Kultura e armës në Amerikë

Kultura e armës në Amerikë

Një aspekt interesant i kulturës amerikane, njëkohësisht disi i vështirë për t’u kuptuar nga europianët, është ai i pasionit për armët e zjarrit, ose ajo që quhet shpesh edhe ‘kultura e armës” (gun culture). Ky është një term që përfshin idetë dhe qëndrimet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e personave civilë me armët e zjarrit dhe përdorimin e tyre.

Duhet theksuar këtu se koncepti i armatosjes së qytetarëve për vetëmbrojtje nuk është specifikisht amerikan, sepse ai është trajtuar në mendimin politik perëndimor të paktën qysh nga koha e Machiavelli-t. Filozofë të ndryshëm kanë argumentuar se një shoqëri në të cilën çdo qytetar është ushtar dhe çdo ushtar është qytetar, përbën mënyrën më efektive të mbrojtjes së një regjimi republikan nga prirjet për të rrëshqitur në diktaturë. Megjithatë zhvillimi i kësaj kulture në Shtetet e Bashkuara ishte i ndryshëm nga ai i vendeve të tjera perëndimore, saqë sot mund të thuhet se edhe ky aspekt i shoqërisë amerikane është krejt i veçantë në krahasim me simotrat e saj të Europës Perëndimore, Kanadasë e Australisë. Si e tillë kjo kulturë është njëkohësisht edhe një përbërës kryesor i veçanësisë, apo eksepsionalizmit amerikan.

Kultura në fjalë i gjen rrënjët e saj në kombinimin e disa faktorëve të pranishëm qysh në fillimet e kolonizimit të kontinentit të ri në shekullin XVII, që konsolidohen pastaj në periudhën e revolucionit amerikan e themelimit të Shteteve të Bashkuara në shekullin XVIII, dhe vijojnë më tutje deri në ditët e sotme.

Një faktor i tillë ishte së pari mendësia e kushtëzuar nga ajo që kolonët dhe emigrantët ndodheshin përballë së panjohurës, një hapësire të pamatë e të paeksploruar, të mbushur me gjithfarëlloj rreziqesh ekzistenciale. Në këtë kuptim zhvendosja drejt perëndimit s’ishte veçse një shtyrje e vazhdueshme e kufirit ndërmjet qytetërimit dhe egërsisë, apo “dritës dhe errësirës” siç shprehej në termat e kohës. Kjo “mendësi kufitare” (frontier mentality) do të kishte doemos armën si mjetin parësor të mbijetesës, prej ku edhe përhapja masive e tyre në të gjitha etapat e historisë amerikane. Mendësia e kufirit gjendet e shprehur në mënyrë koncize edhe në shprehjen ende popullore “unë, Zoti dhe pushka ime”.

Një faktor tjetër ishte besimi absolut i amerikanëve tek liria e individit, tek aftësitë personale, tek zgjidhja e problemeve në nivel lokal, që ka sjellë detyrimisht edhe antipatinë e tyre tradicionale ndaj rolit të qeverisë, dmth të shtetit, në rregullimin e punëve të vendit. Përkushtimi ndaj lirisë personale shoqërohet kështu edhe nga pasioni për pushkën, si garantuese e asaj lirie. Duke qenë se në Amerikën koloniale s’kishte ndonjë ushtri të organizuar për mbrojtje nga jashtë, ky funksion u krye nga milicitë lokale, si një formë e hershme e qytetarit ushtar. Roli i madh i milicive lokale u duk qartë gjatë revolucionit amerikan 1776 – 1783: ato ishin njësitë e para që filluan rezistencën e armatosur kundër ushtrisë mbretërore britanike, pavarësisht se barra e luftës kaloi pak nga pak mbi ushtrinë e rregullt të Shteteve të Bashkuara, të njohur si Ushtria Kontinentale.

Por revolucioni amerikan ishte i ndryshëm nga revolucione të tjera të epokës moderne edhe në një drejtim tjetër tek i cili ja vlen të ndalemi pak. Lufta e pavarësisë amerikane, ose revolucioni amerikan, mbetet e vetmja revoltë madhore e dhunshme e epokës moderne që pati një përfundim pak a shumë pozitiv (për krahasim do të mjaftonin këtu shembujt e katastrofave njerëzore të shkaktuara nga revolucioni francez i 1789 (1) dhe ai rus i 1917). Një rrjedhim i drejtpërdrejtë i suksesit të revolucionit amerikan ishte idealizimi i rolit të milicive që përmendëm, dhe rrënjosja e iluzionit se milici të tilla janë të efektshme për t’i rezistuar, apo edhe për të mposhtur, një ushtri të rregullt profesionale. Në të vërtetë kjo nuk ndodhi gjatë revolucionit amerikan, sepse lufta u fitua në fund të fundit nga ushtria e rregullt e George Washington-it dhe aleatët e saj francezë. Aq më të pakta janë gjasat se një fitore e tillë mund të arrihet sot, në rast të një përplasjeje, e theksojmë, aspak të afërmendshme, ndërmjet qytetarëve të armatosur dhe ushtrisë federale amerikane. Por kjo nuk e zvogëlon aspak idealizimin që përmendëm në mendjet e amerikanëve, sidomos atyre në zonat rurale.

Roli i revolucionit në pasionin amerikan për armën del edhe nga krahasimi i Shteteve të Bashkuara me zotërimet e tjera të mëdha britanike, si Kanadaja apo Australia. Edhe te këto të fundit mendësia kufitare ishte gjithashtu e fortë, por në dallim nga Shtetet e Bashkuara, ato u shkëputën nga perandoria në mënyrë paqësore, duke mos njohur kështu një idealizim të tillë të armës e të qytetarit të armatosur.

Pas arritjes së pavarësisë amerikane kjo marrëdhënie speciale me armën u sanksionua edhe në Kushtetutën e vitit 1787 e cila në thelb është minimaliste, dmth i jep qeverisë federale kompetenca të kufizuara, që ajo të mos kthehet në tirani. Ishte pikërisht frika nga kjo e fundit që çoi në përfshirjen në kushtetutë të Amendamentit të Dytë, i cili rregullon të drejtën e shtetasve për të mbajtur armë. Atje thuhet se “një milici e rregulluar mirë është e nevojshme për sigurinë e një shteti të lirë, [prandaj] e drejta e njerëzve për të mbajtur armë nuk mund të shkelet”.

Edhe pas krijimit të Shteteve të Bashkuara shtyrja e kufirit drejt perëndimit vazhdoi, duke e bërë ende më të dukshëm idealizimin e figurës së eksploratorit guximtar me pushkën e ngjeshur. Më vonë shpikja e kinematografisë popullarizoi në përmasa të shumëfishuara figurën e sherifit e të kaubojsit, të cilët ndeshen me Indianët apo me lloj-lloj rreziqesh të tjera, dhe gjithmonë problemet ua zgjidh pushka. Në ngjashmëri me çka thamë më lart për rolin e revoltës së dhunshme fitimtare, as Kanadaja e as Australia nuk njohën prodhim të tillë në masë të filmave të kësaj teme.

Një faktor tjetër që s’mund të lihet pa përmendur janë edhe shpenzimet kolosale të lobingut nga ana e industrisë së armëve, të cilat janë rritur me hapa gjigante, krahas me politizimin e vazhdueshëm të çështjes së rregullimin ligjor të armëmbajtjes. Për fat të keq një politizimi të tillë nuk i ka shpëtuar as organizata më e madhe e përdoruesve të armëve, NRA (National Rifle Association – Shoqata Kombëtare e Pushkatarëve) e cila ekziston prej gati 150 vjetësh. Misioni saj fillestar ishte që nëpërmjet edukimit teorik e praktik të nxiteshin civilët t’i përdornin armët në mënyrë sa më të përgjegjshme dhe efektive. Kështu në raste trazirash milicitë lokale do të mund të mobilizoheshim me shpejtësi dhe të kryenin detyrën e mbrojtjes së rendit e qetësisë së qytetarëve. Në përputhje me këtë mision, organizata shprehej në favor të kontrollit të armëve në mënyrë që këto të fundit të mos binin në duar të pastërvitura, prej ku edhe pjesëmarrja e saj aktive në hartimin e një numri ligjesh federale të kësaj fushe.

Por që prej mesit të viteve 1970 NRA është kthyer praktikisht në një instrument të fuqishëm lobimi nga ana e prodhuesve të armëve, e angazhuar për heqjen e pothuaj çdo kufizimi mbi përdorimin e tyre. Në materialet e saj të shumta dhe në praninë masive në media, ajo thekson me të madhe idenë se armatosja gjer në dhëmbë është rruga më e mirë për t’u mbrojtur nga krimet e mundshme. Në kundërshtim me njërin nga qëllimet e saj fillestare, mbrojtjen e rendit në raste trazirash e rebelimesh, organizata në fjalë i mëshon fort idesë se qeveria përbën kërcënim e rrezik të përhershëm për qytetarët, prandaj ata duhet të jenë të përgatitur në çdo moment t’i rezistojnë e ta luftojnë atë. Rezultati i kësaj retorike, si edhe i pakënaqësisë ndaj rritjes së numrit të imigrantëve me ngjyrë, ishin nivelet e papara të shitjes së armëve pas zgjedhjes së Barak Obamës si president. Kjo ngaqë një masë e konsiderueshme individësh mendonin që një president zezak s’mund të bënte gjë tjetër përveçse të niste një luftë ndërmjet racave.

Forca e NRA dhe grupeve të tjera të ngjashme dëshmohet edhe nga fakti që ato shpenzojnë çdo vit rreth 15-16 herë më tepër se organizatat në anën e kundërt të këtij debati, dmth ato që synojnë rritjen e kontrollit mbi armëmbajtjen. Kemi të bëjmë si të thuash me një cikël vicioz ku prodhuesit e armëve bëjnë presion për heqjen e çdo kufizimi mbi armët, më shumë armë prodhohen e shiten, dhe më shumë viktima lëndohen në masakrat masive, aq të shpeshta në Shtetet e Bashkuara.

Më së fundi, një faktor po aq i rëndësishëm, dhe specifikisht amerikan, është edhe përkrahja e qëndrimeve të NRA nga ana e grupimit të madh politiko-religjioz të njohur si e Djathta Fetare (2). Në të vërtetë disa nga organizatat më aktive të këtij grupimi, si Family Research Council, apo American Family Association, janë shprehur kundër çdo kontrolli mbi armët dhe pozicionet e tyre zor se dallohen nga ato të NRA. Kështu ndjekësit e tyre, të cilët e konsiderojnë veten besimtarë kristianë, përmendin në mënyrë konsistente “mbrojtjen nga kërcënimet e qeverisë” si motivacionin kryesor për të mbajtur armë. Prandaj dyshimi dhe bile armiqësia ndaj autoritetit shtetëror, përkatësisht federal, nuk njohin veçse rritje, dhe kjo doemos që shoqërohet me të çara të thella në bazën morale të shoqërisë amerikane. Shprehje e këtyre tronditjeve ishte edhe fakti që pasuesit e së Djathtës Fetare votuan gati si bllok më 2016 për një kandidat tërësisht jo-konvencional, presidentin e sotëm Donald Trump, që mori 81 për qind të votave të tyre. Dhe mbrojtja e së drejtës për të mbajtur armë ishte ndër arsyet më kryesore për këtë përkrahje masive.

Ky entuziazëm për mjetet vrastare i bie ndesh haptazi moskundërshtimit të së keqes me dhunë, dhe përgjithësisht mënyrës paqësore të zgjidhjes së konflikteve, të predikuar nga Jezu Krishti. Kjo bëhet aq më tepër e dukshme kur një entuziazëm i tillë shprehet nga individë të cilët deklarohen “pro-jetës” dhe janë vendosmërisht kundër abortit duke e barazuar atë me vrasjen. Duket pra se ka këtu një kontradiktë të thellë e cila për fat të keq anashkalohet, e ashtu tregon se në këtë drejtim kultura merr përparësi dhe i mbivendoset besimit.

Si përfundim mund të themi se është pikërisht kombinimi i veçantë i faktorëve të lartpërmendur që ka kushtëzuar këtë kulturë të veçantë amerikane të armës, fort të dallueshme nga ato të vendeve të tjera të zhvilluara të Perëndimit. Ajo mbetet kësisoj një element qendror i kulturës së përgjithshme, pa të cilin s’mund kuptohen drejt as historia e as zhvillimi i kombit dhe shoqërisë amerikane.

Shpërndaje në: