Aktakuza e Speciales ndaj Skënderbeut sipas këshilltarit të Kadri Veselit

Aktakuza e Speciales ndaj Skënderbeut sipas këshilltarit të Kadri Veselit

Meqë më pëlqen minimalizmi krejt natyrshëm irritohem nga ekstravaganca. Edhe si fëmijë, kur shihja emisione të ndryshme që bëheshin në studio ekstravagante, me orendi të panevojshme, ndjeja dhimbje e irritim. Nuk e di pse. Shumë gjëra e lodhnin syrin dhe mendjen. Dhe e prishnin kuptimin.

Në një televizion kosovar të njohur për ekstravagancën e studiove, ishte ftuar Blerim Latifi, profesori im i filozofisë dhe këshilltari i kryetarit të Kuvendit. Sa herë që e shoh ndihem disi i poshtëruar. Ai ishte vendosur si autoriteti im, ndërsa e kishte pranuar si autoritet Kadri Veselin. Nejse, e mira është që mungonte thuaj gjithnjë. Intervista po zhvillohej në një studio televizive ku ndodhej njëfarë platforme e lartë në të cilën duhej të ngjiteshe përmes shkallëve i shoqëruar nga drejtuesi i emisionit. Kjo lloj platforme ishte aq e lartë sa nuk asociohej me asgjë. Me asnjëfarë podiumi apo kuptimi. Mbase kjo e reflekton thjesht shijen e drejtuesit të emisionit, ose prirjen e tij për t’i vendosur të ftuarit e tij sa më lart.

Një studio tjetër e këtij televizioni asocion qartë me ringjet e boksit. Rrethoja e saj asocion me litarët e këtyre ringjeve. Më dukej absurde. Për ta shuar etjen time për funksionalizim të gjërave para disa muajsh ishte prodhuar një dramë ku debatuesit ishin rrahur. I grushtuari ishte mbajtur në një moment për pjesën që shërbente si rrethojë, duke e funksionalizuar dhe duke i dhënë kuptim asaj. Njëherë e përgjithmonë.

Sidoqoftë, të kthehemi te studioja me podiumin e lartë. Më iku gjysma e intervistës sepse doja të kuptoja pse-në e asaj vendosjeje skenike. Pse Blerim Latifi dhe Baton Haxhiu ndodheshin mbi atë podium? A ishte aq i fortë sa t’i mbante, ngaqë pesha e përbashkët e të dyve duhej të kalonte dyqind-kilogramëshin? Shpresoja që po. Të dyve iu fillon emri me B, dhe kisha përshtypjen që kjo do ta poshtëronte atë shkronjë. Kisha përshtypjen, krejt e pambështetur natyrisht, se njerëzit të cilëve iu fillon emri me B, kanë prirje që ta respektojnë e ta duan njëri-tjetrin. Dhe që, të gjithë në një mënyrë a tjetrën, janë të trashë.

Mësova që po flitej për Skënderbeun meqenëse dje ishte pesëqind-e-pesëdhjetë vjetori i vdekjes së tij. M’u kujtua Skënderbeu në shesh. Edhe ai ndodhej mbi një platformë bashkë me kalin e tij. Platformat janë të zakonshme për statujat që vendosen nëpër sheshe. Kjo bëhet që të shihen më mirë e më larg. Ose, që të mbivendosen trupërisht mbi njerëzit e rëndomtë e të vdekshëm. Por, pse është e nevojshme një platformë aq e lartë kur njerëzit të shohin kudo që vendoset kamera. Dhe veç kësaj, meqë je i gjallë, dhe prapë kthehesh në të njëjtën hapësirë teknike në të njëjtin nivel lartësie me të tjerët. Nuk e di.

Sidoqoftë, po flitej për Skënderbeun. Dhe si dy njerëz që emri iu fillonte me B, ata nuk u përplasën asnjëherë për asnjë gjë. Ky drejtues emisioni kam përshtypjen se mendon që secilit të ftuar i fillon emri me B, meqë të gjithë i respekton e i ledhaton. Pavarësisht pozicioneve të pushtetit ku ndodhen dhe përgjegjësive që kanë për të dhënë. Ai është një mediator, dmth ndërmjetës, pjesëtar i mediave, që i sheh të gjithë njerëzit e palës së pushtetit, si njerëz që iu fillon emri me B. Kjo nuk vlen për qytetarët e thjeshtë, ose për njerëzit e papushtetshëm.

Skënderbeu dhe Specialja, këto ishin dy temat e këtij emisioni tridhjetë minutësh. I ndikuar nga pyetjet sugjestive dhe fytyra dashamirëse e drejtuesit të emisionit, Blerim Latifi tha diçka mosvet të çuditshme: “UÇK-ja ishte ndërtuar mbi traditën e Skënderbeut, dhe prandaj Gjykata Speciale do ta gjykonte pikërisht traditën e Skënderbeut dhe vetë Skënderbeun.”

Pra, sipas profesorit tim të filozofisë, komandantët e UÇK-së e kishin pasur ndërmend Skënderbeun kur e bënë luftën kundër atij që Latifi e quajti ‘regjim brutal’.

Mua më duket që kur bën pohime duhet të lodhesh pak dhe t’i mbështesësh dikund. Mua më duket poashtu që është arrogante e injorante një qasje e tillë. Kështu humbet sensi kritik duke i lëshuar vend sjelljes prej tifozi. Është njësoj si të bësh studio televizive me gjëra të pakuptimta e të panevojshme. Në anglishten e mesjetës së vonë, ekstravaganca ka kuptimin e ‘të papërshtatshmes’ dhe ‘abnormales’. I tillë më duket konkludimi i këshilltarit të kryetarit të Kuvendit lidhur me Specialen dhe Skënderbeun. Dhe e tillë më duket e gjithë vendosja e tij në atë podium, më lart se që është vendosur Skënderbeu në shesh.

Sidoqoftë unë i njoh qëndrimet e Latifit për çështjen kombëtare e për figurat kombëtare. Ai është një nacionalist romantik, që i reziston sensit kritik për shqyrtimin e figurave kombëtare: Adem Jasharit, Skënderbeut etj. Ama, iu ftoj të lexoni një aforizëm nga Niçe, që mendoj se është e domosdoshme për secilin si një kurë ndaj opinioneve që vetëtijnë në mendjen tuaj kohë pas kohe. Lexojeni me kujdes:

“Opinioni i parë që na vjen në mend kur pyetemi befas për një gjë, zakonisht nuk është i yni, por vetëm i përbashkët, ai i kastës sonë, pozicionit, i origjinës; opinionet tona vetjake rrallë dalin në sipërfaqe.”

T’i kthehemi Skënderbeut dhe Speciales.

Skënderbeu ishte një personazh i rëndomtë i një periudhe të jashtëzakonshme historike. E jashtëzakonshmja, ose madhështorja që i atribuohet atij, është në fakt krejtësisht e ndërlidhur me frymën e asaj kohe e cila krijoi edhe personazhe tjera të ngjashme. Në shekullin e XV marrëdhënia e fuqive politike me fenë dhe moralin fetar u bë tepër komplekse dhe e kushtëzuar. Sa i përket Perandorisë Osmane, aty islami ishte përzënë qëmoti nga ndikimi në luftën e sulltanëve për pushtet. Ishte institucionalizuar vëllavrasja mes trashëgimtarëve të sulltanit me qëllim moslejimin e krijimit të degëve të reja, pra moslejimin që Perandoria të ndahej e të dobësohej. Kjo ndikoi që edhe Skënderbeu t’i vriste të afërmit e tij që ia rrezikonin pushtetin në Krujë.

Romanticizimi i tij, e më pas nacionalizimi është tejet absurd dhe kollaj i zbërthyeshëm. Latifi nuk sqaroi nëse përfytyrimi i komandantëve të UÇK-së për Skënderbeun ishte ai për një lider të romanticizuar siç portretohet edhe te filmi i famshëm, apo te përfytyrimi i këtij Skënderbeu që e përshkruajta unë. Nëse janë frymëzuar nga ky Skënderbe, atëherë meqë duam të ndërtojmë një rend demokratik e liberal që dallon thelbësisht nga ai në të cilin bënte pjesë heroi mesjetar – ata njëmend do të duhej të gjykoheshin. Skënderbeu nuk mund ta institucionalizonte drejtësinë, e prandaj nuk mund t’ia linte në dorë ndonjë mekanizmi tjetër hakmarrjen ndaj Hamzait dhe kurshërinjëve tjerë që i dolën kundër. Por, Skënderbeu nuk do të kishte vend në asnjë shoqëri demokratike – njësoj si përplot figura kombëtare të popujve tjerë megjithëse ishte një strateg i jashtëzakonshëm lufte.

Shumicën e referencave të tij, Makiavelli për veprën e famshme ‘Princi’, i ka pikërisht në zhvillimet që ndodhën gjatë shekullit për të cilin po flasim. Politika kishte lidhje me moralin, për aq sa ky i fundit i shërbente asaj. Po njësoj edhe feja. Pikërisht në fund të këtij shekulli, ose njëzet e katër vjet pas vdekjes së Skënderbeut, Papë zgjidhjet njeriu më i korruptuar e më i padashur i Romës, Aleksandri i VI-të, babai i mizorit të famshëm Çezare Borgja. Ajo periudhë prodhoi mizorë të tjerë, siç ishte psh Isabela e Spanjës që i dëboi dhe i masakroi mijëra myslimanë e hebrej në mënyrë që ta forconte pushtetin e saj. Edhe të parët e Spinozës dëbohen në atë vakt drejt Portugalisë, e më vonë Holandës. Ajo periudhë e prodhoi vetë Çezare Borgjan e përmendur. Pastaj Alfonsin e Napolit. Papë tjerë të korruptuar. Dhe familje të fuqishme politike në shtetet e Italisë që nuk i nënshtroheshin moralit fetar. Familjen e pasur Mediçi që mallkohej në sheshin e Firencës nga Savonarolla, familjen Sforca, Mehmet Pushtuesin, Selimin e Parë, Vlad Drakullën dhe shumë e shumë të tjerë.

Marrdhënia e ngjashme e Skënderbeut me fenë vihet re në faktin se ai ishte fillimisht ortodoks, më pas u bë mysliman dhe krejt në fund katolik. Ndërsa në krye ai e mbante një simbol të çuditshëm pagan. Skënderbeu pra, e përdori fenë siç ndodhi edhe me ata që i përmendëm më sipër: në mënyrë që ta forconte pushtetin e tij vetjak. Ai bëri aleancë me Huniadin e Hungarisë, iu nënshtrua kushtëzueshëm Papës, Venedikut e Napolit. Kruja e tij administrohej nga venedikasit prej vitit 1451 deri në fund sepse kështu i konvenonte. Është e pamundur që shfytyrimi që iu bë figurës së tij nga rilindësit, e që e bëri heroin të përdorshëm për të gjitha pushtetet në Shqipëri e Kosovë, të vazhdojë edhe sot. Madje edhe për t’u shfajësuar para opinionit publik kosovar për të bëmat e mundshme që mund të evidentoheshin nga Specialja. Mbase, podiumi mund të jetë mjaftueshëm i fortë sa të mbajë peshën trupore tënden, por jo aq sa të mbajë peshën e budallallëkut dhe në imagjinatën e secilit të dukesh sikur u rrëzove nga ajo.

Skënderbeu nuk mund të jetë hero i myslimanëve, sepse nuk pajtohet me moralin mysliman. Prandaj, në një shoqëri sekulare duhet kuptuar të gjithë ata që nuk kanë mendime të mira për të. Megjithatë, ai nuk ishte as hero i të krishterëve sepse nuk pajtohet as me moralin e kësaj feje. Dhe krejt në fund, as hero i shqiptarëve të sotëm, sepse nuk ka lidhje me konceptimin e një morali publik, i cili përdoret për kushtetutimin e një shteti të së drejtës. Ashtu qysh nuk mund të përdoret as Çezare Borgja, as Drakulla, e as Isabela për kombet respektive. Për babain e Çezares, Papën Aleksandër VI, filozofi gjerman Fridrih Niçe fliste me admirim – duke thënë që veç në atë kohë korrupsioni e shthurrjeje, Shën Pjetri dmth Vatikani, lulëzonte.

Mizoria ishte e tmerrshme dhe e gjithandejm në atë kohë. Mizorë ishin sulltanët osmanë, mizor ishte Papa, mizor ishte Drakulla (bashkëkohës i Skënderbeut i cili gjerësisht njihet për diçka të tillë), mizor ishte Alfonsi, e mizor ishte edhe Skënderbeu. Edhe ai vrau e masakroi shumë fshatra që nuk i bindeshin shpatës së tij. Dhe tendenca për të shfajësuar veten në kurriz të Skënderbeut është e pafalshme. Kjo sepse, Skënderbeu jetoi në një kohë krejtësisht të ndryshme. Dhe nuk ka ndonjë traditë skënderbeiane. Nc.

Nuk është e nevojshme të jesh medievalist për të kuptuar Skënderbeun si personazh. Mjafton një njohje e sipërfaqshme e kësaj periudhe, te e cila qëndrojnë fundamentet e Evropës së sotme, për të marrë vesh që si hero kombëtar e kemi një njeri që sot masat do ta quanin ‘i korruptuar’, ‘njeri që bën gjithçka për pushtet’, ‘i pamoralshëm’ e i ‘frikshëm’. Skënderbeu mund të jetë hero i Makiavellit e Niçes, por jo edhe i një shoqërie që beson në një shtet të së drejtës, në një shtet që provon të ndërtojë moral publik.

Skënderbeu është hero vetmitarësh që nuk robërohen nga asnjë bindje, asnjë fe e asnjë parim. Ai, së bashku me bashkëkohësit e tij, është në embrion të asaj që e quajmë individualizëm. Me fjalë të tjera, ai nuk është hero i askujt dhe duke qenë i tillë, pas vdekjes u përdor nga gjithkush.

Duhet mësuar njëherë e mirë diçka shumë elementare: Skënderbeu nuk frymoi i shkëputur nga bashkëkohësit e tij dhe i lidhur organikisht me shqiptarët e sotëm. Ky konceptim është komik. Skënderbeu ishte prodhim i rrethanave në të cilat bënte pjesë.

Ikja nga Specialja duke u fshehur pas Skënderbeut është komike. Njësoj siç janë hapësirat vizive ku konstruktohen opinionet e njerëzve. Ku humbet kuptimi e zhvlerësohet fjala. Ku ka mbidozë budallallëku.

Shpërndaje në: