Si janë (ri)lindur demokracitë

Si janë (ri)lindur demokracitë

Nuk mund të ketë demokraci stabile nëse asaj i duhet të bashkekzistojë me parti politike garuese që janë të përkushtuara në shkatërrimin e saj.

CAMBRIDGE – Shumçka në jetë duket qartë pas fakteve. Sfida është që të kuptojmë eventetet dhe trendet më herët, veçanërisht kur është në çështje shkatërrimi i demokracisë.

Në librin e tyre briljant “Si vdesin demokracitë,” profesorët e Harvardit Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt e përdorin përvojën ndërkombëtare për ta ekzaminuar pyetjen. Në rastet e fundit, të tilla si Hungaria, Polonia, Turqia dhe Venezuela, ose në rastet më të vjetra si Italia, Gjermania, Argjentina ose Peruja, shkaku nuk ishte humbja ose përmbysja e qeverive të zgjedhura, por veprimet e liderëve të zgjedhur.

Modus Operandi është befasisht i ngjashëm. Një demagog populist i zgjedhur eleminon ose dobëson shqyrtimet e balanset e autoritetit të tij duke minuar pavarësinë e gjykatave dhe trupave tjerë, duke e dëmtuar rëndë lirinë e shtyput, duke e mbjellë një terren loje ku është më e lehtë të fitohet, dhe duke delegjitimuar ose burgosur oponentët politikë.

Venezuela ofroi shumë nga mësimet që Levitsky dhe Ziblatt citojnë: demokracia e saj tashmë është një kufomë. Pyetja atje është sesi të ringjallet ajo – një sfidë e komplikuar nga hiperinflacioni i vazhdueshëm i vendit dhe nga katastrofat humanitare. A duhet Venezuela ta ndërpres rivendosjen e demokracisë dhe të përqendrohet në përjashtimin e Presidentit Nicolas Maduro dhe në rigjallërimin e ekonomisë, ose a duhet të rivendos demokracinë para se t’i trajtojë çështjet ekonomike?

Kjo pyetje i dëfton kontradiktat fundamentale të demokracisë liberale, së fundi e marrë në shqyrtim edhe nga Dani Rodrik. Në fund të fundit, liberalizmi klasik është i bazuar në mbrojtjen e barabartë të të drejtave të patjetërsueshme të tilla si jeta, liria dhe prona, ndërsa demorkacia bazohet në rregullin e shumicës, që mund të cënojë të drejtat e minoriteteve, përfshirë kapitalistët, ndërmarrësisht dhe njerëzit shumë të aftë. Kjo është ajo që Maduro – njësoj si paraardhësi i tij Hugo Chavez – ka bërë.

Historikisht, liberalizmi i ka paraprirë demokracisë në Evropë. Siç argumenton Jan-Werner Mueller në librin e tij “Të kontestosh demokracinë”, të kombinuarit e dy parimeve, duke zgjeruar privilegjet në fund të shekullit të XIX, u bë për një kompleks jostabil. Në njërën anë, është rreziku nga ajo që Fareed Zakaria e ka quajtur “demokracia joliberale”: qeveritë e zgjedhura që nuk respektojnë të drejtat qytetare. Në tjetrën, është ajo që Yascka Mounk e quan, “liberalizmi jodemokratik”: regjimet që mbrojnë të drejtat individuale dhe barazinë legale, por delegojnë politikbërje publike te trupat e pazgjedhur teknokratik si bankat qendrore apo Komisionet Evropiane.

Në shumicën e vendeve, mirëqenia e shumicës varet në mirëqenien e kapitalistëve, ndërmarrësve, menaxherëve, dhe profesionistëve që organizojnë prodhimin dhe krijojnë vende pune. Por këto elita nuk e bëjnë atë gjë nëse pronat e tyre dhe të drejtat civile nuk mbrohen. Komunizmi mund të shihet si një përpjekje për të eleminuar varësinë nga këto elita duke e organizuar prodhimin nga shteti. Por përjashtimi i këtyre elitave shkakton mungesë të kapitalit financiar dhe të ekspertizës. Kështu, një ujdi bazike në bërthamë të demokracisë liberale është njohja e të drejtave që minoritetet kyqe i kanë dhe janë fundamentale për të gjeneruar benefite të gjera.

Ajo çka ndodhi në Venezuelë mund të shihet si një proces dyhapësh në të cilin liberalizmi shkatërrohet i pari, për t’iu marrë pushtetin elitave prodhuese. Kjo është arritur përmes një gati-eleminimi të të drejtës së pronës, që shkaktoi ekzod masiv të atyre që mund të organizonin prodhimin. Jo rastësisht, ky proces koincidoi me një bum të naftës dhe me një huamarrje masive të jashtme.

Bollëku i dollarëve e bindi klikën sunduese që shteti mund të zëvendësonte elitat prodhuese, përmes nacionalizimit ose formave tjera të pronës kolektive. Nuk mundi, por një rrjedhë e importeve të lria e maskoi joefektivitetin spektakular të prodhimit të udhëhequr nga shteti. Ndërsa mirazhi vazhdoi, sistemi mundi të toleronte zgjedhje të lira: u bë kësisoj një demokraci joliberale.

Por kur çmimi i vajit ra më 2014, maska u hoq, dhe ekonomia u shemb. Në dhjetor të 2015-s, votuesit e zgjodhën Asamblenë Kombëtare me dy të tretat për opozitën, duke e sinjalizuar Maduron se edhe një demokraci shumë joliberale nuk do të mjaftonte që t’i mbante në pushtet. Në këtë pikë, Venezuela u katandis në një diktaturë.

Si mundet demokracia të rilindet? Duke marrë krizën humanitare, Venezuelës i vyen një mëkëmbje rapide ekonomike, që është e pamundshme në vend të të drejtave të pronës që është e ligjshme të rivendosen. Por si është e mundur një gjë e tillë në kontekstin e një sundimi të shumicës? Çka do ta përmbajë një mazhorancë të ardhshme elektorale që të mos i rrëmbejë sërish asetet pas një mëkëmbjeje ekonomike, siç ndodhi në Zimbabve përgjatë dhe pas marrëveshjes së bashkëjetesës më 2008-2013? Dhe si mundet sistemi të krijojë të drejta permanente të pronësisë pa prekur pretendimet e narko-borxhezëve se është vjedhur nga Chavezi dhe Maduro?

Levitsky dhe Ziblatt paralajmërojnë se demokracia kërkon garues politikë që të përmbahen nga veprimi tepër jobashkëpunues. Një sistem i tillë, i bazuar në njohje dhe vetëpranim, ishte formalizuar në Venezuelë më 1958, përmes atij që njihet si Pakti Punto Fijo, e i cili e stabilizoi demokracinë për 40 vite, para se Chavezi ta denonconte dhe ta shkatërronte. Këto pakte nuk mund ta shtrijnë pranimin te organizatat që e kundërshtojnë demokracinë.

Demokracia spanjolle vdiq në vitet 30 sepse sistemi i një pranimi të përbashkët mes fashistëve, konservatorëve liberalëve dhe komunistëve ishte i pamundur. Demokracia në Gjermaninë Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore, kërkonte procesin e denazifikimit që e ndaloi botëkuptimin që kishte çuar në katastrofë. Siç tha Frederick Taylor në një libër të tijin, refuzimi gjithëshoqëror i ideologjisë naziste nuk ndodhi gjatë natës. Ai kërkonte veprim politik të përbashkët. Në fund të fundit, më 1952 25% e gjermanoperëndimorëve kishin ende mendim të mirë për Hitlerin, dhe 37% mendonte që vendi i tyre ishte më mirë pa hebrejtë.

Ngjashëm, në Venezuelën e sotme, është e pamundur të rivendoset demokracia liberale nëse regjimi aktual lejohet të kthehet dhe të shpronësojë përsëri. Mëkëmbja e Venezuelës varet në kapacitetin e saj për të përkthyer katastrofën aktuale në një set të ri social normash të formës: “ne kurrë më nuk duhet…”

Nuk do të ishte hera e parë në Amerikën Latine që tabutë e reja ngriten nga rrënojat ekonomike. Në Peri, mësimet e hiperinflacionit gjatë presidencës së parë të Alan Garcias e kanë përforcuar qëndrueshmërinë makroekonomike të 25 viteve, pavarësisht një strukture të dobët partiake.

Në Venezuelë, të tilla mësime sociale do të ishin më të vështira se që ishin në Gjermani. Ndryshe nga Hitleri, Chavezi ka vdekur para se të hiqej maska ekonomike, dke e bërë më të lehtë që të denoncohej Maduro pa e prekur idenë e chavizmit – ideologji nga e cila në fakt rrodhi katastrofa aktuale.

Në fund fare, nuk mund të ketë demokraci të qëndrueshme në Venezuelë nëse asaj i duhet të bashkëekzistojë me një parti të madhe totalitare, që mund të mbështetet në fonde nga korrupsioni dhe nga elitat që shpëlajnë para. Dhe një bashkëekzistencë e tillë do ta hiqte mundësinë për mëkëmbjen ekonomike që do të zgjaste për një kohë, sepse do ta limitonte kredibilitetin e të drejtave individuale. Që të sigurohet demokracia liberale, Venezuela duhet të ekzorcizojë jo vetëm regjimin dhe xhelatët e tij, por poashtu edhe botëkuptimin që i vendosi në pushtet.

Përktheu: Periskopi, marrë nga Project Syndicate

Shpërndaje në: