë ndaj faktit se Kosova kaloi nëpër dy Jugosllavi, nën Millosheviqin/Rugovën, UNMIKU-un…dhe se shqiptarët s’janë më ata të kohës kur mbështeteshin mureve të Vjenës për Perandorinë.
Madje verzioni turk i interpretimit të islamit qëndron akoma larg ushtrimit të ndikimit që pati/ka vehabizmi për këto vite, e lëre më ndaj rrymimeve tjera, dhe për më tej pushteti në Turqi krahas me ndihmat shumë të mëdha që i bë popullit dhe shtetit tone të sapolindur, përkrahu në çdo mynyrë klikën e Thaçit.
Vehabizmi për së jashtmi po përdorë me mençuri figurën e Erdoganit, për ta fshehur deficitin e vet përballë traditës, në të njejtën kohë kur po i njejti Erdogan mallkohet e shahet për së brendshmi nga vehabistë, p.sh. për bazat amerikane në Turqi.
Suma sumarum, para islam(izmit) kosovar janë tri rrugë: ose vazhdimi i aleancës së turpshme me krimin në pushtet e që për rezultat gjithnjë do ta ketë poshtërimin, ose hapërdarja në indiference politike, ose reflektimi mbi injorancën e thellë, dhe rrjedhimisht ndoshta besatimi për tu ndriçuar , ashtu siç i’a kërkon njeriut vetë Zoti.
E kjo gjithsesi nënkupton një reflektim mbi domosdonë e një kthimi më kah realiteti, më kah të përkiturit me nativen.
Vetëm kjo e mundëson vetëdijësimin për pushtetin që shtyp, dhe për shtetin që pa fije dyshimi krejt lehtë di të jetë i padrejtë.
Sidomos nisur nga fakti që tashmë ka një distancë kohore/historike, me terrorin shtetëror të komunizmit mbi daseinin fetar, dhe që përgjegjësia bije tek brezat e sotëm, respektivisht jo tek vajtimi aq sa tek besatimi për dije e emancipim (edhe politik).
Autori është politikolog