Rrena e madhe e qytetarëve të Kosovës
Teatri politik në Kosovë shpesh ka qenë senzacional dhe ka prodhuar shumë çudira. Rezultatet e zgjedhjeve, koalicionet joparimore, mënyrat e qeverisjes, deklaratat idiotike të liderëve, inkonsistencat, ndryshimet e bindjeve, ndarjet e partive e të tjera, e të tjera. Por, e çuditshme është edhe ajo që nuk është pjesë internale e teatrit: kritika, ose interpretimi i ngjarjeve, ose thënë me fjalë të rrjeteve sociale: analistët. Ata shërbejnë si mediatorë të rëndësishëm të mënyrave sesi perceptohen skenat e shfaqjes. Ata e prodhuan idenë se qytetarët [shikuesit, parë nga analogjia me teatrin] duan ndryshim. Sidomos në vitet e fundit. Në këtë shkrim, unë dua të artikulojë me takatin tim, përshtypjen e kundërt: qytetarët në fakt, nuk duan kurrfarë ndryshimi.
Për mua nuk ishte e çuditshme ndarja e Lëvizjes Vetëvendosje. Mënyra e funksionimit të saj e bënte të pritshëm një fat të tillë. Njerëz të ndryshëm tashmë u veshën njësoj, me një palë tesha, me një palë bindje, dhe e përftuan një standard mendimi e shprehjeje, një gjuhë brenda të cilës ndodheshin sharje të mosvetshme drejtuar kundërshtarëve politikë [ose edhe indiferentëve, duke iu referuar Gramshit]. Epo ja që kjo nuk funksionon sepse krijon hapësirë të madhe manovrimi jashtë diskursit. Me përfshehjen e veçorive individuale ata e plazmuan një tip gare ose konkurence të brendshme ku operohej me thashetheme, paragjykime, e përbaltje që barteshin nga përgojuesit [zyrtarë të lartë, aktivistë e përkrahës]. Dhe përgojimi, siç e dimë të gjithë, ka pasë rol kyq në gjithë këtë punë. Nëse nuk e dimë të gjithë, atëherë bëjmë mirë t’i lexojmë disa prej letrave të të dorëhequrve.
Nuk ishte i çuditshëm [për mua] as rezultati zgjedhor i 11 qershorit, ku Vetëvendosje doli partia e parë në vend. Nëse do të ndodhte ndryshe, do të amnistoheshin gjithë ato skandale të PDK-së, një koalicion parazgjedhor krejt joparimor, dhe një qeverisje me të cilën nuk ishin të kënaqur 80% e miletit [deklarativisht]. Bile, nuk e thashë më të rëndsishmen: do të zhvlerësohej puna e madhe e mediave të rëndësishme në vend për të diskredituar njerëzit kryesorë të qeverisë dhe metodën qeverisëse që u shpërfaq nga Afera Pronto. Kjo mund t’iu duket se bie në kundërshtim me idenë bazike të shkrimit se qytetarët nuk duan ndryshim, por iu kërkoj të prisni deri në fund.
I çuditshëm ishte rezultati i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, në të cilat PDK-ja doli goxha bindshëm e para, megjithëse e ndarë dhe e sulmuar rëndë [me të drejtë] medialisht.
Dhe e çuditshme ishte ndërprerja e vjedhjeve industriale që inicohej nga PDK-ja. E kam të zorshme të mendoj se presioni ndërkombëtar ndikoi në atë gjë. Jo, ka shumë vende në Evropë të cilat kritikohen ashpër për keqorganizimin dhe keqadministrimin e zgjedhjeve. Me një kritikë të ashpër e pa ndonjë pasojë, do të kalonte edhe Kosova. Por ja që, PDK-ja ishte e vullnetshme t’i ndalte militantët e saj dhe të përjetonte një lloj çarjeje [mes anëtarëve të saj] në zgjedhje duke e lejuar demokracinë të marrë frymë më lirshëm. Në zgjedhjet komunale të 2013-s, nëse iu kujtohet, ata përjetuan debakël. Këtu duhet të njihet kontributi i mediave opozitare dhe poashtu i subjekteve opozitare, por marrë parasysh sesa papërgjegjshëm sillet Ramush Haradinaj, po njësoj do të mund të vepronin edhe krerët e PDK-së. Nuk vepruan në atë mënyrë, sepse e hetuan që kërkesa për ndryshim e qytetarëve në fakt, ishte kërkesë për një ndryshim sipërfaqësor kozmetik, në imazh – të cilin me pak përpjekje mund ta bënin.
E vërteta është se kur në Kosovë kishte shpërndarje privilegjesh dhe jo faji [2008] ndodhën ato vjedhje industriale, dhe pati një mobilizim të madh njerëzish që çoi në një klientelizëm vulgar. Vjedhja e votave përbën ndryshim të vullnetit qytetar, dhe kjo është simptomatike për mënyrën e qeverisjes. Si një skeptik ndaj demokracisë, kam prirjen të besoj se kjo nuk është detyrimisht një gjë e keqe. Nuk bëhet vetëm për ruajtje privilegjesh, por ndonjëherë edhe për ruajtje të një rrjedhe të caktuar pune, ruajtje idealesh, ruajtje të politikave të caktuara të cilat duhen çuar në fund. Por PDK-ja i vodhi zgjedhjet vetëm për privilegje, dhe ndaloi së vjedhuri kur nuk kishte kurrfarë politikash për të mbrojtur. Ajo ishte e gatshme t’i nënshtrohej LDK-së, e më pas edhe AAK-së duke marrë rol dytësor në koalicione qeveritare megjithëse kishte forcë më të madhe. Pse? Që të ruante rrjetën klienteliste dhe të vazhdonte t’i shërbente vullnetit qytetar për korrupsion. PDK-ja e mori vesh e para se pushteti politik është goxha iluzor, domethënë, nuk mjafton të kesh pozitën e kryeministrit dhe disa ministri që të kesh ndikim mbi rrjedhën e gjërave. Aksioni i drejtpërdrejtë politik është i përjashtuar nga sistemi, dhe duke qenë injorantë për kompleksitetin e aksioneve politike që prodhojnë rezultate të mira, ata ndaluan së vjedhuri votat. Pra, nuk i vodhën më shkaku që mund t’i shërbenin vullnetit qytetar dhe të merrnin prej tyre votën mëpastaj. PDK-ja e pa pushtetin e saj të rravgohej nga një kulturë joshtetformuese, nepotiste, familjocentriste që u shpërnda dhe u harlis në çdo skutë të vendit. Dhe ndaj së cilës nuk kishte asnjë përgjigjje.
Çka bëri PDK-ja? I hapi dyert e universiteteve, e madje edhe çeli të tjera për shoqërinë e paarsimuar. Kjo veç sa për ilustrim. Kështu ndodhi gjithkund.
Dhe duke mos pasur përgjigjje, ajo iu bashkua frymës së përgjithshme dhe e ridefinoi veten. Tashmë, nuk ishte një parti politike por një agjenci sociale që i shërbente sa mundte krijimit të një skeme prodhimi që zëvendësonte meritën/kompetencën e kriteret me atë që shoqëria e kërkonte: rastësinë, klientelizmin, afërsinë familjare.
PDK-ja është përgjegjëse për injorancën e saj. Në vend se të bëhej bartëse e një sfere pushteti, ajo e delegoi atë pushtet në sferat e painstitucionalizuara të kulturës, dhe operoi si agjente e saj.
Edhe diskursi politik i saj pati çarje me qasjen e mëparshme institucionaliste sepse kur ndodhi skandali i Aferës Pronto, deputetë të PDK-së thanë se “ata e shohin që ndihma ndaj famljes [edhe kur shkileshin kriteretet] ishte diçka e mirë”. Kjo mund t’iu duket diçka naive, e thënë për ngut, por jo. Kjo i adresohet atyre mijëra njerëzve në Kosovë që kërkojnë të punojnë, pa kurrfarë kualifikimi, përmes njerëzve të afërm. E këtë e tha para një jave edhe Xhavit Haliti, nënkryetar i kuvendit.
Një lloj tjetër klientelizmi e krijoi edhe Lëvizja Vetëvendosje. E përmenda uniformitetin në mendim. Ajo u hoqi ‘pakualifikimin’ e mungesën e ‘kompetencës’ mijëra aktivistëve dhe përkrahësve të saj – duke iu dhënë fjalë e bindje që i prodhonte vetë. Natyrisht që e gjithë kjo ishte trishtueshëm sipërfaqësore, sepse i mbante të njëjtë dhe i angazhonte si trupa e jo si mendje. Edhe Vetëvendosje shërbeu si agjenci karriere e promovimi për shumë njerëz, dhe ndarja e tashme e përshfaq një gjë të tillë. Por, edhe Vetëvendosje, njësoj si PDK-ja e pa përmasën e vet të vogël krahas një kulture/pushteti shumë të fortë që i dredhonte e transformonte gjërat. Edhe vetë ato. Por, për dallim nga PDK-ja, vërehet që Vetëvendosje nuk i ofroi bashkëpunim kësaj kulture shformuese e shthurrëse.
Kurti e tha para një muaji se Lëvizja e tij ende nuk ishte e gatshme për të marrë pushtetin ndërkohë që në platformën e tij hetojmë tendencën për një diktim të ashpër pikërisht në kulturën e njerëzve, dhe në mënyrat e tyre të të menduarit. Ai kërkon që aktivistët e tij të shpërndahen gjithandej, dhe po njëlloj aktiviteti i tyre. Mos të harrojmë, ai tha se ata duhet të rrinë më shumë me qytetarët e vendit sesa me njëri-tjetrin – dhe kjo e zbardhë përpjekjen që pushteti të ushtrohet ndryshe, joinstitucionalisht para se të bëhet institucionalisht.
Ndryshimi është i pamundur, në një shtet liberal, nëse kjo kulturë gjallon e papenguar. Dhe kjo kulturë mospune, nuk kërkon aktualisht ndryshim të njëmendtë, por një ndryshim krejt sipërfaqësor.
T’i rikthehemi pyetjes në fjalë: pse u toleruan nga PDK-ja [edhe partitë e tjera] zgjedhjet e lira dhe demokratike? Partia kryesore zgjedhje-prishëse duhej të shkarkohej nga faji e përgjegjësia. I duhej t’i fëlliqte edhe të tjerët me mutin me të cilin ishte fëlliqur vetë. Nëse kjo parti do të bënte punë të madhe, e do të ishte krejt jo-bashkëpunuese me kulturën shformuese në fjalë, atëherë nevoja që të kishte nën kontroll rezultatin zgjedhor do të ishte shumë e madhe. Dhe vjedhjet industriale do të vazhdonin. Por, PDK-ja s’kishte asgjë për të mbrojtur – dhe ndërkohë, vërejti se vullneti i shumicës së njerëzve, përtej asaj që shfaqej medialisht, ishte në përputhje me mënyrën e tyre qeverisëse. Nëse do të pyeteshin qytetarët e vendit se a është mirë t’i ndihmosh familjarëve edhe nëse shkilen kriteret – përgjigjjja e tyre e deklaruar do të ishte “jo”. Por ama, përgjigjja e tyre e vërtetë është “po” – e ndërlidhur me logjikën që PDK-ja po kërkon ta legjitimojë.
Unë dua ta them hapur e qartë: shoqëria kosovare nuk kërkon ndryshimin për të cilin flitet gjithë ditën. Jemi të mashtruar nga ato që thuhen. Një pjesë e vogël njerëzish, njëmend do të donin diçka ndryshe, rrënjësisht ndryshe – por me qëllimin që nga kjo përmbysje gjërash në skemë, ata vetë të riluanin si në llotari shanset e tyre.