Kur mjedisi si ekologji e pamenduar shpullon mjedisin e intrigave të menduara

Kur mjedisi si ekologji e pamenduar shpullon mjedisin e intrigave të menduara

Fakti se Prishtina ndodhet në listen e kryqyteteve më të ndotura të botës për shumëkë mund të mos ketë kurrfarë lidhje me rrokopujën që shkaktuan mesazhet që dolën nga anëtarësia e VV-së, ngjarje kjo që në fakt edhe e krijoi plojën më të madhe të këtij një-muaji-e-gjysmë,. Por lidhja mes këtyre dy të ngjarave është e pashkoqitshme, ani pse e kuptoj fare mirë pse këto dy ‘”skaje”  i shohim të ndara. I shohim ashtu meqë tek ne asnjeherë s’është menduar ekosistemi. Kur në Amerikë, u shkrua “Walden” i Henry David Thoreau, pa konsultuar saktë datat, guxoj të them se ne në rastin më të mirë mund të kemi qenë të zënë me Lidhjen e Prizrenit. Apo kur në Europë pos lulëzimit të partive të gjelbërta, deri edhe në kinema po lulëzonte kritika ekologjike (shih për këtë Red Desert të Antonionit), tek ne në rastin më të mire, lajm mund të ketë shënuar rënia e Rankoviqit apo nisja e 68-s përmes një flamuri të kontrabanduar nga një dasmë.

Të rrjedhura apo të nxjerrura me përgjim (kjo e fundit vetëm sa trashë edhe më shumë mendësinë tonë moçalore meqë tashmë bashkudhëtari i deridjeshim apo njeriu i pushtetit të konsiprojnë përmes survejimit digjitial si dëshmi e dëshirës jetësore të të futen deri në shtratin bashkëshortor), mesazhet në fjalë tërhoqën shqiptarët e nemitur, madje edhe pleqtë mbi 70 vjeç,  të mësojnë se ç’është privatësia e Viberit, ajo e Facebookut; si shkilen këto privatësi, a mund të jemi të gjithë viktima etj. Pra për aq sa mësoi për vlimet brenda VV, shqiptarit i rastisi të mësojë edhe për intrigat digjitale.

I përballur me një ekosistem të tmerrshëm, i cili 50-60 vite pas industrailizmit tonë të vonë – e nja 15 vite pas deindustrializimit – na sinjalizoi se asnjeherë nuk e menduam mjedisin (e që edhe këtë sinjal ne e kalojmë me një të rënë kliku), versus shpotisë, shpifjes, gjysmë të vërtetës e shantazhit si shenjime të njeriut më provincial,  “vulgut” spinozian që di vetëm vulgaritet, por që media tek ne ia shet si informacion, lajm e rëndësi kapitale politike, shqiptari i Kosovës për këtë një muaj e gjysmë vetëm sa dëshmoi edhe njëherë se vazhdon të jetë i mishëruar jo me ndonjë platformë politike a ideologji, por me konspiracion politik, delli semiotik i të cilit është zgjatim i klimës së kafenesë, (megjithëse Condillac e Giddens nuk e anashkalojnë rolin e kafeneve në shoqërorizim politik e madje iluminizëm, tek ne kafeneja është simboli i apatisë) apo edhe i familjes. Dëshmoi, siç thotë një mik i imi, se këtu psikologjia i paraprinë ideologjisë.

Kjo meqë shqiptari që ambasada amerikane (!) e porositë të vëjë maskë këto ditë për shkak të shkallës së ndotjes së ambientit, për këto javë/muaj bëri krejt pyetjet e komentimet e mundshme jo mbi mjedisin si ekologji, por mbi mjedisin si oazë shpotie apatikësh.
Ç’është e vërteta, vetë subjekti i prekur nga plasaritja e tajonte dhe e ushqente këtë shpoti. “Me kë je?”, “Puna e Deharit i ka nda po s’po kallxojnë”, “ajo Aida e ai Gorani jon SHIK, e kom ditë n’vakt”, si muhabete kafenesh, dallonin mbase vetëm në formulim nga ajo që vlonte brenda vetë histerisë së subjektit, e që shqiste edhe jashtë. U mor vesh pra: prevalim i pëshpërtijes jashtë mureve të shtëpisë e kullave që ndër shekuj na e ruanin “ërzin”. Edhe kur ka elemente të dallorëve politik që do të indicionin në ndonjë diskutim analitik, publik a politik (p.sh. mbi mundësinë që pikërisht kjo plasaritje të përçoj në të menduarit e politikave të qendrës tek ne, meqë ka qenë e ditur si nata me ditë se Hydajet Hyseni e Ylli Hoxha janë dy planete të ndryshme), diskutimi mbytet nga tymnaja e vulgut, nga ai rrethanori  çehovian që përjetëson rrethanën para njeriut, respektivisht mjedisin si besatim i mosndryshimit. E në rastin tonë mjedisi intrigant doli triumfant ndaj mjedisit si ekologji me mosdiskutim, por ky i fundit po i hakmirret me ngulfatje. Por ç’të presësh nga një turmë amorfe me tendencë të jetë shoqëri kur edhe tek puna e ambientit mëton të jetë dalzotëse. Gojëdhana të mjekësisë popullore i shërbejnë në këtë rast, jo diçka më shumë. “Krejt qyky uraniumi i NATO-s na e ka pru kancerin”, mund ta dëgjsh poshtë e lartë në gojën e mesatarit shqiptar të Kosovës.

I teleportuar nga familja në kapitalizëm, pa kaluar në kurrfarë brumosjeje politike të ndërmjetme (madje as në ngjizje kombëtare), besatimi për solidarësi kombëtare po nxjerr në të vërtetë dellin më meskin të mundshëm. Meqë s’përmbyllëm komb, e lëre më të mendojmë për ekologji, tani që ambienti po na hakmirret, ne po i kalojmë lajmet mbi ndotjen si për ndonjë epidemi që s’ke ç’ti bësh. Zero vetëdije politike.  Kombi u përdor e po përdoret si hakmarrje ndaj atyre që vërtet organizatës politike tentuan t’ia ngulisin ingranazhet e neoliberalizmit. Të parët s’duan neoliberalizëm, dhe bëjnë mirë në këtë drejtim, por kanë grumbulluar rreth vetes injorantë e pjestarë dallimesh jo më pak të skajshme se para plasaritjes. E të dytët në masë të madhe, s’çajnë kokën për diçka si kombi. Guxoj të them se as që duan diçka si kombi. Jo që pres ta duan kombin si vullnet, por të dijnë për të, të mos e injorojnë si realitet, meqë kjo mund të dëshmohet si tejet e pafytyrë dhe e rrezikshme.

E kostoja e kërcimit nga familja në kapitalizëm është kosto e pamjeve ku Frashër Krasniqi kthehet në relevant më shumë kur grushton Milaim Zekën, se sa përgjatë krejt angazhimit të tij  politik (meqë njerëz shpirtplasur më shumë e duan të grushtuar një Milaim Zekë se sa të dëgjojnë diskutim edhe ashtu të paqenë); Adea Batushës më shumë i shikohen videot e prezantuara nga ish sekretari Molliqaj se ku ka qenë në momentin kur pretentohet të ketë ndodhur sulmi me zola mbi Kuvendin sesa ndonjë mendim i plasuar politik (parëndësia historike e gruas në vend/uria për pamje dedektive), tre pikëpyetjet e famshme të Dukagjin Goranit në bisedën e rrjedhur me automatizëm njëjtësohen me gjuhën e Aida Dërgutit (meqë politika lexohet si konspiracion atëherë dhe vetë përfshirja e nënrenditur në bisedë të nxjerr fajtor) pa pasur nevojën këtu të të shtojë gëlimin e show-ëve mediatik me dëshmitarë nga i përjetshmi Haxhiu, kanali televiziv i të cilit e ftonte Gëzim Kelmendin që të fliste për histori.

Pa u lëshuar shumë, po i mbetem besnik krahasimit fillestar, pra pyetjes pse humusi i thashethemnajës tek ne është më pjellor sesa mendimi i ekosistemit? Sepse apatia gati totale politike në rrugëtimin tonë përgjatë dekadave të fundit, krahas me ekzistencën e një kushtrimi krejt të vagullt liberator (ilegalja që gjithnjë më shumë ishte studentore dhe diasporike se sa shoqërore), kanë shenjuar domosdonë, përkatësisht urgjencën më të madhe për ne.  Mospërzierja në çkado që provokon pushtetin si domosdo vs urgjenca të çlirohesh nga pushteti  (nga Jugosllavia, Serbia e UNMIK-u). Kjo ishte dhe mbetet etnopiskologjia jonë. Të dy këto arterie të trupit tonë politik, pra besnikëria/shërbëtorësia e përlavaduar vs shpirti kryengritës i një grushti njerëzish, në relata me pushtetete, familjare, krahinore, vendore e  të huaja,  janë edhe sot fuqishëm të ndjeshme dhe mbipeshojnë ndaj diçkaje aq kapitale si (de)indusitralizimi a ekologjia. Prandaj edhe partia që kritikon deindustrializimin del e katërta në Obiliq e Mitrovicë, e treta në Gjakovë, kurse në Drenasin e Feronikelit, as që ka taban. Prandaj edhe ekologjia tek ne s’është fare politikë, por në rastin më të mirë bjeshkatari e turizëm, kurse në atë më të keq, kontraktim i ndonjë gurthyesi në Leposaviq. Prandaj edhe krejt ia dijnë emrin Arineta Mulajt e Uta Ibrahimit e ndodh të mos ia dijnë Ministrit të Ambientit.

Kur Britania e Madhe po industrializohej vrullshëm, ajo nxorri kritikun më të madh të industrisë në art: John Ruskin. Dy shekuj më vonë, kur turizmi malor shqiptar mezi bëri pak emër, shqiptarët vranë turistë çekë. E di që mezi krahasohemi me Malin e Zi e lëre me Britaninë, por s’jam unë ai që jam besatuar për ta pasuar Perëndimin, ndaj s’kam se te mos e ngris krahasimin pikërisht me atë hemisferë. Krejt për fund: e di se tërë ky shkrim do të lexohet si shkrim i mirëmenduar për t’i bishtnuar tarafave tashmë të krijuara në LVV, pra pozicionimit. “Ia kish futë për ekologjinë, krejt palidhje”. Këtë edhe e dua. Le të mendojnë pikërisht ashtu, dhe le te fuqizojnë pikërisht tërë ironinë e këtij shkrimi.

Ekologjia këtu nuk është menduar per-se, meqë përgjigje kërkojnë edhe një vistër preokuptimesh tjera. Ekosistemi ishte vetëm shembulli i hakmarrjes së fundit të së pamenduarës. Apo të pafilozofuarës, siç kanë qejf t’i thonë brenda. E nëse duan ta përjetësojnë joseriozitetin dhe thashethemnajën si mbipeshuese ndaj ekosistemit, ushtrisë, e para së gjithash ekonomisë, le të vazhdojnë. Hiç më larg se dje po ofendohesha nga postimi i njërit taraf, që kumtonte se rradha qenka të shkohet me individin dhe konkurencën në vend të kolektives dhe solidarsisë. Njëmend?  Pas shtatë vitesh martesë?

Shpërndaje në: