Cili e ka cilësinë e ekranit më të mirë, “iPhone X” apo “Galaxy S9”?
Kanë kaluar disa javë që kur “Samsung” prezantoi dy modelet e reja të tij, “Galaxy S9” dhe “Galaxy S9+”, gjatë një eventi të mbajtur pak para Kongresit botëror të telefonisë në Barcelonë, javën e shkuar.
E verdikti i ekspertëve është se “Galaxy S9” ka lënë pas “iPhone X”, që kishte marrë vlerësimin për ekranin më të mirë nëntorin e shkuar, duke ia rrëmbyer vendin e parë “Galaxy Note 8”.
“DisplayMate”, një autoritet në fushën e vlerësimit të cilësisë së një ekrani, ka publikuar raportin e tij mbi “Galaxy S9”, duke deklaruar se ekrani i tij lë pas në cilësi të gjithë “smartphone”-t e tjerë.
“Në bazë të testeve tona laboratorike dhe matjeve, ‘Galaxy S9’ ka një ekran mbresëlënës që vendos rekorde të reja për sa i takon prezantimit të ekraneve dhe meriton çmimin për ekranin më të mirë, pasi ka siguruar vlerësimin tonë më të mirë të të gjitha kohërave”, shkruan “DisplayMate” në një deklaratë.
“Samsung”, gjatë kongresit në Barcelonë nuk u përqendrua veçanërisht tek ekrani i “Galaxy S9”, por u mbështet në themelet e hedhura nga modelet paraprake. “Galaxy S9” dhe “S9+” kanë respektivisht ekrane 5.8 dhe 6.2 inch; të dy janë të pajisur me teknologjinë “OLED” dhe kanë një rezolucion “QuadHD+”, me një cilësi të jashtëzakonshme imazhi.