Dhuna e serbëve ndaj shqiptarëve dhe roli i Ivanoviqit në të
Ky është një artikull që mban datën e 10 shkurtit të vitit 2000. Po e publikojmë me rastin e polemikave që shkaktoi në shoqërinë tonë, vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviq.
Artikulli i plotë:
Oficerët policorë të Kombeve të Bashkuara e kanë ndaluar një njeri sot derisa përpiqej t’i çante gomat e veturave të tyre dhe i cili e kishte sulmuar një polic duke ia lënduar syrin, tha zëdhënësi i paqeruajtësve. Ishte një incident i vogël krahasuar me dhunën e javës së shkuar, por që reflektonte tensionin e vazhdueshëm dhe tërbimin e serbëve që jetojnë në pjesën veriore të qytetit.
Pesë ditë pas dhunës më të keqe që kishin parë trupat në tetë muaj paqeruajtje, shumë serbë ende vazhdojnë t’i mallkojnë e t’i kërcënojnë të huajt që i ndeshin në rrugë.
Një numër serbësh në Mitrovicë, përfshirë më shumë se dhjetëra të intervistuar në rrugë gjatë ditëve të fundit, nuk duket se i kanë ndryshuar qëndrimet e tyre që nga koha e luftës kundër NATO-s dhe mbërritjes së forcave paqeruajtëse të Nato-s në Kosovë. Një përqindje e madhe e tyre për gjithçka të keqe që ndodhi në atë kohë i fajësojnë shqiptarët.
Më shumë se 10 mijë njerëz jetojnë në pjesën veriore të këtij qyteti të ndarë, dhe gati një e treta e tyre janë refugjatë nga pjesët e tjera të Kosovës. Ata kanë gatishmërinë që t’i marrin gjërat në duart e tyre dhe të bëjnë njëfarë organizimi që nuk vërehet mes serbëve që jetojnë të izoluar në enklava rreth Kosovës ku është shumë më e mundshme që të sulmohen.
Serbët e Mitrovicës e shohin vetveten si mbrojtës të pikës së vetme të kontrollit të shtetit serb në Kosovë kundër shumicës shqiptare. Gjithë pjesa e sipërme në veri është krejtësisht e pastër etnikisht me serbë, si në pjesën tjetër të Sërbisë. Kjo iu ofron atyre një lidhje të drejtpërdrejtë e të sigurtë tokësore me shtetin serb. Me një popullsi prej 50 mijë serbëve, kjo zonë përbën gjysmën e gjithë pjesës së mbetur të këtij komuniteti në Kosovë.
Të gjithë prej atyre dhjetërave që u intervistuan thanë që turma serbe që po bënte shkatërrime në Mitrovicë të enjten mbrëma, dhe që po intimidonte shqiptarë duke i lënë edhe tetë të vdekur, po e bënte atë gjë si reagim ndaj sulmit me granatë në një kafene të frekuentuar nga serbët në të cilën u lënduan pesëmbëdhjetë të rinj.
“Në atë moment njerëzit kujtuan gjithçka,” tha Oliver Ivanoviq, presidenti i Këshillit Kombëtar Serb dhe një lider i njohur i këtij komuniteti. “20 serbët e vrarë në zonë në këto shtatë muaj; 28 të tjerë të kidnapuar ose të zhdukur – çdokush ka arsye për të qenë i zemëruar. Ishte shumë e zorshme që t’i kontrollonim ata.” Edhe z.Ivanoviq ishte në rrugë atë mbrëmje.
Një mësues historie i quajtur Dragoljub Radenkoviq, i cili e ka braktisur shtëpinë në Vushtrri, një qytet rreth gjashtë milje në juglindje të Mitrovicës që tashmë popullohet vetëm nga shqiptarët, thotë që njerëzit janë revoltuar. “Për tetë muaj gazetarët kanë shkruar vetëm për vrasje të serbëve,” tha ai. “Në tetë muaj ju kurrë nuk e keni parë ndonjë serb që e vret ndonjë shqiptar. Kishte shumë zemërim brenda njerëzve dhe në një moment ai shpërtheu.”
Mes atyre serbëve, z.Ivanoviq është një biznesmen i sofistikuar anglishtfolës, që është bërë lidhja kryesore me paqeruajtësit ndërkombëtarë dhe administratorët në rajon, dhe i cili ishte i vetmi që i pranonte krimet e fundit të njerëzve të tij.
“Shumë gjëra të këqija kanë ndodhur,” tha ai. “Nuk mund ta mbështes një gjë të tillë, por iu kërkoj juve që ta kuptoni. Edhe unë ndihesha shumë i zemëruar atë natë poashtu.” Serbë të tjerë, përfshirë zëvendësin e tij, Vuko Antonijeviq, i duartrokitën veprimet e turmës në atë mbrëmje.
“Iu falenderoj juve për atë që bëtë,” iu tha z.Antonijeviq një mase njerëzish prej 2 mijë vetëve të hënën. “Treguat se sa shumë e doni qytetin tuaj dhe se mund ta mbroni kundër terrorizmit islamik. Treguat në mënyrën më të mirë se cila është përgjigjja serbe për sulmet ndaj rinisë tonë nëpër kafene.”
Një tjetër folës, Milan Ivanoviq, mjek në spitalin e Mitrovicës, ishte kundër trupave paqeruajtëse të Natos dhe zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara që i lejuan shqiptarët t’i persekutonin serbët e mbetur në Kosovë. “Ata po vrasin serbë. Po i vendosin ata në kampe përqendrimi në Kosovë dhe në Shqipëri, dhe po e bëjnë një gjë të tillë para syve të misionit të Kombeve të Bashkuara,” tha ai.
Serbë tjerë të rëndomtë po i përsërisnin këto akuza në rrugë, duke mbrojtur dëbimin e shqiptarëve nga ajo pjesë. “Ata n’a e bënë të njëjtën gjë neve,” tha Smiljana Miloseviq, dyqani i së cilës është ngjitur me kafenenë Le Bel Ami, ku u gjuajt ajo granatë. Ajo tha që shqiptarët të cilët ende jetojnë në pjesën veriore, tash nën mbrojtje me masa të shtuara nga trupat paqeruajtëse, duhet të largohen, “sepse nuk kanë mbetur serbë në pjesën jugore të qytetit.”
Por të pyetur se si do të mund të ndalej dhuna, shumica e serbëve nuk kishin përgjigjje. Disa thanë që ora policore që po zbatohej së fundi ishte gjë e mirë dhe e kishte përmirësuar sigurinë e tyre. Të tjerë thanë që ora policore i kishte lënë edhe më të lëndueshëm dhe më të paaftë që të mbronin vetveten.
Një pjesë e madhe mendon që serbët nuk mund të mbështeten te paqeruajtësit dhe te oficerët policorë të Kombeve të Bashkuara për sigurinë e tyre, dhe kësisoj iu duhet të mbrohen vetë. “Ne veç po e mbrojmë vetveten, me duart tona,” tha dyqanxhiu, z.Miloseviq.
Serbët e kanë një mbrojtje mirë të organizuar që është lojale ndaj z.Ivanoviq. Është e përbërë kryesisht nga të rinj të fortë që mbajnë ‘walkie-talkie’ [radiolidhje] dhe që ruajnë urën, duke e inspektuar secilin shqiptar që kalon nga jugu për në veri. Nëse këta të rinj kishin rol në dhunën që u ushtrua atë mbrëmje, nuk dihet.
Z.Ivanoviq tha që organizata e tij është kundër dëbimit të të gjithë shqiptarëve nga veriu i qytetit në mënyrë që ta bënin qytetin njëetnik, pra vetëm serb, sepse kjo do të nënkuptonte më shumë sulme mbi ta nga shqiptarët. Ai është poashtu kundër ndarjes së pjesëve me shumicë sërbe nga pjesa tjetër e Kosovës.
Përktheu e përshtati nga The New York Times, Periskopi.