Jordan Petersoni nuk ka idenë se për çka po flet

Jordan Petersoni nuk ka idenë se për çka po flet

Mesa duket do të jemi dëshmitarë të një debati mes Jordan Petersonit dhe profesorit eminent Slavoy Zizek në tetor, që tregon se Petersoni do të shëtitet nëpër botën e internetit, nëse jo më shumë, atëherë deri në një të ardhme të afërt. Debati i ardhshëm më duket mua si një satirë idiote, sepse megjithë kritikat që i bëhen Zizekut, nuk ka dyshim se ai është një filozof politik erudit, ndërkohë që Jordan Petersoni nuk është.

Në fakt, shqyrtimi më i vogël i komenteve të tij zbulon se ai është krejtësisht larg thellësisë së Zizekut. Ai po arrin të mbajë pushtetin e tij vetëm përmes përkrahjes së pamend të komentuesve jointeligjent konservatorë, dhe të një përzirjeje të dobësisë patetike dhe të intervistimit simpatik politik që dështoi t’i hetonte kategoritë e botëkuptimit të tij.

Cilat janë këto kategori? E para, liberalizmi. Kjo është diçka për të cilën i pëlqen shumë Petersonit që të flas. Por për aq sa mund të thotë dikush, të kuptuarit e tij të liberalizmit bazohet në historinë popullore të Iluminizmit, në të cilën [mashkulli] individi, i armatosur me dritën objektive të Arsyes, dhe që i vetëm e përballon shoqërinë e korporatave dhe e vendos një komunitet të lirë të të barabartëve e cila mund të jetë [ose jo] nën zgjedhën e një perandorie ndërkombëtare diku në fshehtësi. Sa herë që Petersoni flet për Arsyen, kjo bëhet me një A të madhe [në ang. me R të madhe, për reason]: shihni për shembull këtë intervistë, në të cilën ai e fetishizon Arsyen në terme qartësisht të Iluminizmit. Ndoshta kjo mund të jetë një padrejtësi për të, por duket sikur ai e koncepton arsyen si një lloj të forcës ovjektive të cilën fuqia e mendjeve objektive mund ta mbërrijë nëse janë të aftë të mendojnë mjaftueshëm në mënyrë kritike.

Shtypja vjen, sipas kësaj skeme, kur individi heqë dorë nga Arsyeja dhe strehohet në tribalizëm, dhe nga aty në dhunë dhe autoritarizëm. Kësisoj ai e tërheq një lidhje të thjeshtuar ndërmjet humbjes së respektit për individin, dhe shtetit totalitar.

Lidhja është, sipas pohimeve të tij, e bazuar “në një lexim të thelluar të historisë së shekullit XX”. Nëse ky është konkludimi në të cilin ka ardhur ai, ne vetëm mund të hamendësojmë që ai është i paaftë të lexojë. Mentaliteti totalitar, siç kanë vërejtur mendimtarë të ndryshëm nga spektri politik prej Kamysë e deri te Isaiah Berlin, është saktësisht prodhim i racionalizmit të Iluminizmit të cilin e admiron Petersoni. Nëse, siç rrjedhon argumenti, ka një shpirt të arsyes që është i mundshëm për t’u rrokur nga të gjithë njerëzit, atëherë është e mundshme që të krijohet një shoqëri në harmoni të pastër, meqenëse interesi i asnjë qenieje të arsyeshme nuk është të konfliktuohet me të tjerët. Vetëm në një shoqëri të tillë individi është i lirë.

Ky është vizioni që i motivon totalitarizmat: individi si një krijesë që është i palirë shkaku i kufizimeve që ia shtrojnë paragjykimet e tij dhe gjendjet e tjera sociale. Dikush mund të tërheq paralele mes këtij mentaliteti dhe aktivizmit të drejtësisë sociale të një lloji të caktuar, që padyshim se e kupton individin si një entitet të prangosur nga presupozimet e krijuara sociale që është e nevojshme të thyhen përmes vetëkontrollit.

Sidoqoftë, nuk është një vizion krejtësisht i ndryshëm me pikëpamjet e Petersonit dhe me propozimet e tij që njerëzit duhet të disiplinojnë veten në mënyrë që të heqin qafe atributet e dëmshme shoqërore. Peterson është i përkushtuar për idealin e pluralizmit të vlerave dhe do të ishte krejt e padrejtë që të implikojnë diçka tjetër për të: në këtë aspekt ai është liberal i vërtetë. Por, sipas vetë standardeve të tij, oponentët e tij poashtu nuk janë liberalë të vërtetë. T’iu atribuosh totalitarizmin, dhe lëvizjen moderne për drejtësi sociale, një impulsi për të adhuruar kolektivin pavarësisht sa shumë që vuan individi është një diagnozë katastrofale për të dyja këto fenomene. Aktivistët e drejtësisë sociale të atij lloji që ai i përçmon e himnizojnë individin po aq sa ai e bën, dhe të simplifikosh përpjekjet e tyre në një mentalitet grupi është të ushqesh saktësisht tipin e keqreprezentimit politik që ai vetë ankohet se po e mbyt lirinë e shprehjes.

Duke folur për diskurset, po aq i varfër është edhe kuptimi i tij i postmodernizmit. Është evident kur flet për të se ai ka lexuar për postmodernizmin vetëm nga faqja në Wikipedia e Jacques Derridas. Ai duket se beson që postmodernizmi nuk është tjetër veçse një maskë e vënë nga marksizmi. Ai bën referenca të mjegullta dhe të pasofistikuara për dijen-pushtetin – ai pohon se e ka lexuar Foucault-në por kjo nuk duket – dhe e ekstrapolon konceptin e tribalizmit përsëri, duke pohuar që i dekurajon njerëzit nga angazhimi në debat. Kjo është krejtësisht e pasaktë – jo vetëm sepse ky përfundim nuk nxirret nga teoria në fjalë, por poashtu sepse aktivistët e drejtësisë sociale flasin vazhdimisht rreth rëndësisë që të merren me shtypësin në mënyrë që ta bëjnë ata t’i kuptojë burimet e privilegjeve të tyre. Duhen bërë kritika në përdorimin e angazhimit emocional për të sharë ata që e sulmojnë lëvizjen e tyre, por Petersoni nuk ka mjetet intelektuale për ta bërë një gjë të tillë.

Për ta vërtetuar idenë e marksizmit kulturor, vihet në përdorim një teori konspirative bizare antisemite që nuk duhej të merrej seriozisht nga asnjëri që ka të paktën dije sipërfaqësore të teorisë marksiste ose të Shkollës së Frankfurtit.

Kjo nuk është një përpjekje snobe për të vënë në pikëpyetje inteligjencën e Petersonit, që mendoj se është adekuate. Leximet e tij kanë qenë goxha të cekta, gjë që zor se përbën befasi: kjo nuk është fusha e tij e ekspertizës. Ai është psikologjist, dhe jo njohës i filozofisë politike, dhe nuk kam dyshim se është i mirë në profesionin e tij. Por të brengos paksa kur sheh sesa shumë lavdërime ka marrë në hedhjen e absurditeteve në lidhje me teori për të cilat s’është lodhur të merret. Ka një kontrast të fortë me një prej paraardhësve të tij liberal, Karl Popperin, një filozof i shkencës që i ndërgjegjshëm për moseksperiencën në filozofi politike, e lexoi me themel Platonin, Hegelin dhe Marksin para se të shkruante një kritikë të të tre autorëve në veprën e tij kanonike “Shoqëria e Hapur dhe Armiqtë e Saj”.

Petersoni u bë shumë i njohur kur protestoi rreth përdorimit të përemrave gjinorë, dhe që prej atëherë ka qenë i kënaqur t’i parashtronte idetë e tij gjysëm-të-pjekura rreth medias së botës mesa duket pa qenë i ndërgjegjshëm rreth cektësisë së të kuptuarit të tij.

Huffington Post | Periskopi

Shpërndaje në: