Prodhimet e lirisë

Prodhimet e lirisë

Pardje Republika e Kosovës e festoi 10 vjetorin e parë të saj. Një dekadë që u shenjua me pak ndodhi, dhe ato jo aq të rëndësishme. Me qytetarët në një gjendje të pavetëdijshme, si në ëndërr apo dehje – siç ishte Louis Trimble i tregimit “Dekada e humbur” nga Francis Scott Fitzgerald.

Ndoshta, më shumë arsye për festë kishin politikanët serbë dhe ata që e penguan ecjen përpara të Republikës sonë. Nuk e besoj që festa e para dhjetë vitesh, me rastin e shpalljes së pavarësisë do të ishte aq e madhe nëse do të dihej se çka do të pasonte.

Një dekadë është kohë e gjatë për njerëzit që e përjetuan shtypjen e të 90-ave, luftën dhe më pas lirinë. Shpallja e pavarësisë i shtroi me të drejtë pritjet për diçka substancialisht të ndryshme. Për një pranim ose njohje eventuale nga Serbia të pavarësisë sonë. Dhe për një punë të mbarë me institucionet tona. Këtu dua të ndalem.

Ideja e lirisë që kishin në mendje qytetarët e Kosovës nuk e besoj që ishte aq naive sa paragjykohet zakonisht. Nuk ishte thjesht një reagim i pamenduar ndaj shtypjes. Kjo dëshmohet nga protestat që u bënë në vitet 1968 e 1989. Dhe në parullat e tyre. Por poashtu, në parullat e një vargu protestash gjatë viteve 90.

Liria kishte të bënte me lirinë për të vendosur, për të vetëqeverisur, për të marrë në duart tona zhvillimin e vendit. Dhe në një masë të caktuar kjo liri ekzistoi përgjatë kësaj dekade. Ne mund të vendosnim për shumçka. E kishim fatin tonë në dorën tonë. Por, ajo që kemi bërë është trishtueshëm e varfër, e dobët dhe turpëruese. Gati në çdo formë kulture.

Qytetarët janë të pezmatuar nga ajo që e quajnë politikë. Është e vërtetë që hapësira reprezentative ku operojnë akterët e ‘politikës’ është mosvet e korruptuar dhe ndjell turp. Tekefundit, po flasim për reprezentim dhe jodomosdo për një kurs politikash. Por, turpi ndillet edhe në forma tjera reprezentimi që e tregojnë të bëmën tonë kolektive.

Po e përmend vetëm shkarazi sistemin e padrejtë të drejtësisë, sistemin e dobët arsimor, varfërinë kulturore, ndërmarrësinë shterpe ndër të tjera.

Ky është produkti i lirisë sonë.

Në një tip tjetër reprezentativ kulture, në sport, poashtu mbetëm me turp. Një ekip hendbolli femrash kishte humbur me tridhjet gola disavantazh ndaj një ekipi sërb. Kampioni i Kosovës në futboll u mposht nga një ekip gjysëm-amator nga Ishujt Faroe, me rezultat të përgjithshëm 5-2 në vitin e parë të garimit në arenën ndërkombëtare. Dhe entuzazmi i një numri të madh njerëzish që përcjellin futboll në Kosovë u shua sa çel e mëshel sytë. Kombëtarja e Kosovës në futboll dha performanca të ekipeve si San Marino, Andora e Gjibraltari. Dhe mos të harrojmë, që për të reprezentuar veten në futboll mes kombëtaresh tjera, ne eksploatojmë lojtarët e një numri prej të paktën 4 milionë shqiptarëve gjithandej Evropës. Vjelim punën e të tjerëve. Në Kombëtaren e Kosovës ne i kishim vetëm 2 ose 3 lojtarë nga 23 gjithsej që rrodhën ose u formuan në futbollin tonë.

Në një artikull të publikuar në The New York Times të përkthyer nga Periskopi, Andrew Testa kishte folur me një kosovar i cili ishte shprehur i dëshpëruar me atë që kishte ndodhur në Kosovë. Madje, ai kishte shkuar aq larg sa të thoshte diçka që vetë autori e cilësonte si herezi për shqiptarët e këtushëm: “Më mirë ishte para lufte, se tash.”

Vetë Testa në mbarim të artikullit të tij shtron një pyetje domethënëse, duke komentuar edhe moslëshimin e vizës për kryeministrin dhe mosliberalizimin e vizave: “Kah e çojnë këto autostrada të shtrenjta këtë popull të izoluar?”

Ngecjet janë evidente në politikën e jashtme. Jemi njohur nga 116 shtete të ndryshme të botës, por këto njohje janë rrjedhojë e lobimit të miqve të mëdhenj si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania e Turqia – kishte komentuar Augustin Palokaj.

10 vite të performimit të një mase të konsiderueshme të lirisë shkuan keq. Shumë keq! Megjithëse isha dhe mbetem një përkrahës i madh i Pavarësisë, dhe një kundërshtues i idesë për Bashkim Kombëtar – ndjeja dëshpërim tepër të madh në ditën e dhjetëvjetorit. Nuk arrita që në Facebook-un tim ta postoja flamurin, e as të shkruaja dy fjalë uruese.

Për të uruar diçka nevojitet një masë goxha e madhe shtirjeje. Zvetënim. Unë nuk besoj që Kosova meriton të urohet për ndonjë gjë. Masa e madhe e njerëzve që duan të ikin nga ky vend e dëshmon një gjë të tillë. Poashtu edhe ikja nëpër ide të rrezikshme politike që mësyjnë thërrmimin e idesë së pavarësisë së ndërtuar nga projekti i internacionales liberale.

Po atë mbrëmje të shpalljes së pavarësisë në Prishtinë performoi një këngtare britanike me origjinë nga Kosova. Të pranishëm ishin mbi 100 mijë vetë. Ajo ka fituar famë botërore dhe kjo i krenon njerëzit e këtushëm. Të nesërmen, unë e shkrova një status në Facebook duke e cituar Wittgensteinin, që thoshte se “Muzika ka ardhur në fundin e saj pas Brahmsit.” Filozofi austriako-britanik, besonte që muzika kontemporane ishte krejt e papranueshme.

Grupi Blur në fund të viteve 90, i neveritur nga muzika komerciale e qiti një këngë të quajtur “Song 2” me një tekst krejt absurd – duke ironizuar me industrinë e muzikës pop. E çuditshmja është se njerëzit nuk pyetën për qëllimin e autorit të këngës, dhe e popullarizoi masivisht. Kjo është ndoshta kënga më e popullarizuar e këtij grupi.

Rrënimin e vlerave e kanë paraparë dhjetëra mendimtarë të mëdhenj që prej fundit të shekullit 19. Ishte e pritshme. Dhe e pritshme ishte edhe që kur filloi të prodhohej e popullarizohej absurditeti, shqiptarët do të zinin një vend të mirë brenda asaj skeme prodhimi. Duke qenë ithtarë të zhurmës. Tallavasë. Shthurrjes. Shkërmoqjes së vlerave. Pamendimit.

Fenomeni i arritjes së famës nga këngtaret me origjinë shqiptare nuk dëshmon tjetër veçse pamundësinë e krijimit të vlerave brenda shoqërisë sonë. Mosbindjen e plotë ndaj autoriteteve morale, intelektuale e vlerore. Ose, mungesën e këtyre autoriteteve. Pushtet që ushtrohet dobët, dhe që i mban njerëzit të paformuar ose të gatshëm për formim nga kulturat dhe vlerat e tjera/të të tjerëve.

Sidoqoftë, unë i respektoj ata që mendojnë se këto këngtare me origjinë shqiptare ofrojnë shembuj të mirë ose përçojnë vlera të caktuara. Por, shiheni me kujdes paragrafin paraprak. Ai mund të funksionojë edhe nga kjo optikë. Pra, Rita Ora mund të jetë bërë këngtare e madhe dhe agjente vlerash të larta, duke qenë e krijuar nga një kulturë amorfe, dhe që e la të gatshme për formim nga kultura perëndimore.

Dikush mund të thotë: çka ka të keqe me lirinë që parashtron kjo kulturë e paformë? Nuk ka asgjë të keqe për individët. As edhe një gjë. Por, kur flasim për shtetin e shoqërinë, atëherë e keqja jep shfaqjen e saj. Dhe e keqja është në mosformimin e një karakteri kolektiv. Në mosformimin e ndjesisë së përkatësisë, vlerave të përbashkëta, e as të dashurisë së njëmendtë për të.

Çka duam te kombi ose shteti ynë, nëse jo një set të caktuar vlerash, kulturën apo edhe një karakter të imagjinuar kolektiv? Flamujt, ngjyrat e tij, pitet e ushqimet tjera tradicionale, vallet e tij e të ngjashme. Por, vlerat, kulturën dhe karakterin i shpërfillim e përçmojmë në baza të përditshme. Dhe bëhemi kësisoj racistë internal.

Shpërndaje në: