Hija e Biemmi-t

Hija e Biemmi-t

Mes burimeve tradicionale të historiografisë për Skënderbeun, vend të rëndësishëm zë vepra e priftit italian Giammaria Biemmi, me titullin Istoria di Giorgio Castrioto Scander-Begh, e botuar në Brescia të Italisë më 1742 dhe e ribotuar po aty pak vite më vonë (kjo vepër mund të shfletohet e tëra falas në këtë lidhje). Në hyrje të këtij libri, mes sqarimeve për burimet që kish shfrytëzuar, Biemmi pat përmendur një histori të Skënderbeut të shkruar latinisht dhe të botuar në Venedik më 1480 (30 vjet para Barletit), dhe që e pat zbuluar ai vetë. Kjo vepër, e cila Biemmi-t i kish rënë në dorë e dëmtuar dhe pa disa fletë në fillim dhe në fund, dukej se ish hartuar nga një shqiptar nga Tivari të cilit nuk i dilte gjëkundi emri (dhe që më pas do të njihej si “Antivarino” ose “Tivarasi”), në bazë të rrëfimeve të vëllait të vet, oficer i gardës së Skënderbeut. Gjithnjë sipas një informacioni që kish parë Biemmi në atë vepër, libri ishte botuar “nën kujdesin dhe nën shpenzimet e Erhard Radoltit nga Augsburg-u”. Sikurse shumë mund ta dinë, Biemmi thotë se e shfrytëzoi gjerësisht në librin e Tivarasit, por vetë libri i këtij të fundit nuk është gjetur gjëkundi ndonjëherë. Megjithatë, nga veprat historike më të njohura dhe më me ndikim në kulturën shqiptare, “Historia e Skënderbeut” e Nolit, e botuar në Boston në 1921 (dhe që mund të shfletohet falas këtu), mbështetet haptazi dhe gjerësisht te Biemmi; madje Noli shpall se e çmonte më shumë këtë të fundit ndaj Barletit, meqë i ka këmbët në tokë dhe nuk fluturon si i dyti, duke përmendur pastaj edhe që Fallmerayer-i “është i mendjes që Anonimi Tivarás s’qé tjatër veç kardinali Pal Engjëlli, kryepeshkóp i Dúrësit”, meqë edhe ky ishte nga dera e princëve të Tivarit dhe kishte një vëlla oficer pranë Skënderbeut.

Më parë markezi Grimaldi në 1906 dhe më pas, në vitet 1930 të shekullit XX, tre historianë dhe filologë në bashkëpunim mes tyre – F. Baninger, K. Ohly dhe F. Pall – patën dyshuar fort se historia e Biemmi-t mbështetej mbi një vepër të paqenë, në kuptimin që trajtesa historike e Tivarasit nuk kish ekzistuar kurrë. Veçanërisht Ohly, specialist i librave të rrallë (inkunabulave), kish verifikuar që asnjë vepër e tillë nuk figuronte në katalogët e arkivuar të punishtes-shtypshkronjë të Radolt-it në Venedik, ndërsa Pall-i pat vënë re se informacioni i Tivarasit ishte, në fakt, një ndërthurje emrash dhe të dhënash të nxjerra nga burime të ndryshme ose thjesht të trilluara.

Në disertacionin e vet me titull George Castrioti Scanderbeg që mbrojti në Universitetin e Bostonit, në 1947, Noli mbajti qëndrim ndaj këtij zbulimi filologjik, që në thelb ia zhvlerësonte historinë e vitit 1921. Për fat të keq, siç vëren Kristo Frashëri dhe të tjerë (FRASHËRI, f. 14-15; PLASARI, f. 32), ai njihte vetëm një punim të hershëm të Babinger-it dhe jo atë më të rëndësishmin e Ohly-t; dhe argumentet e Babinger-it nuk e patën bindur. Për pasojë, edhe historia “e dytë” e Nolit, e botuar disa herë në shqip, nuk e merr parasysh në mos faktin, të paktën mundësinë që Biemmi të kishte sajuar njoftimin për veprën e Tivarasit dhe të dhënat që thotë se i ka nxjerrë që andej.

Gjithnjë sipas Kristo Frashërit, Aleks Buda – një tjetër skënderbegolog i rëndësishëm i shekullit XX – u bashkua me tezën e Babinger-it, Ohly-t dhe Pall-it, e pranoi që vepra e Biemmi-t mbështetej mbi një burim të sajuar dhe se Tivarasi nuk ekzistonte; dhe kujtoi edhe që Biemmi njihej tashmë si falsifikator, meqë kish falsifikuar edhe dy kronika mesjetare të qytetit të Brescia-s, ndërsa një falsifikim i tretë i ish gjetur pas vdekjes, i papërfunduar. “Njoftimet e Anonimit Tivaras duhen mënjanuar nga burimet e Historisë së Skënderbeut” ka shkruar Aleks Buda, në vitet 1980 (FRASHËRI, f. 16-17).

Vetë Kristo Frashëri, te monografia e tij Skënderbeu, Jeta dhe Vepra, e pranon se në punimet e tij të mëparshme është bazuar shpesh te Biemmi; por se në këtë punim të mëvonshëm gjykon se është e mundshme të trajtohet një histori e Skënderbeut  “duke u mbështetur vetëm në burimet dokumentare bashkëkohore, pa shfrytëzuar dy biografët e diskutueshëm” (d.m.th. Barletin dhe Biemmi-n), përveçse “me përjashtime të rralla dhe për ndonjë hollësi të dorës së dytë” (FRASHËRI, f. 18-20).

Mirëpo mjafton një kontroll i indeksit të emrave të veprës së Frashërit për të verifikuar se Biemmi atje përmendet në 36 faqe të ndryshme dhe jo për t’u distancuar prej tij a për ta përgënjeshtruar. Sipas Schmitt-it, Kristo Frashëri “edhe pse është i vetëdijshëm për këtë falsifikim, prapëseprapë e përdor atë meqë disa elemente thelbësore të tij janë bërë tashmë një traditë e dashur”, çka “pasqyron karakterin e një pjese të madhe të shkencës shqiptare (SCHMITT, f. 481).[1] Schmitt-i citon edhe një vërejtje të Aleks Budës (nëpërmjet Ghetti-t), që sikur të hiqej dorë nga Biemmi, shoqëria shqiptare do të duhej të hiqte dorë nga elemente shumë familjare të historisë së Skënderbeut – e për këtë gjë nuk ekziston gatishmëria deri më sot. Shkruan Schmitt-i:

Fati i falsifikimit biemmian tregon se ç’forcë të çuditshme mund të ushtrojnë rrëfime të caktuara kur ekziston një vullnet politik dhe kulturor për t’i besuar ato. Sado që historianë profesionistë të Ballkanit janë distancuar nga Biemmi, në shtresa të gjera të popullsisë por edhe në kulturën shtetërore të kujtesës (psh. në muzetë e Krujës dhe të Lezhës) fantazitë e priftit të talentuar lombard vazhdojnë të jetojnë si fakte historike. (Schmitt, f. 482)

Aurel Plasari, te “Skënderbeu një histori politike” adopton një qëndrim më të moderuar, duke theksuar se edhe dokumenteve “të rreme” nuk është e thënë se u mungon krejt vlera historike dhe kulturore; dhe jo vetëm ngaqë mund të përmbajnë edhe të vërteta, por edhe ngaqë hedhin dritë mbi motivet e “falsifikatorit” dhe më në fund, për vetë “ndikimin që falsi mund të ketë pasur mbi historiografi”. Plasari thekson edhe se “si të gjitha falset historike të mirëfillta, edhe Historiae Biemmi-t […] nuk mund të lindej nga ‘hiçi’ dhe se prifti breshian ka pasur në duar “burime historike të dorës së parë” dhe ndoshta edhe “akte të humbura” (PLASARI, f. 35). Sipas Plasarit, Biemmi duhet llogaritur “si njëri ndër autorët më të informuar për historinë e Skënderbeut dhe njëherësh njëri nga historianët më të rëndësishëm të tij.” (PLASARI, f. 36). Prandaj Historia e tij ruan vlerat e veta si burim për historinë e Skënderbeut, pavarësisht nga statusi i Tivarasit dhe veprës së tij fantazmë. Shkruan Plasari (PLASARI, f. 37):

Ndërsa Historia e “Antivarinos” mund të jetë një fantomë, teksti i Biemmi-t është një realitet dhe leximi i tij “në shkallë të dytë” mbetet i pashmangshëm.

Ky qëndrim mund të artikulohet edhe më thellë, duke paravenduar se Tivarasi dhe vepra e tij mund të jenë vërtet gënjeshtra (sajime) të Biemmi-t, por kjo nuk e bën vetvetiu të rreme historinë e tij të Skënderbeut. Në çdo rrethanë, vërtetësia e historisë së Biemmi-t duhet verifikuar nëpërmjet krahasimit me informacionin e marrë nga burime të tjera; dhe sajimi i Tivarasit dhe i “veprës” së tij prej Biemmi-t mund të shihen, të paktën hipotetikisht, edhe si një formë reklame që ky i bënte veprës së tij, për ta paraqitur si më autentike se ajo e Barletit, dhe prandaj edhe të denjë për vëmendje.

