Liberalizmi dhe Bashkimi Europian

Liberalizmi dhe Bashkimi Europian

Idetë e mëdha të filozofisë politike shpesh janë të vështira për t’u kuptuar në mendjen tonë dhe pak janë shembujt kaq konkretë sa kur përpiqemi të gjejmë kuptimin e ‘liberalizmit’. Ideja e këtij koncepti lidhet me historinë e saj dhe rolin e saj të ndërlikuar në kulturën politike të Europës dhe Amerikës së Veriut. Liberalizmi përfshin një spektër të gjerë të filozofive politike që e konsiderojnë lirinë individuale si qëllimin më të rëndësishëm politik dhe theksojnë të drejtat individuale dhe barazinë e mundësive. Edhe pse shumica e liberalëve do të pohonin se një qeveri është e nevojshme për të mbrojtur të drejtat, format e ndryshme të liberalizmit mund të propozojnë politika shumë të ndryshme. Megjithatë, ato përgjithësisht janë të bashkuara me mbështetjen e tyre për një numër parimesh, përfshirë lirinë e mendimit dhe lirinë e fjalës, kufizimet në fuqinë e qeverive, zbatimin e sundimit të ligjit, ekonominë e tregut (ose një ekonomi të përzier me ndërmarrjet private dhe ato shtetërore) dhe një sistem transparent dhe demokratik të qeverisjes.

Duke u munduar të gjejmë sot një pasqyrim të idealit liberal në një prej institucioneve më të fuqishme ndërkombëtare që është krijuar ndonjëherë, mund të themi me plot kuptim që Bashkimi Europian është një triumf i liberalizmit, duke nënkuptuar direkt se është ajo organizatë përgjegjëse për heqjen e kufizimeve të lirisë personale. Shengen është një shembull klasik i këtij regjimi liberal që grumbullon kufijtë midis europianëve. Sigurisht që të thuhet diçka e tillë është disi e çuditshme në klimën aktuale politike në Europë. Për shumë vende europiane, kur flitet për politika “liberale”, flitet për një liberalizëm klasik të ashpër ose për skemat e globalizimit neoliberal. Kjo nuk është tërësisht e padrejtë, pasi Bashkimi Europian duket se ka shumë tendenca neoliberale, veçanërisht në mënyrat se si ajo zhvillohet në botën e gjerë, por duket se ky element injoron faktin se sa e gjerë është aktualisht ideologjia liberale.

Duke u kthyer më mbrapa në kohë, gjatë shekullit XIX, liberalizmi ishte një doktrinë ekonomiko-politike e lidhur me tregtinë e lirë dhe qeverinë e kufizuar. Këto dy elemente ishin të lidhura ngushtë më njëra-tjetrën pasi qeveria shpesh siguronte të ardhura nëpërmjet tarifave të importimit, duke ndërhyrë kështu në tregti. Në rastin e Mbretërisë së Bashkuar, klasat e larta mbrojtën këto tarifa pasi ato ndihmonin në ruajtjen e çmimit të prodhimeve bujqësore. Në fund kjo situatë rezultoi me një krizë humanitare dhe politike ku të varfrit ishin të uritur, dhe një zgjidhje ishte urgjente. Kjo çoi në shfuqizimin e të ashtuquajturave ligjeve të misrit. ‘Tregtarët e lirë’ triumfuan, dhe rezultati ishte formimi i një partie politike e cila u angazhua në tregtinë e lirë – Partia Liberale.

Ndërkohë që sot, liberalizmi ndikon në ndryshimin e karakterit të shoqërisë perëndimore në mënyra të tjera, edhe pse kontributi i saj në këtë drejtim nuk ka qenë gjithmonë i dallueshëm nga efektet e modernizimit, ndryshimeve teknologjike dhe rritjes së standardeve të jetesës. Për shembull, ulja në vendet më të zhvilluara të kufizimeve të hershme mbi kontracepsionin, divorcin, abortin dhe homoseksualitetin u frymëzua pjesërisht nga këmbëngulja tradicionale liberale për zgjedhjen individuale si brenda ashtu dhe jashtë vendeve komunitare të Bashkimit Europian. Sot, për BE-në lëvizja e lirë e personave, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve, vazhdojnë të jenë shtyllat e frymës europiane dhe çfarë ajo gjithmonë ka dashur të shprehte. Gjithashtu, BE-ja ka promovuar dhe një bashkësi vlerash. Këto vlera janë renditur në nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Europian (TBE) mes të cilave mund të përmendim: Dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut, përfshirë këtu dhe të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Ajo është përpjekur t’i zgjerojë këto vlera në pjesë të tjera të botës.

Riformësimi i Europës pas Luftës së Ftohtë përfundoi mbështetur në partneritetin mes BE-së dhe (të udhëhequr nga SHBA) NATO-s. Të dyja organizatat kanë luajtur një rol jetik në integrimin e shteteve të reja demokratike të Europës Qendrore në komunitetin perëndimor. Arritja e madhe e BE-së është krijimi i një “shteti të shërbimit” bashkoperativ si normë në të gjithë kontinentin. Një shtet i tillë e sheh misionin e tij si një shërbim ndaj qytetarëve të tij, duke mos i dominuar ata, duke bashkëpunuar me shtetet e tjera dhe duke mos i diktuar ata. Gjenialiteti i themeluesve të Komunitetit Europian ishte që të kuptohej se një ekonomi tregu e udhëhequr nga ligji ishte mjeti për këtë qëllim, dhe kjo do të arrihej duke detyruar ndërhyrjet diskrecionale të secilit shtet në treg, duke krijuar kështu parashikueshmëri dhe stabilitet për të gjithë. Këto ishin idetë liberale (në kuptimin e saj tradicional Europian) që nxitën idetë e mendimtarëve dhe politikëbërësve të Gjermanisë së pasluftës, si Ludwig Erhard. Sukseset e mëdha të liberalizmit të BE-së janë ato, si: bashkimi doganor; politika e konkurrencës; tregu i përbashkët; heqja e kontrolleve të këmbimit, dhe krijimin e një monedhe të përbashkët të menaxhuar nga një bankë qendrore e pavarur. Ndërkohë ekonomia e tregut nuk është ideja e vetme liberale e mishëruar në BE-ja, gjithashtu është dhe demokracia përfaqësuese.

Liberalizmi nuk ishte baza e vetme për një bashkim të mundshëm të Europës, por kjo ishte baza e vetme për bashkimin vullnetar. Unifikimi përmes luftës, për fat të mirë, dështoi. Ndërhyrja e “anglosaksonëve” në luftërat e njëpasnjëshme europiane ishte elementi që siguroi që ky bashkim mos të vinte mes luftës. Kjo histori vë në kontekst një nga propozimet më të zakonshme në lidhje me BE-në, se si ajo ka siguruar paqen. Europa nuk krijoi as kushtet për paqen e pasluftës, as nuk e ruajti. Fuqia amerikane i bëri të dyja. Megjithatë, prosperiteti i krijuar nga integrimi europian, nën ombrellën amerikane, e bëri perëndimin e lirë dhe demokratik dhe e shndërroi atë në një magnet masiv për lindjen.

Shpërndaje në: