Facebook-ut i bëhet vonë vetëm për Facebook-un

Facebook-ut i bëhet vonë vetëm për Facebook-un

Goditja e fortë e Facebook-ut kundër mediave të pavarura erdhi vjeshtën e kaluar në Sllovaki, Kamboxhia, Guatemalë dhe tre vende të tjera.

Gjiganti social hoqi lajmet e këtyre botuesve nga News Feed-i i përdoruesve, duke i fshehur në një burim të ri, të vështirë për t’u gjetur. Botuesit e pavarur raportuan se humbën deri 80 përqind të audiencës gjatë këtij eksperimenti.

Facebook-ut nuk i bëhet vonë. Të paktën, zakonisht kështu duket.

Pavarësisht reagimit të zemëruar në gjashtë vendet që u prekën prej lojës së Facebook-ut me algoritmin, tani kompania po vazhdon me ndryshime të ngjashme në News Feed-in e vet, globalisht. Këto ndryshime me gjasë do të ulin prioritetin e lajmeve nga botues profesionistë, dhe në vend të kësaj do të favorizojnë postimet nga miqtë dhe familja e një përdoruesi. Shumë prej organizatave të medias do të shohin rënie të fortë të trafikut – nëse nuk e paguajnë Facebook-un për t’i përfshirë lajmet e tyre në News Feed-et e përdoruesve.

Në thelb të këtij ndryshimi qëndron përpjekja e Facebook-ut për të mos u parë si një botues lajmesh, por si një platformë neutrale për ndërveprimet mes miqve. I gjendur përballë kritikave të forta për rolin e tij në përhapjen e dezinformimit, dhe ndoshta në ndikimin në zgjedhjet e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, Facebook-u po përpiqet të kufizojë ekspozimin duke kufizuar rolin e vet. Kështu ka ndodhur prej një kohe të gjatë.

Ky riekuilibrim nënkupton gjëra të ndryshme për aktorë të ndryshëm – për botuesit, do të thotë që pothuaj me siguri do të ndëshkohen për faktin që u mbështetën tek një platformë, e cila kurrë nuk ka qenë një partner tërësisht i besueshëm. Facebook-u nuk foli fare me botuesit në Sllovaki, sepse botuesit janë më pak të rëndësishëm se sa palët e tjera në këtë rimishërim të ri të Facebook-ut. Por më në përgjithësi, Facebook-u nuk flet me ty, sepse Facebook-u e di se çfarë do ti.

Facebook-u mbledh informacione mbi ndërveprimet e çdo njeriu me faqen – dhe shumë veprime të tjera online – kështu që Facebooku di shumë gjëra se ku është e orientuar vëmendja jonë. Njerëzit thonë se janë të interesuar për një gamë të gjerë lajmesh nga preferenca të ndryshme politike, por Facebook-u e di që ata në të vërtetë duan artikuj të zemëruar, që konfirmojnë anshmërinë politike.

Botuesit në Sllovaki dhe në SHBA mund të paralajmërojnë për dëm ndaj demokracisë, nëse lexuesit e Facebook-ut marrin më pak lajme, por Facebook-u e di se njerëzit do të jenë shumë të lumtur – shumë të angazhuar – me më shumë postime nga miqtë dhe familjarët.

Për Facebook-un, preferencat tona – të zbuluara nga analizimi i sjelljes sonë – flasin shumë. Fjalët që themi, nga ana tjetër, shpesh herë thjesht injorohen. (Mbajeni parasysh kur t’i përgjigjeni pyetjes së Facebook-ut se cilave media u besoni).

Tristan Harris, një kritik i fortë i internetit të mbështetur tek reklamat, kohët e fundit më ofroi një analogji për të shpjeguar një problem me preferencat e zbuluara. Unë premtoj të shkoj në palestër më shpesh në vitin 2018, por çdo mëngjes kur zgjohem, partnerja më jep një pjatë me petulla dhe më kërkon të rri në shtrat dhe t’i ha. Preferencat e mia të zbuluara tregojnë se jam më shumë i interesuar të ha petulla se sa të ushtrohem. Por është shumë perverse që partneri më jep ato që dëshiroj aq shumë të ha, duke injoruar atë që kam shpallur se aspiroj.

Ndryshimi i ardhshëm i Fejsbukut në News Feed nuk do të eleminojë lajmet e rreme… të paktën kjo nuk ndodhi në Sllovaki. Njerëzit ndajnë lajme senzacionale apo shokuese, ndërkohë që lajmet më të besueshme kanë prirjen të mos bëhen virale. Kur njerëzit zgjedhin të abonohen në burime të besueshme informacioni, ata po kërkojnë të shkojnë në palestër. Me këto ndryshime në News Feed, Facebook-u iu hodhi nga dritarja atletet e stërvitjes dhe iu regjistroi në një shërbim që ua sjell petullat në shtëpi. Përse 2 miliardë njerëz pranojnë një shërbim, i cili u kujton se është projektuar për mirëqenien e tyre, ndërkohë që vazhdimisht injoron preferencat e tyre të shpallura? Shumë njerëz ndihen sikur nuk kanë zgjedhje. Facebook-u është i vetmi rrjet social, për shembull, ku unë takohem përkohësisht me disa prej miqve të mi, sidomos ata të fëmijërisë dhe shkollës së mesme.

Unë nuk dua që Facebook-u të ikë – dua të përmirësohet. Por gjithnjë e më shumë, mendoj se e vetmja mënyrë që Facebook-u të dëgjojë preferencat e shprehura të njerëzve, është nëse njerëzit nisin të ndërtojnë alternativat e tyre. Në këtë moment, Facebook-u zgjedh se cilat lajme do të dalin në krye të News Feed-it tënd, duke optimizuar “angazhimin” dhe “kohën cilësore”. Nuk iu pëlqejnë zgjedhjet e Facebook-ut? Shumë keq. Mund ta bëni Fejsbukun që përkohësisht t’iu japë ushqimin me lajme në mënyrë kronologjike, por kur mbyll dritaren e internetit, do të rikthehesh tek algoritmi paternalist i Facebook-ut.

Këtë vjeshtë, unë dhe kolegët e mi nxorrëm gobo social, një mbledhës lajmesh që mund të përshtatet. Gobo paraqet postime nga miqtë, por edhe iu ofron disa “sliders” që menaxhojnë se çfarë lajmesh shihni dhe çfarë iu fshihen. Doni më shumë lajme serioze, më pak humor? Lëvizni një prej tyre. Doni të dëgjoni më shumë zëra femërore? Përshtasni slider-in e gjinisë, ose klikoni në “hesht të gjithë burrat”. Aktualisht Gobo ka një dyzinë mënyrash për të përshtatur prurjen e lajmeve, dhe më shumë do të vijnë. Gobo është provokim, jo produkt. Ndërkohë që është një mjet i mirë për të lexuar Twiterin, Fejsbuku na lejon vetëm tju tregojmë Facebook Pages (faqet që po u hiqet prioriteti në News Feed) dhe jo postimet nga miqtë, duke e gjymtuar kështu funksionimin e tij si një mbledhës rrjetesh sociale. Qëllimi ynë nuk është t’iu bindim që të lexoni mediat tuaja sociale përmes Gobos (edhe pse jeni të mirëpritur ta bëni!), por të inkurajojmë platforma si Facebook-u që t’u japin lexuesve më shumë kontroll mbi atë që shohin.

Nëse doni që ta përdorni Facebook-un për të ndjekur lajmet, duhet të jeni në gjendje ta bëni, edhe nëse algoritmi i Facebook-ut e di se çfarë e tërheq vëmendjen tuaj. Ka një debat të fortë mbi mënyrën se si Facebook-u duhet t’ua paraqesë lajmet lexuesve. A duhet të filtrojë dhe lërë jashtë lajmet e rreme? Të prioritizojë lajmet me cilësi të lartë? Të fokusohet tek miqtë e familja në vend të politikës? Vendimi i Facebook-ut për t’u ikur lajmeve është një përpjekje për t’iu shmangur këtij debati sfidues. Dhe ndoshta e kishim gabim që e ftuam Facebook-un në këtë debat, që në krye të herës.

Shqiptoi nga The Atlantic, Bota.al | Redaktoi Periskopi

Shpërndaje në: