Vllasi: Vrasja e Ivanoviqit mund të shkaktojë trazira

Vllasi: Vrasja e Ivanoviqit mund të shkaktojë trazira

Disa goditje me revole zhurmëmbytëse ishin fatale për Oliver Ivanoviq, liderin e SDP-së, që u vra në mëngjesin e ditës së sotme në veri të Mitrovicës. Analistët e vendit e vlerësojnë këtë situatë si provokim të trazirave të mundshme, si dhe si mjet që mund të përdoret për të fituar poenë politikë nga Beogradi.

Avokati dhe analisti politik, Azem Vllasi vlerëson se vrasja e Ivanoviqit mund të shkaktojë trazira në veri, mirëpo, shprehet i bindur se atë e kanë vrarë serbët.

“Vrasja e Ivanoviqit mundet me shkaktu trazira në veri në rast se pushteti i Beogradit synon një gjë të tillë, përndryshe nuk ka asnjë dyshin që Oliver Ivanoviqin e kanë vrarë serbët, ekstremistët serbë e rusë që shëtisin në veri lirshëm dhe aty s’ka asnjë dyshim. Oliver Ivanoviqi është i njohur si njeri, jo që nuk ka qenë lojal ndaj Beogradit por ka qenë në konflikt me Listën Serbe që dirigjohet nga Beogradi”, thotë ai.

Vllasi përmend edhe paralajmërimin, siç thotë ai, që i ishte bërë një vit më parë duke ia djegur veturën si dhe tërheqjen e kandidatëve të partisë së tij në zgjedhjet e fundit, me arsyetimin se po ndiheshin të kërcënuar.

Ai ka kërkuar nga organet e Kosovës që të ndriçohen sa më shpejt rrethanat e ndodhjes së rastit.

“Duhet që organet e Kosovës të bëjnë përpjekje maksimale që sa më shpejt të ndriçohen rrethanat e ndodhjes së rastit, edhe të shihet qartë kush janë vrasësit, kush janë porositësit cila është porosia politike. Beogradi synon që çdo rast që ndodh diçka me ndonjë serb të Kosovës ta shfrytëzojnë për propagandë kundër Kosovës”, shtoi ai në një bisedë për Express.

Sipas tij, Beogradi zyrtar do të tentojë që këtë rast ta përdorë si skemë politike të ndërtuar mbi arsyetimin se serbët e Kosovës janë të rrezikuar.

“Beogradi zyrtar do të tentojë që këtë rast t’ua veshë shqiptarëve ose ta lërë në mjegull, e dyta me alarmu para ndërkombëtarëve kinse serbët këtu janë të rrezikuar nga shqiptarët, veç një skemë politike që e dimë”. përfundoi Vllasi.

Lidhur me këtë çështje, media ka kontaktuar analistin politik Imer Mushkolaj, i cili vlerëson se kjo situatë është përpjekje serioze për të destabilizuar sigurinë në vend.

“Është përpjekje serioze për me destabilizu situatën e sigurisë edhe po duket që dikujt po i konvenon po në anën tjetër pa dashtë me paragjyku duke pasë parasysh që në veri të vendit institucionet e Kosovës pothuajse nuk kanë qasje, nuk kanë pushtet, atëherë ata që kanë e mendu edhe që e kanë kanë kry aktin e kanë pasur shumë më të lehtë për ta bërë një gjë të tillë” tha ai.

Institucionet e Kosovës, sipas Mushkolajt, duhet të trajtojnë këtë çështje me seriozitet, duke e pasur parasysh faktin që ai u vra brenda territorit të Kosovës.

“Ky akt duhet të merret seriozisht nga institucionet e Kosovës të mos neglizhohet edhe të mos mbetet në margjina sa i përket reagimeve shumë serioze që duhet të vijnë nga institucionet e Kosovës e të mos thuhet që thjesht është vra një politikan serb në veri dhe ky politikan nuk ishte qytetar i Kosovës, ose veriu nuk është pjesë e Kosovës, mirëpo, të reagohet në mënyrë serioze sikur të ketë ndodhur në çdo vend të Kosovës të banuar me shqiptar”, tha ai.

Ai pohon se Serbia do të keqpërdorë këtë rast për poenta politikë dhe reagimi i Vuçiqit për ndërprerje të dialogut pasi ndodhi rasti, është thjesht për arsye politike.

“Si zakonisht Serbia tash përpiqet me keqpërdorë raste të tilla, me instrumentalizu raste të tilla, tash logjikisht Ivanoviqi ka qenë qytetar i Kosovës dhe këtë reagimin që e ka bërë Vuçiqi thjesht e ka bërë për arsye politike, sepse reagimet duhet të vijnë në radhë të parë nga politikanët kosovarë, nga institucionet kosovare jo nga Serbia. Por po them që ky rast do të instrumentalizohet, do të keqpërdoret nga Serbia për poenë politikë dhe kushtimisht për të paragjykuar se vrasja e Ivanoviqit mund të jetë ndonjë akt i kryer për motive etnike”, pohoi ai.

E sa mund të ketë prapavijë Gjykatën Speciale ky rast, Mushkolaj përfundon se në rast se ai do të mundë të kontribuonte diçka nuk mund të mënjanohet kjo mundësi.

“Varet se çfarë do të mund të kontribuonte Ivanoviq në Gjykatën Speciale në çfarëdo forme, mirëpo nuk kam informata nëse ai vërtetë do të mund ishte pjesë e gjykatës në çfarëdo forme, e nëse është ashtu thjesht nuk mund të mënjanohet mundësia që ai të jetë eliminuar për këtë shkak, por nuk kam informata”, përfundoi ai.

Vrasja e Oliver Ivanoviqit gjatë ditës së sotme ngriti reagime të shumta. Liderët e vendit reaguan duke dënuar krimin dhe duke kërkuar gjetjen dhe dënimin e fajtorit.

Në një intervistë nga shtatori i kaluar, i ndjeri kishte deklaruar se situata në Veri të Mitrovicës është tejet e tensionuar, duke theksuar se këta njerëz nuk po frikësoheshin nga shqiptarët, por nga serbët.

Ndaj liderit të SDP-së kishe pasur edhe dy sulme që kishin ndodhur njëri në vitin 2013 dhe tjetri në vitin 2017.

Pas lajmit, menjëherë kanë reaguar nga qeveria e Serbisë duke ndërprerë bisedimet me Kosovën në Bruksel. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka caktuar takim urgjent të Këshillit të Sigurisë.

Shpërndaje në: