Simptomat e një shoqërie të varfër

Simptomat e një shoqërie të varfër

Kosova dje festoi 10-vjetorin e pavarësisë së saj. Megjithëse pavarësimi i saj shënon ngjarjen më të madhe në historinë e kosovarëve, shteti që po hynë në fazën e “adoleshencës” përballet me një varg pikëpyetjesh dhe problemesh, zgjidhja e të cilave është vendimtare për të ardhmen e tij. Ndër problemet kryesore të Kosovës është varfëria kulturore, një mungesë ngjarjesh të rëndësishme në fushën shkencore, artistike, letrare, sportive. Kjo latergji buron pjesërisht nga korruptimi i medias, kapja e shtetit nga njerëz të padijshëm, mungesa e kulturës së leximit ndër shqiptarët e Kosovës dhe pjesërisht nga vogëlsia territoriale. Kufijtë e shtetit janë edhe kufijtë e mendjes. Sado të forta të jenë lidhjet kulturore me popullsinë e një shteti tjetër, njerëzit priren t’i përjetojnë ngjarjet që ndodhin jashtë kufijve shtetërorë si të jashtme. Interesimi i medias, analistëve etj., për t’u dhënë “ngjarjeve të jashtme” një vend qendror është i vogël. Prandaj, bashkimi me Shqipërinë do të ndikonte në zbutjen e varfërisë kulturore.

Sipas antropologut amerikan Oscar Lewis, kulturat e varfra që lindin si të tilla janë të predispozuara të vdesin si të tilla. Këtë tezë ai e kishte nxjerrë pasi kishte hulumtuar disa kultura në Amerikën veriore gjatë kohës kur bota kishte marrë një pushim paqeje nga gulçimi vdekjeprurës i rrymave ideologjike. Në kohën kur ai kishte filluar mbledhjen e të dhënave në terren, Lewis sheh shenjat e para se përse kulturat e varfra nuk ecin drejt zhvillimit por ngecin pafundësisht në de-evoluim. Mungesa e pjesëmarrjes dhe integrimit efektiv të varfërve në institucionet që udhëhiqen nga të pasurit si dhe besimi se ata i takojnë klasës së mesme por në tërësi ata bëjnë jetë të varfrit, janë disa nga faktorët socialë që ai i kishte vërejtur. Tipare të tjera që përfshijnë ndjenjën e fortë të izolimit, pafuqisë, varësisë dhe inferioritetit janë faktorët psikologjikë që ai i rendit tutje.

Kulturat e ngrysura në shoqëritë shtypëse vetëm sa e intensifikojnë rrugën për të rritur mundësitë e përgjumjes si pasojë e paaftësisë që rrjedh nga frika e zhdukjes si qenie. Në përgjithësi ato orientohen në instinktet dhe nevojat e tyre të mbijetesës, kurse vlerat sociale si altruizmi, patriotizmi, solidariteti janë të huaja për ata, dhe nuk përfaqësojnë idealet e tyre. Aktualisht shoqëritë tribale në botë pothuajse nuk ekzistojnë, shumë prej tyre janë zhdukur si pasojë e egoizmave, dëshirës për mbizotërim, ndryshimeve klimatike dhe luftërave. Sinonim i shoqërive tribale janë edhe kulturat e varfra të sotme që zakonisht i shohim në shtetet në zhvillim, Ato po përpihen dita ditës nga industritë dhe shtetet e fuqishme korporative. Në kohën e stome, ato më tepër i shërbejnë statistikave dhe materialeve hartografike që ta mbajë gjallë diversitetin social edhe për disa vite. Tashmë novacioni teknologjik ka zënë vend në hapësirat ku liria është zgjatim i vlerave universale, për shembull si gjuha angleze, gjermane apo frënge.

Kosova aktualisht po përjeton fazën e problemit identitar si pasojë e varësisë totale që ka ndaj shteteve perëndimore, që do të thotë se ajo e ka të pamundur të krijojë vlera të saj që mund t’i përçonte jashtë territorit. Fenomeni i vrasjes së Oliver Ivanoviqit tregon shumëçka në lidhje me atë çfarë realisht ofron media. Në rastin më të mirë ajo duhet të jetë katalizatori i ngjizjes së moralit dhe edukimit tek opinioni. Në rastin më të keq ajo duhej të shuhej. Në Kosovë ndodh e kundërta, përderisa vrasja e Oliver Ivanoviqit trullosi gjitha mediat kosovare, ato harruan skutat tjera të shoqërisë se çfarë realisht është duke ndodhur. Kurse në rastin më të keq, ato nuk shuhen por kanë filluar të shtohen pafundësisht si pjesë e një gare se cila po kontribuon më shumë në varfërimin e vlerave kulturore. Kjo qasje të jep përshtypje se kjo shoqëri nuk e ka potencën e duhur të prodhojë vlera që njerëzit i kish bërë të jenë më të zellshëm për tokën e tyre.

Bashkimi i mundshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës mund të jetë një zgjidhje për këtë apokalips kulturor mes shqiptarëve. Krejt çka i nevojitet kësaj shoqërie është që të dyja popujt të shembin kufijtë, dhe t’i shtrijnë dorën njëri tjetrin për të qenë më të zëshëm në aspektin ndërkombëtar. Për momentin dy qeveritë janë kundër një bashkimi të mundshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe në këtë rast populli duhet të mandatojë një qeveri që do të ishte mishërim i interesave qytetare. Sa i përket aspektit ndërkombëtar, ende nuk kanë një deklaratë të drejtpërdrejt që përjashton një bashkim mes shqiptarëve. Bashkimi kombëtar do të ishte edhe nyja e zgjidhjeve të shumë problemeve mes shqiptarëve, si për shembull aspekti kulturor do të pasurohej edhe më shumë kur qytetarë të Vlorës do të vinin të studionin në Prishtinë dhe anasjelltas pa pasur nevojë t’i nënshtrohen qindra procedurave për aplikim në universitet. Gjithashtu ideja për pasurimin e gjuhës standarde me dialektin gegë do të ishte një hap tjetër ku shqiptarët do të ndjenin njëri tjetrin më të afërt, kufijtë në koka do të shkriheshin. Qeveria Rama dhe ajo Haradinaj nuk kanë vullnetin për ta bërë realitet një ide të tillë, që shumica e popullit e do. Tash i mbetet popullit të “notojë” këto qeveri me votën e tij.

Shkruan: Agron Kelmendi

Shpërndaje në: