Katastrofat drejtshkrimore të Edi Ramës

Katastrofat drejtshkrimore të Edi Ramës

Qarkulloi javën që shkoi një dokument, i cilësuar si ftesë nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për çeljen e kremtimeve “Tre ditët e Yllit të Mëngjesit” me rastin e “550-vjetorit të kalimit në amëshim të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.”

Edhe pse ftesa tingëllonte si hoax ose të paktën si spoof, nuk kam parë deri më sot asnjë përgënjeshtrim për të; përkundrazi, ma kanë konfirmuar privatisht si të mirëqenë dhe kam lexuar edhe disa shënime gjuhësore për të në shtyp dhe në Internet (nga Ilir Seci), të cilat vënë në dukje shqipen e jashtëzakonshme me të cilën është përpiluar ky dokument pas gjase “zyrtar.”

Dhe meqë bëhet fjalë për një event përurimor të çfarë është shpallur si “Viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, toni i ftesës njëkohësisht paralajmëron e konfirmon edhe frymënme të cilën do të kremtohet viti në fjalë.

I paarritshëm, i papërkufizueshëm dhe i pashfaqshëm sa ishte gjallë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, luftëtari, shtetari dhe arbërori urëlidhës mes dritëhijes mesjetare dhe humanizmit të ndriçuar europian […]

Quhet në këtë dokument Skënderbeu, me tre epitete anaforike, i paarritshëm, i papërkufizueshëm dhe i pashfaqshëm të cilat zakonisht shënjojnë atribute mistike të Hyut, të paktën brenda ligjërimit fetar.

Këtij ligjërimi i përket edhe vazhdimi i tekstit të mësipërm:

u tjetërsua 550 vjet më parë, prej një trupi vdektar, në një imago mundi të përveçëm, në një ikonë gjithëpërfshirëse gjalluese të arteve, mjeshtërive dhe urtësive, në një Yll të shëndrritshëm mëngjesi diktues të drejtimit të duhur të ardhmërisë së Shqiptarëve.

Ku vdekja e Skënderbeut, event natyral, përshkruhet si “tjetërsim prej një trupi vdektar në këtë imago mundi të përveçëm”, dhe njëherazi “ikonë gjithëpërfshirëse gjalluese…” madje “Yll të shëndrritshëm mëngjesi diktues të drejtimit të duhur të ardhmërisë së Shqiptarëve.”

Katastrofat drejtshkrimore të këtij paragrafi (dhe të ftesës në përgjithësi) i kanë vënë në dukje; ato marrin rëndësi edhe në kontekstin diskursiv ku shfaqen – meqë janë të barasvlershme me njolla Maalox-i ose salce Alfredo mbi “kostumin e errët, veshjet kombëtare ose tailleur-in për Zonjat”, që porosit ftesa për pjesëmarrësit. Këtu madje përfshihet edhe përdorimi i lirshëm, madje i shkujdesur, i shkronjës së madhe, si të ishte kjo një lloj papijoni, shamie te xhepi i xhaketës, pochette – për t’ia shtuar eventit dhe ftesës vetë elegancën dhe sharmin.

Por edhe më hutesë te lexuesi përndjell artikulimi mistik i frazës, ku një imago mundi, e huazuar drejt e nga esetë e Moikom Zeqos dhe i shndërruar në “ikonë gjalluese”, heq dorë nga pashfaqshmëria dhe merr trajtat e Yllit të Mëngjesit (të cilësuar madje si “i shndritshëm” – por kujt do t’i japim vallë llogari për pleonazmat?), i cili tregon “drejtimin e duhur të ardhmërisë së shqiptarëve”, pa çka se Ylli i Mëngjesit, ose Afërdita (Venusi), paralajmëron lindjen e diellit dhe, sikurse e di çdokush që e ka përdorur ndonjëherë për të gjetur drejtimin e duhur, shfaqet në Lindje, jo në Perëndim.

Sikurse ngjall kuriozitet këmbëngulja, e tekst-hartuesit, për ta shmangur vetë konceptin e vdekjes, pa çka se pikërisht po kremtohet datëvdekja e Skënderbeut, dhe për ta zëvendësuar herë me “tjetërsimin në imago mundi” dhe herë tjetër me “kalimin në am(ë)shim”, çfarë më tingëllon si ligjërim bizar, kur vjen nga goja e kryeministrit të një shteti laik, i cili vihet ta ngrejë diskursin e vet mbi themele jo thjesht fetare, por edhe mistike të krishtera.

Më tej akoma, këto cilësi që i mvishen Skënderbeut, i paarritshëm, i papërkufizueshëm dhe i pashfaqshëm, janë karakteristikë e diskursit sakral të krishterë (por jo vetëm), që përdoret për të përshkruar Zotin dhe ku mohimi (me anë të parashtesës pa-) shërben si shteg drejt afirmimit të së kundërtës: i paarritshëm është ai që gjendet gjithnjë me ne, i papërkufizueshëm ai që na rrethon, i pashfaqshëm ai që u shfaqet të gjithëve.[1]

Të njëjtin princip artikulimi e ndesh në diskursin gnostik dhe masonik; kureshtarët mund të shfletojnë këtë burim.

Si në një rast, ashtu edhe në një tjetrin, ftesa e kryeministrit për një event ceremonial rreth Gjergj Kastriotit përdor një diskurs jo vetëm religjioz, por edhe mistik; dhe e bën këtë të paktën me pretendimin për të krijuar një atmosferë solemne, prej stili të lartë (lofty) me pretendime sublime. Për fat të keq, kushdo që e ka hartuar tekstin, nuk ka gjetur dot rrugë tjetër për ta arritur efektin e dëshiruar, përveçse duke iu kthyer këtij stili diskursiv, i cili – dashur pa dashur – bën që kremtimi i përvjetorit të vdekjes së Skënderbeut dhe vetë viti jubilar i Skënderbeut të marrin ngjyrat e një eventi religjioz; dhe ku religjioni nuk mund veçse të jetë kombëtarizmi, me Skënderbeun në qendër si Messiah.

Por a do të ishte kjo mënyra “e duhur” për të folur sot për Skënderbeun; dhe sidomos, për t’i folur kështu një publiku gjysmë të analfabetizuar, si ky i tanishmi; që nuk i ka më mjetet për të komunikuar me realitetin? Sepse, sikur të mos mjaftonte kitsch-i retorik dhe ekzaltimi prej hartimi gjimnazi, kjo shkarje drejt patetikes, kjo dëshirë për t’i ftuar ndjekësit e tu të bien në gjunjë si besimtarët në kishë, shënjon – të paktën për mua – edhe orvatjen për ta nxjerrë përkujtimin e një përvjetori historik nga konteksti i racionales dhe për ta mbajtur me zor në kontekstin artificial të pompozitetit; a thua se një 550-vjetor vdekjeje, i kremtuar me të madhe por gati arbitrarisht, do të meritonte më shumë lavdi se personazhi historik vdekja e të cilit po përkujtohet!

Për t’u vërejtur, tek teksti i ftesës, edhe këmbëngulja diskursive te “drita”, nëpërmjet fjalëve si dritëhije, i ndriçuar, i shndritshëm dhe Ylli i Mëngjesit[2], e cila e shpie lexuesin e iniciuar te një këndvështrim gnosticist i njeriut, në mos i heroit Skënderbe. Dija ime tejet e kufizuar në këtë lëmë nuk më lejon të shtyhem më tutje. Megjithatë, sa i përket simbolikës mistike të Yllit të Mëngjesit, po mjaftohem të vërej se në Bibël vetë Jesui e quan veten “Yll të shndritshëm të mëngjesit” (Zbulesa 22:16)[3]; sikurse edhe Luciferit – vëreni këtu sërish lidhjen me dritën – i drejtohen me fjalët “yll i mëngjesit, bir i agimit.” Të njëjtit grup i përket edhe Prometeu (si ai që u solli njerëzve zjarrin). Madje Lucifer në disa gjuhë është një nga emrat e planetit Venus, kur ky shfaqet në qiell si Ylli i Mëngjesit.[4]

Por le të mos e ngatërrojmë interpretimin që mund t’i bëhet ftesës – dhe që ia kam bërë unë më lart – me synimet e kujt e ka hartuar dhe të institucionit që e ka bërë publike. Atje ku të tjerët mund të nguten dhe të flasin për synime, unë do të mjaftohem të flas vetëm për efekte; sepse teksti është ai që është, konotacionet dhe referencat intertekstuale janë ato që janë, dhe një kategori përdoruesish do t’i bëjë inferencat dashur pa dashur. Çështja që mbetet për t’u sqaruar – por jo këtu – është sa i vetëdijshëm është institucioni hartues dhe lëshues i këtij dokumenti për këto efekte, të cilat nuk më duken të përshtatshme për një ritual të religjionit civil, siç është ky i vitit jubilar të Skënderbeut.

[1] Madje “kjo mënyrë për ta përkufizuar Zotin nëpërmjet mohimit tregon se superioriteti i Zotit në aspekte të ndryshme është i tillë që t’i kundërvihet normalitetit të zotërimit të tyre; ose, i tillë që të marrë pamjen e mungesës.” (Pseudo-Dionysius, I nomi divini, Edizioni Studio Domenicano, 2010). Shih edhe këtu.

[2] Semantika interpretative këtu do të fliste për izotopi të dritës.

[3] ‘Unë, Jezui, dërgova engjëllin tim që t’ju jepja dëshmi lidhur me këto gjëra për kongregacionet. Unë jam rrënja dhe pasardhës i Davidit, si dhe ylli i shndritshëm i mëngjesit.’

[4] Lucifer vjen nga latinishtja, dhe ka kuptimin “dritë-sjellës”; çfarë mendohet të jetë përkthim i greqishtes Phosphoros, e cila përkthen hebraishten Helel ben Shahar, me gjasë si pasojë e një gabimi filologjik. Gjithsesi, sot emri i Luciferit si “dritë-sjellës” ose “Ylli i Mëngjesit” besohet se i referohet shkëlqimit të tij të dikurshëm si më i madhi i ëngjëjve.

Marrë nga Peizazhe.com

Shpërndaje në: