Skënderbeu person(azh)

Skënderbeu person(azh)

Ka debat dhe do të ketë sërish për motivet që e shtynë Skënderbeun të mbajë ndezur, për 25 vjet, luftën kundër fuqisë më të madhe të kohës, Perandorisë Osmane: ethet fetare (kryqtaria), patriotizmi (ose dëshira për të mbrojtur çfarë ai e quante “të vetën”: atdheun, pronat e tij, njerëzit e tij), ambicia (ose pasioni për të ngadhënjyer ushtarakisht); ose një kombinim i tyre. Këto debate zakonisht sundohen nga interesi imediat i debatuesve, në kohën kur bëhet debati; pa çka se edhe ideologëve dhe fanatikëve u duhen argumentet historike.

Që këtej, edhe nevoja për ta njohur më nga afër Skënderbeun njeri; sepse vetëm ashtu mund të pyesim seriozisht se çfarë e motivonte. Burimet që na hyjnë në punë, për ta arritur këtë, kufizohen me pak histori e kronika të kohës (Barleti, Dhimitër Frangu, Gjon Muzaka) dhe me letërkëmbimet mes kancelarive. Dhe meqë Skënderbeu nuk ka lënë pas ndonjë gjë të shkruar mirëfilli të vetën, atëherë do të na duhet të pyesim, herët a vonë, mos këto burime funksionojnë si qelq i ngjyrosur, ose na bëjnë që ta shohim dhe ta kuptojmë Skënderbeun me sytë e autorëve të teksteve.

Dhe këtu menjëherë na bie në sy që penën, e cila ka shkruar atëbotë për Skënderbeun, shpesh e ka lëvizur mbi kartë një prift katolik – sepse të tillë kanë qenë Barleti dhe Frangu, por të tillë kanë qenë edhe sekretarët dhe kancelarët e Skënderbeut, si Gjergj Pelini e Pal Engjëlli; të tillë kanë qenë edhe sekretarët e kancelarët e pushtetarëve me të cilët ka komunikuar Skënderbeu; të tillë ka qenë edhe një pjesë e mirë e atyre të mëdhenjve që kanë shkruar vetë për Skënderbeun, si Papët.

Mund të pyesim, pra, nëse këta priftërinj katolikë, që kishin një vizion specifik për njeriun dhe historinë të formësuar nga botëkuptimi i tyre, mund ta kenë përshkruar dhe analizuar njeriun Skënderbe dhe t’i kenë vënë këtij në gojë një lloj diskursi karakteristik për vizionin e tyre; duke e paraqitur atë ashtu siç e kuptonin ata dhe ndonjëherë edhe ashtu siç e dëshironin ata të ishte ose siç gjykonin ata se duhej të ishte (të dukej para botës). Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjemi deri-diku duke krahasuar kronikat dhe dëshmitë e tyre, përfshi këtu edhe letrat që shkruanin në emër të Skënderbeut, me dokumente të ngjashme që kanë lënë autorë jo priftërinj – si Gjon Muzaka ose ambasadorët e Venedikut.

Por vetëm deri diku. Në shekullin XV dhe veçanërisht në mjedisin katolik ku ka lënë gjurmë të shkruara Skënderbeu, diskursit të shkruar politik dhe historik ia jepnin gjithnjë tonin klerikët; duke i lëvizur personazhet e tyre në një skakierë që i përgjigjej botëkuptimit katolik të kohës, të pasuruar me retorikën dhe modelet e klasicizmit: kësisoj, Skënderbeu hero dhe personazh i Barletit u detyrohet mjaft Plutarkut dhe të Tit Livit, por profili i tij moral i shembëllen edhe atij të një Atleti të Krishtit. Fjalimet që ai mban, letrat që u shkruan miqve dhe armiqve dhe të gjitha ato manifestime të tjera diskursive që na japin ne sot iluzionin se mund të kuptojmë diçka për “motivet” e tij, u binden në fakt modeleve dhe stereotipive retorike të diskursit përkatës.

Kjo nevojë për të faktorizuar në argument profilin, vizionin dhe interesat e autorëve të këtyre teksteve, ose të filtrave përmes të cilave e ka parë bota Skënderbeun që nga ajo kohë e tutje, nuk është se i hedh poshtë ose i përgënjeshtron ato që dimë ose që supozojmë për motivet e tij, por vetëm sa do të na ndihmonte për t’i kuptuar më mirë. Sepse edhe vetë fakti – këtë herë historik jo diskursiv – që Skënderbeu ishte i rrethuar nga klerikë katolikë, që i jepnin zë dhe tekst vullnetit të tij, nuk është as rastësi, as pasojë e ndonjë komploti; por u detyrohet rrethanave historike të kohës dhe një përkimi interesash të arsyetuara mirë.

Sikurse e kanë vënë në dukje historianët (Schmitt), nga të gjithë ata që bashkëpunuan me Skënderbeun – përfshi këtu njerëzit e familjes, krerë të tjerë feudalë shqiptarë dhe jo-shqiptarë, aleatë të përtejdetit si Alfonsi dhe Venediku – Kisha Katolike dhe klerikët e saj ishin të vetmit që i qëndruan Skënderbeut besnik deri në fund dhe me vendosmëri; dhe Skënderbeu u besonte atyre gjithçka, deri edhe detyrat diplomatike më delikate. Kjo ndoshta vinte ngaqë ai ishte besimtar i devotshëm, por mund të vinte edhe ngaqë ai kish gjetur një përkim strategjik interesash midis motiveve të tij dhe atyre të Selisë së Shenjtë; dhe e gjykonte Kishën Katolike si kujdestare shpirtërore dhe etike të ndërmarrjes së tij luftarake.

Dhe këtu mund të spekulojmë, duke paravenduar një hapësirë ose zhvendosje (décalage) midis Skënderbeut të përfytyruar nga diskursi religjioz dhe klerikët që shkruan për të, dhe Skënderbeut komandant ushtarak dhe luftëtar shqiptar (ballkanik); e cila do të jetë e njëjtë me diferencën mes Skënderbeut si figurë retorike (gramatikore) të narrativës historiografike të kohës dhe Skënderbeut “real” (algjebrik, për kushtet tona). I pari i detyrohet shumë agjencisë së klerit katolik, që formulonte dhe mirëmbante atë diskurs; agjencia e të dytit është më komplekse dhe, për shkak të rrethanave dokumentare, e tillë që na detyron t’i afrohemi vetëm tërthorazi.

Shpërndaje në: