McLaren paralajmëron hiper-veturën e re më të shpejtë se F1
Prodhuesi britanik i super-veturave, McLaren, ka paralajmëruar modelin e ri BP23 Hyper-GT, i cili thuhet se do të jetë më i shpejtë se ai legjendar F1 nga viti 1993.
Kompania nga Woking ka prezantuar skica të reja të një hiper-veture që do të ketë tre vende, shpejtësia e së cilës do të kalojë rekordin prej 391 kilometra në orë. Është spekuluar se vetura mund të arrijë edhe në 400 km/h. Çmimi i hibridit të parë do të jetë 1.8 milion euro, pa taksa.
Automobili do të prezantohet para mediave ka fundi i këtij viti, transmeton KosovaPress.
Nuk ka informacione të sakta rreth motorit, por spekulohet se McLaren do të huazojë motorin benzinë 4.0-litër Twin-Turbo V8 nga modeli i ri 720S, dhe i cili së bashku me motorin elektrik do të sigurojnë mbi 1.000 kuajfuqi.
BP23 Hyper-GT nuk do të jetë emri zyrtar i modelit. Kjo hiper-veturë nuk parashihet për gara në shtigje, por për qarkullim në rrugë.