Për ta kthjelluar më tej supozimin tonë, le të vëmë menjëherë në dukje se cilësimi “falsifikim” për historinë e Biemmi-t nuk është i saktë. Ose më mirë, do të ishte i saktë, vetëm sikur ky historian të ish ulur dhe të kish krijuar një vepër të rreme, për ta paraqitur atë si të Tivarasit; dhe këtë vepër t’ia kish shitur, ta zëmë, ndonjë koleksionisti ose biblioteke të kohës. Përndryshe, nëse do të pranojmë se historinë e Tivarasit nuk e ka parë kush dhe se, në fakt, ajo ekziston vetëm në imagjinatën e Biemmi-t, atëherë falsifikimi nuk është “konsumuar.” Duke e paraqitur këtë vepër imagjinare si burim të historisë së vet, Biemmi gënjen publikun (lexuesin), por vetëm kaq.

Le ta krahasojmë këtë me çfarë ndodhi para disa vjetësh kur një historian, Musa Ahmeti, lajmëroi publikun se kish zbuluar një dorëshkrim shqip më të vjetrin që njihej, të vitit 1210 – nga një Teodor Shkodrani; madje edhe bëri të njohur një paragraf nga teksti i atij dorëshkrimi (më tepër këtu). Dorëshkrimi nuk doli ndonjëherë në dritë dhe as e pa kush dhe as u botuan gjëkundi faksimile të faqeve të tij; aq sa sot kemi të drejtë të gjykojmë se Ahmeti gënjeu publikun, duke i dhënë informacion të rremë. Por edhe këtë herë nuk është se pati ndonjë falsifikim të mirëfilltë; sa kohë që asnjë dorëshkrim nuk iu tregua publikut a specialistëve të fushës.

Përkundrazi, në qoftë se vërtetohet me ndonjë mënyrë dyshimi i shprehur nga ndonjë filolog, se Formula e Pagëzimit, përndryshe e njohur si dokumenti i parë i shqipes së shkruar, në fakt është produkt i një shekulli më pas i shtuar më vonë në një dorëshkrim autentik të shekullit XV, atëherë do të kishim të bënim me një falsifikim; meqë formula, ashtu siç e njohim, ka ekzistencë reale, materiale; mund të shihet me sy.[2]

Tani, për t’u kthyer te Biemmi dhe Tivarasi, debati nëse ky i fundit ka ekzistuar apo jo më duket se ka errësuar një problem tjetër më të mprehtë, të lidhur me të, por gjithsesi që duhet bërë veçan – dhe pikërisht, përgjigjen e pyetjes nëse historia e Biemmi-t thotë apo jo gjëra të paqena. Kjo pyetje kërkon përgjigje të pavarur nga statusi i Tivarasit; sepse mund të ndodhë – teorikisht – që Tivarasi të jetë tërësisht i sajuar nga Biemmi, por historia e këtij pak a shumë e saktë dhe e konfirmueshme me rrugë të treta; sikurse mund të ndodhë – sërish teorikisht – që Tivarasi të ketë ekzistuar vërtet, por vepra e tij të ketë pasur sajime dhe gënjeshtra të cilat i janë përcjellë pastaj Biemmi-t. Sa i përket gjasës së parë, kujtoj që përftesa për ta paraqitur një vepër si të bazuar mbi një tjetër më të hershme, të gjetur ose zbuluar, etj., njihet në letërsinë europiane; kujtoj këtu Don Kishotin, për të cilin Cervantesi pat thënë se kapitujt e parë ishin marrë nga “Arkivi i Mançës” ndërsa pjesa tjetër ish përkthyer nga arabishtja prej autorit maur Cide Hamete Benengeli. Kjo përftesë metafiksionale natyrisht nuk ka vend në historiografi, por në një rast të skajshëm mund të merret edhe si manierizëm e një historiani disi të paskrupullt, që kërkon t’ia ngrejë vlerën veprës së vet, duke shpikur një burim të hershëm.

Prandaj nuk është aq Tivarasi, si burim a personazh, që shqetëson historiografinë; sa rreziku që Biemmi, nëpërmjet Tivarasit ose me pretekstin e këtij, të ketë futur në vepër gjëra të sajuara, të paqena, ose të pakonfirmuara nga asnjë burim i besueshëm. Për krahasim, diçka të ngjashme mendohet të ketë bërë edhe Barleti, sa kohë që fjalimet e shumta me të cilat e ka zbukuruar veprën dhe letrat e riprodhuara nuk kanë zakonisht vlerë dokumentare, por janë fiktive dhe retorike, siç i kërkonte zhanri dhe koha (stili historiografik humanist, me referime të forta ndaj historiografisë klasike greke dhe latine). Gjithsesi, edhe në qofshin të sajuara, letrat dhe fjalimet nuk e rrezikojnë vërtetësinë e një narrative historike ose të një kronologjie, sa kohë që tekstet përkatëse nuk sjellin fakte “të reja” dhe nuk përgënjeshtrojnë faktet e njohura (me fjalë të tjera, sa kohë që letrat e sajuara nuk e gënjejnë lexuesin).

Teksti i Biemmi-t është akuzuar për shpikje, sajime dhe shtrembërime, të cilat pastaj kanë gjetur vend në vepra historianësh për ne të rëndësishëm – si Noli. Kështu, sipas historianit rumun F. Pall që ka shkruar për këtë, të dhënat për Kuvendin e Lezhës (1444), betejën e Torviollit (1444), betejën e Drinit me venedikasit (1447), paqen me sulltan Mehmetin (1451), incidentin në dasmën e Mamicës (1447), tradhtinë e Gjergj Stres Balshës (1456) e plot të tjera duhen konsideruar si fantazira të Biemmi-t (FRASHËRI, f. 14).

Tani, nëse konfirmohet si rrenë e dhëna e Biemmi-t (nëpërmjet Tivárasit) se fill pas fitores së Albulenës Skënderbeu i dërgoi Alfonsit, së bashku me Hamza Kastriotin rob lufte, edhe “12 kuaj, 4 flámure të Turqisë dhe tendën madhështore të Isák Daút Pashës” (NOLI f. 222, shih edhe PLASARI, f. 535), kjo nuk i sjell ndonjë dëm “strukturor” narrativës historike dhe as të kuptuarit të Skënderbeut prej nesh. Por jo të gjitha sajimet e breshianit janë kaq të pafajshme.

Nuk më rezulton që të jetë bërë ndonjë shoshitje sistematike e ndikimit të Biemmi-t, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, në historiografinë pasuese për Skënderbeun, dhe aq më pak në kulturën dhe mitologjinë skënderbejane, si pjesë e narrativës kombëtariste dhe ideologjisë përkatëse. Kjo shoshitje më parë do të identifikonte ato gjëra që gjenden te Biemmi, por që nuk konfirmohen gjëkundi tjetër; dhe pastaj do të vlerësonte peshën e tyre në narrativën historike të Skënderbeut. Më poshtë do të përpiqem të jap ndonjë shembull që hedh dritë mbi problemin.

Le të marrim Tanush Topinë, i njohur si një nga bashkëluftëtarët kryesorë të Skënderbeut, kryesisht për meritë të Nolit. Kur flet për rrethimin e Krujës në vitin 1466, Noli shkruan, për Skënderbeun, se ky “[n]ë Krujë la një garnizón prej 4,400 ushtarësh gegë, toskë dhe venecianë nënë kryekumandën e Tanúsh Thopisë, i cili ishte gjenerali i tij m’i zoti, që i kish mbetur, dhe të cilit i kishte besim të plotë.” Pastaj ulet të citojë, në një fusnotë, paragrafin përkatës nga Biemmi: “In Croja pose di guarnigione quattro mila e quattro cento soldati; e ne diede il governo a Tanusio Topia, ch’era il piú accreditato Uffiziale delle sue truppe ed in cui maggiormente confidava.” Mirëpo kjo bie ndesh me çfarë thotë Barleti dhe pikërisht që “kumandën e Krujës e kish një Venecián, i qúajtur Balthasar Perducci.” Vazhdon Noli: “Këtó dëshmime munt të pajtohen lehtë: Kryekumandár ish Tanúsh Thopía; Baltasár Perduçi ish kumandár i artileristëve venecianë, nga zotësia e të cilit varrej mprojtja e Krujës.” Edhe Kristo Frashëri e vendos Tanush Thopinë në komandë të mbrojtësve të garnizonit të Krujës në 1466 (FRASHËRI, f. 462). Schmitt-i, nga ana e vet, Tanush Topinë as që e zë në gojë, në kontekstin e rrethimit të dytë të Krujës; por shënon se “Kështjellën e tij, Krujën, ai [Skënderbeu] ia dorëzoi venedikasit Baltassare Perduzzi” (SCHMITT, f. 372). Edhe Plasari nuk e merr fare në konsideratë këtë informacion të Biemmi-t.

Përkundrazi, gjasat janë që Skënderbeu t’ua kish dorëzuar Krujën venedikasve, që para rrethimit të dytë të kështjellës. Plasari vëren se “nga dy burime të ndryshme venedike rezulton që, në rrethanat e krijuara, Skënderbeu t’ia kishte lënë në mos Krujën, së paku mbrojtjen e saj, Sinjorisë.” Ai citon venedikasin Domenico Malipiero i cili shkruan se “këtë vit vendi dhe nënshtetasit e Skënderbeut u keqtrajtuan aq shumë nga turqit, sa Skënderbeu vetë e humbi shpresën, sidomos duke parë arbërit t’i largohen, edhe ua dorëzoi Krujën, kështjellë me rëndësi të madhe për Arbërinë, administratorëve të Republikës.” Plasari citon pastaj edhe Fallmerayer-in, i cili shkruan se “Dorëzimi ushtarak i Krujës Venedikut është fakt që askush nuk e vë në dyshim” dhe më në fund Barletin, nga Rrethimi i Shkodrës: “Dhe kur u plak [Skënderbeu A.V.], nga frika se mos binte edhe një herë ai qytet [Kruja] nën zgjedhën e turqve, ia dorëzoi vullnetarisht dogjës së Venedikut.” (PLASARI, f. 668-669). Praktikisht, që prej verës së vitit 1466, Skënderbeu nuk do të shkelte më në kryeqytetin e vet. (PLASARI, po aty).

Këtu merr domethënie të re edhe një incident që e rrëfejnë edhe Schmitt-i, edhe Plasari, në bazë të një relacioni të milanezit De Collis nga Venediku, të datës 27 korrik 1467: Kur në verën e vitit 1467 zbarkoi në Arbëri një njësi napolitane prej 200 vetësh “Skënderbeu u vu në krye të tyre […] Mirëpo komandanti venedikas i Krujës nuk ia hapi portat.” (SCHMITT, f. 406, PLASARI f. 733). Po të kish qenë në krye të punëve Tanush Topia, kjo doemos nuk do të kish ndodhur. Natyrisht, refuzimi i venedikasve të Krujës për ta lënë Skënderbeun të hynte në qytet nuk kish aq lidhje me atë vetë, sa me kontingjentin napolitan, meqë Serenissima kish fërkime dhe mosmarrëveshje me Napolin aso kohe, madje ish hapur fjala, në Venedik, se Ferrante-ja i Napolit paskej lidhur një aleancë me Mehmetin II dhe Skënderbeu, i ngarkuar nga mbreti, donte t’ua dorëzonte Krujën osmanëve. Aq të acaruara ishin marrëdhëniet midis dy aleatëve italianë të Skënderbeut, sa “komandanti venedikas i Krujës, Baldassare Pedruzzi, dha urdhër që mercenarët napolitanë pjesërisht të vriteshin, pjesërisht të dëboheshin.” (SCHMITT, f. 407)

Sa më lart, ilustron një të vërtetë problematike, e cila ka mbetur deri më sot jashtë – nuk po them është lënë qëllimisht – narrativës historike zyrtare për Skënderbeun; në një kohë që në tekstet e historisë së shkollave flitet akoma për Tanush Topinë dhe jepet si ilustrim portreti i tij i mirënjohur. Po a duhet përfshirë në tekstet e historisë gjasa, përndryshe mjaft e madhe, që Skënderbeu t’ua kish dorëzuar Krujën venedikasve që dy vjet para se të vdiste? Dhe që, për pasojë të këtij dorëzimi, venedikasit do të arrinin deri atje sa Skënderbeut të mos ia hapnin portat e kështjellës; me një fjalë, ta linin jashtë në shi si të ishte ndonjë endacak çfarëdo?

Përgjigjja kësaj pyetjeje lidhet jo vetëm me jetëgjatësinë dhe mbijetesën e “rrenës” historike, por edhe me mënyrën si duhet trajtuar sot, në kontekstin e të dhënave të reja dokumentare, trashëgimia historiografike e Biemmi-t, e cila është integruar mirë në narrativën historike zyrtare dhe mbrohet me mjete dhe motive ideologjike. E megjithatë, a nuk do të ishte ky vit jubilar i 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, momenti më i mirë për të organizuar një simpozium a konferencë ku të debatohej sa gjurma – ende e thellë – e veprës së Biemmi-t në historiografinë moderne shqiptare, aq edhe mënyra si do të duhej organizuar dhe kryer ai lexim “në shkallë të dytë” i kësaj vepre, sipas kanonit historiografik bashkëkohor?

Shpërndaje në: