Skënderbeu dhe Fuga

Skënderbeu dhe Fuga

Artan Fuga, emër i njohur në letrat shqipe, na fton të bisedojmë për figurën e Skënderbeut e jo vetëm kaq; prej kësaj ftese buron një tjetër ftesë që është ajo e rishikimit të historisë çka na kthen tek arsyeja se përse duhet të kemi – apo të kishim prej kohësh – reformën për kërkimin shkencor në Shqipëri.

Nevoja për të pasur një figurë të re të Skënderbeut, të shkëputur prej projektimeve ideologjike, e bën Fugën të na kërkojë që t’i bashkohemi për një “historiografi idealiste” përkundrejt asaj ideologjike. Kjo ftesë vjen kur politika e Tiranës (nën drejtimin e kryeministrit) po përpiqet t’i japë teh “Vitit të Skënderbeut” si një mënyrë për të promovuar modelin kulturor dhe historik. Gjasat janë që ky debat të sjellë edhe njëherë në arenën publike, debate të nxehta për Skënderbeun. Vera që lamë pas u shoqërua nga një debat për Skënderbeun, po aq i nxehtë sa vetë kjo stinë. Por, siç e dimë mirë, stinët post-socialiste për Skënderbeun kanë qenë dinamike; ato stinë janë vetëm dy, verë dhe dimër duke kaluar turravrap sa nga vera në dimër e anasjelltas. Kësisoj, edhe kësaj here furia ka gjasë të vijojë gjatë sepse Skënderbeu bën gjithë jetët politike që ia japin autorët sipas pikëpamjeve të tyre ideologjike apo identitare të politikave të momentit. Skënderbeu bëhet kufi, mastar, vlerësues i vetes dhe tjetrit.

Megjithatë, le të përqëndrohemi pak te termi “historiografi idealiste”. Shumëkujt mund t’i pëlqejë fort fjala “idealiste”. Sidoqoftë, do të shprehesha me droje për kuptimin me të cilin e ka përdorur atë Fuga, por nga sa mundem të nxjerr në dritë prej shtjellimit të argumentit, me del se po kërkohet që figura e Skënderbeut të shihet si ajo e një vizionari që kishte kapur çastin e së ardhmes historike në Evropë. Në këtë rast termi “historiografi idealiste” shërben së pari, për ta na krijuar idenë se ne na mungon historiografia idealiste dhe ajo që ekziston mbi Skënderbeun është ideologjike. Kuptimi i dytë që merr “historiografia idealiste” është ajo e një fushe dije që nuk i jep peshë “shpatës”, por në vend të saj i jep përparësi idesë a idealit që urdhëron krahun të ngrejë shpatën e jo e kundërta. Pra, këtu duket se kemi të bëjmë me kërkesën për kalimin nga një historiografi ideologjike, në një historiografi mbi idetë prandaj termi “historiografi idealiste” nuk tingëllon të jetë fort i qëlluar.

Një nga shembujt që përdor Fuga për të mbështetur argumentin e një historiografie idealiste është ky: “ … kur prifti Pal Engjëlli thoshte në shqip formulën e pagëzimit në Durrës, kjo nuk është një çështje thjesht linguistike sikurse e kanë trajtuar. Është e dhëna më e madhe e antropologjisë kulturore arbërore. E dini se çfarë do të thotë kur një bashkësi besimtarësh do ta dëgjojë në kishë besimin e vet në gjuhën amtare? …”. Për Formulën e Pagëzimit dhe potencialin dhe kulturën faktike arbërore e ka dhënë një përgjigje të plotë studiuesi Ardian Vehbiu. Kur Fuga vijon tek ideja se si ishte konteksti kulturor arbëror etj., duket sikur tashmë është duke na ftuar në një platformë të mirëmenduar se si duhet, dhe jo se si është apo se si mund të kishte qenë historia kulturore e asaj periudhe. Megjithatë, le të qëndrojmë paksa te ky përfytyrim duke shtruar një pyetje tjetër: a ekziston vërtetë një historiografi e stisur prej dhe nën lentet sovjetike a staliniste që e hedh poshtë këtë ide? Në fakt, jo. Historiografia staliniste nuk e pajis aq peizazhin historiografik me malësorë, sa me klasë punëtore apo klasë të fshatarësisë etj. Sigurisht, peizazhe krejt idealiste e ideologjike. Një jetë e Skënderbeut për hir të stalinizmit në Shqipëri. Filmi mbi Skendërbeun është përplot imazhe të kësaj natyre, por jo historiografia.

Nga shqetësimi që ka për rishikimin e historisë, Fuga na fton për t’i bërë një analizë dëshirave, ideve dhe vizioneve të Skënderbeut. Ndër të tjera, ai shprehet: “Jo, nuk është thjesht dëshira për feudin e babait. Nuk është trishtim disfate në karrierë, as tradhëti ndaj Baba Sulltanit. As shkrepje vegimesh fëmijënore! Mos u tallni!” . Këtu nuk është e qartë se kujt po i referohet, kush po tallet me kë por gjasat janë se këtu kemi shumë qëndrime të cilat prapë nuk gjenden në historiografinë ideologjike, pra atë sovjete. Nuk kemi ndonjë stalinist të kohës së komunizmit në Shqipëri që argumentin për luftën e Skënderbeut e sjell si tradhti ndaj babait, as si lojë fëminore dhe as si kthim për hir të pronës së babait. Këto janë teza, sigurisht jo ajo e lojës fëminore, të artikuluara në forma të ndryshme nga historianë, kryesisht të periudhës post-socialiste. Këta e bëjnë herë nën petkun e dekonstrutivizmit, herë të deorientalizmit, herë-herë të një lloj kitsch-historiografie. Fakt është se, shumë ftesa të Fugës përkojnë jo pak me idetë e promovuara nga historiografia që vetë Fuga e kritikon. Si fjala vjen, historisë i kërkohet një rol, një rol për t’u ndier krenarë për çfarë jemi sot.

Fuga vijon: “Ai [kupto Skënderbeun] shihte larg, sepse po qe se e shihte çështjen se nuk do të fitonte dot, nuk do ta fuste veten dhe familjen, klanin dhe fisin, popullin, në një aventurë. Kush e nis një betejë pa shpresë se do ta fitojë atë?” Një përgjigje e shpejtë do të ishte se ekziston edhe një opsion fatal. Një betejë pa shpresë për të fituar. Këtë mund ta bëjë dikush i cili s’ka rrugë tjetër pos vetëm atë të jetës ose vdekjes. Ja pra, që hapësira interpretative mund ta na lejojë të gjejmë një shkak personal, siç ka qenë ftesa e “gjakmarrjes” (të cilën nuk e gjej të bazuar), sipas së cilës çon në marrjen e një lufte jo vizionare, por krejt të kushtëzuar nga fataliteti. Mund të vijojmë edhe te logjika e aventurierit e me radhë, por dikush mund të na kërkojë të ndalojmë ndoshta duke na kritikuar rëndë me arsyetimin se kush mund ta konsiderojë një mundësi të tillë sidomos kur jemi duke folur për Heroin Kombëtar…

Skënderbeu vendoset si paraprijës a pjesë e një konteksti kulturor, me bashkëkohas si Ian Husin (1370-1415), Gutenbergun, (1434–1444), Makiavelin (1469–1527), Dekartin (1596 – 1650), Galileo Galiein (1564-1642). Gjithsesi, siç mund të shihet nga ditëlindjet, dy prej tyre, pra të parët, kanë një lidhje më të afërt kohore me Skënderbeun, por të tjerët janë diku një shekull më vonë. E kur vjen puna për idenë, idetë, ideologjitë, kozmologjitë e ndërkalluara për/dhe nga shteti modern, apo rreth konceptit dhe ekzistencës së kombit, këta studiues kanë pak ose aspak lidhje midis tyre me çka do të shfaqej politikisht, filozofikisht ose antropologjikisht si ide e kombit dhe e shtetit komb. Sa di unë, deri më sot nga goja e Skendërbeut kemi vetëm një frazë të thënë në Itali kur gjatë kohës ndihmonte djalin e suzerenit të tij, Alfonsit të Napolit. Do të ishte shumë e vështirë të ndërtonim një ngrehinë historike për vegimet apo ngazëllimet e Skënderbeut ama, nëse një historian ia del ta realizojë këtë, atëherë duhet parë me vëmendje se ç’teknikë historiografike ka ndjekur. Këto interpretime historike i lexoj zakonisht me ëndje dhe nuk shqetësohem kur ato nuk ngrenë një hero sipas shijes sime.

Neologjizmin “albanistezologë” përdorur nga Fuga nuk e kam kuptuar ende, por ky argument s’duhet ngarkuar shumë pasi Fuga e ka shkruar me sa duket në ritmin që kërkon komunikimi virtual. Jam kurioz të di nëse termi “abanistezologë” do të thotë studiues të shqiptarëve kafshëapo studiues kafshë të shqiptarëve. Nga toni ka gjasë ta ketë fjalën për këtë të dytin, por shpeshherë ndoshta e mira do të ishte të ndalurit e vetes prej interpretimeve pasi ato janë lojacake e të pafundme. Fundja, kjo është loja me historinë dhe loja që historia bën me mendjet tona.

Në një tjetër moment shkrimi i Fugës merr trajtën e një ftese për një historiografi që të shestojë disa çështje njëherazi: “…përse duhet bërë çmos pa asnjë oportunizëm për ta hequr kapakun prej hekuri që ka mbyllur brenda një guve të vërtetat dhe që na pengon të jemi krenarë për atë që duhet të dimë se nga vijmë. Ne jemi bërë komb pa projekt prandaj djemtë dhe vajzat ikin. Ja përse duhet një rithemelim i akademizmit shqiptar, jo vetëm me njerëz të rinj, por edhe me hipoteza e me energji të reja intelektuale”.

Sipas kësaj ftese, Skënderbeu do të duhet të përditësohet në kontekstin bashkëkohor . Pra, ai s’duhet të shihet si një projekt personal apo thjesht kombëtar, por edhe si një projekt panevropian dhe evropian, dhe mbi të gjitha të na bëjë të ndihemi krenar për çka jemi. Këtë detyrë duhet ta plotësojë një akademizëm i ri, i cili ka kurajon dhe dijen e duhur. Di që ka botime nga autorë shqiptarë që e konsiderojnë Skendërbeun si pararendësin apo si një nga vizionarët e Europës së Bashkuar, por libra të tillë mund t’i lexosh vetëm për të analizën diskursive të në literaturën post-staliniste në Shqipëri. Çështja është se si ftohesh të bësh shkencë kur e ke përcaktuar se çfarë do të ndërtosh? Këtë jam i bindur se Fuga e di shumë mirë që nuk ecën. Sigurisht, nëse bëhet fjalë për një historiografi terapeutike e cila ka për qëllim t’i bëjë njerëzit të ndihen mirë, ndoshta mund ta marrim njëfarësoji në konsideratë ftesën e Fugës por kjo qasje është rrokur nga shumë studiues –tashmë- në kushtin e traumave kolektive identitare të pas rënies së komunizmit, dhe këta nuk janë të prirë drejt mendimit kritik por drejt atij shamanik.

Si t’ia bëjmë? Të shkojmë drejt një historigrafie idealiste e cila preh tehun për nga sajimi, apo për nga shqyrtimi; për nga terapia duke i bërë njerëzit të ndihen mirë; apo të shkojmë drejt një historigrafie shqyrtuese që i bën njerëzit të mendojnë në mënyrë kritike? Në çdo rast, nëse kërkojmë të jemi sadopak kritikë, s’mund të kemi përpara një platformë e cila paracakton konkluzionet, por do të duhet një platformë e cila hap shtigje të shqyrtimit kritik, e trualli më i mirë, më i begatë për këtë, është ai i figurës, trupit, shpirtit dhe veprës së Heroit Kombëtar. Përndryshe, do të inkurajojmë një kitsch-historiografi ose thënë më butë një pop-historiografi. Dhe batuta e filmit, përdorur me humor nga Fuga: “A don ti Gjin me luftu kundër truqve? Du si s’duuuuuuuu!” do të mund të kthehet “A do ti Gjin një histori që të ta bëjë qejfin për çka ke qenë, je e do të jesh? Po du dhe pikë.

Peizazhe.com

Shpërndaje në: