Polarizohu!

Polarizohu!

Në BE fryen erë krize – në jug, perëndim e lindje. Por problemi është tek vetë BE-ja. Atij i mungon orientimi nga e ardhmja. Qytetarët e angazhuar mund ta ndryshojnë këtë – mendon filozofi bullgar

Qëkur mbaj mend, më kujtohet se kam dëgjuar kambanat e vdekjes: “Vendet anëtare të BE-së do të grinden për çelikun”; “BE-ja do të marrë fund në grindjen për kuotat e peshkimit.”; “Europa do të dështojë për shkak të migracionit.” Ka kohë që dëgjohen këto kambana, por tani më fort.

Si evropianolindor e njoh këtë motiv nga ana tjetër: Para 30, 40 e 50 vitesh, Moska e groposi bashkësinë europiane. Pas një ndërprerjeje të shkurtër, Kremlini e bën këtë sërish. Që atëherë shumë bullgarë u besonin këtyre thirrjeve. Edhe sot njësoj. Ky refren zgjon mes europianëve ndjesinë se diçka nuk është në rregull. Kjo nuk është edhe aq e gabuar. Po e them me një shprehi -“kur vuan nga mania e përndjekjes, nuk do të thotë se nuk përndiqesh vërtetë” E përkthyer tek BE-ja: Lumi i fjalëve për fundin e saj të afërt, është i pakuptimtë. Por kjo nuk do të thotë, se BE-ja nuk e ka një problem kardinal.

Shumë konsens, shumë pak qëllime

Problemin e dimë prej kohësh – borxhet e Greqisë, Italisë, Spanjës, (të shpresojmë që jo të Francës). Në Perëndim, Brexit ka lënë një plagë që ndjell dhimbje. Në Lindje ka fërkime në shumë vende – Hungari, Poloni, Çeki, Sllovaki. Vërtet është BE-ja e sëmurë rëndë? Jo. Jo vërtetë. Ajo vuan vetëm nga konsensusi i tepërt, si edhe nga deficite në qartësinë e qëllimeve.

Si fjala konsens, ashtu edhe fjala qëllim janë përcaktime të së ardhmes, pra elemente bazike të politikës. Por të dyja dallojnë fundamentalisht nga njëra-tjetra. Një qëllim përshkruan diçka se si duhet të jetë. Konsensi bën të kundërtën, përshkruan atë që nuk duhet të jetë. Qëllimi të orienton nga e ardhmja, duke prodhuar një „ne” të përkohshme. Ndërkohë që konsensi ka një të ardhme të padefinuar, por prodhon një „ne” të përhershme.

Në këtë optikë, të bëhet e qartë: Në BE-në e sotme ne nuk jetojmë si do të donim, por si mundemi. Kriza nuk shkund të gjithë themelin e liberalizmit (idetë e lirisë, shtetit ligjor, të drejtat e njeriut, përgjegjësinë individuale), por një pjesë të dakordësive liberale. E për to duhet treguar kujdes. Shtëpia e përbashkët do ajrosur, pastruar, rimobiluar.

E zezë apo e bardhë – pa tone gri

Përballë çdo krize të re, ne kërkojmë mbrojtje tek iluzioni, se duhet të diskutojmë gjatë e të mendohemi pa fund deri sa të marrim vendimin e duhur, si tek çështja e refugjatëve. Por në këto debate ne nuk lëvizim asnjë centimetër përpara. Sepse ne diskutojmë, se çfarë nuk duhet të bëjmë, por jo se çfarë duhet. Ky kërkim për një konsens negativ gropos fundamentin evropian, ai prodhon skepticizmin dhe ndjesinë se Evropa është e sëmurë kronike dhe pa shanse mbijetese. Prandaj duhet të ndalim me këtë kërkim. Kemi nevojë për të kundërtën. Për polarizim. Për polarizimin e opsioneve politike që duhen peshuar, dhe jo përpjekjen e pafund për një zgjidhje të kënaqshme për të gjithë (e në fund një zgjidhje gjysmake). Për shembull duhet të vendosim ose pro ose kundër energjisë atomike –dhe jo të fshehim problemin pas retorikës së përzierjes së energjive. Një vendim politik pra, dhe jo ngecje në formën “nga njëra anë/nga ana tjetër të ekspertëve”.

Një imazh i ri për të ardhmen

Nuk dua të vë me shpatulla pas muri „liberalët vajtues” dhe të mbrojë liderë maskilistë që marrin shpejt vendime e janë ambiciozë. BE-ja është një lidhje për një të ardhme të përbashkët, ajo përcaktohet në fund të fundit nga ky synim për të ardhmen e përbashkët. Problemi këtu është se kjo e ardhme është në krizë. Dhe një e ardhme e sëmurë mund të zëvendësohet nga një imazh i ri orientues.

Ku duhet të fillojmë? Tek qendra e pushtetit politik. Përfytyroni votime evropiane presidenciale, ku të marrin pjesë qindra-milionë qytetarë të BE-së. Përmes kësaj qytetarët kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek pushteti politik. E kur të vijë dita që evropianët të kenë një përgjigje për pushtetin politik supranacional, automatikisht do të ketë përgjegjësi për politikën e BE-së në të ardhmen. Kështu lind një polarizim shërues, një fuqi përthithëse që e zëvendëson burokacinë ankuese e larg realitetit të BE-së me marrëdhënie të vërteta pushteti.

Evropa ka nevojë për ajër të pastër

E po qe se e krijojmë një qendër të tillë pushteti, atëherë do të vëzhgojmë, diskutojmë, ndikojmë në veprimin e saj, e jo si deri më tani vetëm në planet e saj. Sepse deri më tani, ne synojmë paqen para një konflikti. Ndërkohë që rruga tjetër do të ishte më e frytshme – njëherë konfrontim, pastaj mirëkuptim. A janë qytetarët e BE gati për këtë? Këtu kam dyshime. Por Evropa duhet ta provojë një gjë të tillë. Nëse Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin marrë vendim për një president, por për një komision ndërshtetëror, SHBA-ja do të kishte marrë fund prej kohësh. Pra, të dashur qytetare e qytetarë të BE – nuk kemi nevojë për ilaçe. Europa nuk është e sëmurë. Ajo që kemi nevojë është ajri i pastër. E para së gjithash duhet t’i japim vetes të ardhmen. BE-ja është një sukses i jashtëzakonshëm historik dhe perspektiva e vetme pozitive për qindra miliona njerëz. Ai vetëm se është parakaluar nga vetja, dhe duhet të veprojë tani – jo me hezitim, me vendosmëri.

*Autori është sociolog i famshëm bullgar

DW | Redaktuar nga Periskopi

Shpërndaje në: