U harroftë si dekadë e pajetuar

U harroftë si dekadë e pajetuar

Për Albanën 7-8 vjeçare në fshat, brilante në matematikë, por që rrethohet nga zagarë gjuetie

Për Fatjonën 14 vjeçare  po në fshat, pasionante e letërsisë, gjuhëve,  por që edhe kjo në rastin më të mirë rrethohet nga të afërm  që zhvaten në mini-firmën private poshtë ambulances së fshatit

Për Fatlumin, adashin tim, mes mbetjes këtu dhe ikjes rishmi në Gjermani

Për Diellzën 16-17 vjeçare e besatuar së voni në mësim

Për Bashkimin, historianin e ri që uroj të mos helmatisë nxënësit me një historiografi kredibiliteti i së cilës s’kalon Rozhajën

Për Ritën, që jo vetëmse ndjen pafuqinë e kauzës së feminizmit kur sheh se vriten gra me sopatë, por që edhe po humb shpresat në këtë vend që të poshtër

Për Shkëlqimin, komshiun e bashkëlojtarin që iu vra pasioni i basketbollit

Për Gazin e banesave, që aq sa di batuta ka nevojë për punësim

Për Samirin që ashtu si mua e venitë kasabaja

Për Hanën që këtu-ja ia vret gjenialitetin artistik

Për Viskën, motrën e madhe – forcë dhe shtytje për mua, dhe që dallimi në moshë nuk na ndalon të kuvendojmë deri n’qorr t’sabahit…

Për Gresën, tezën Florinë e axhën Nezir, të pakursyer në njerëzore…

Për Ardianin, luftëtarin e letrave, që mërzia e këtij vendi e bëri të qajë për prezantimin e Revistës por që puna do i buzëqesh

Për Rrustën, që e madhështon pasioni e jo profesioni…

Për Samiun që shpon me humor mbi groteskën e liderthëve xhuxh

Për Agonin, pasionantin e palodhur të leximit…

Për Seadin, vëllaçkon, që teksa përndritë nga Skandinavia e ftohtë, di se ngrohtësia e Ballkanit dhe vendeve tona injorante është diçka që duhet ruajtur e kultivuar…

Për Shkëndijen, që Barnatorja ia mundëson pasqyrën e sociologjisë së qytetit në vdekje

Për Fjollën, dhe “një qytet që e mytëm vetë” me shpresën të mos gabojë politikisht

Për Besartin, dromcën e fundit të qytetarisë politike në Mitrovicë

Për punëtorin e Qebaptorës që ia helmojnë 200 eurot, me llagape e të shara

Për Nehatin, shokun e të mesmes, axhystatorin e pullazxhiun, që në vend se të na vajtojë të dyve, lavdëron mua e harron veten

Për shoqen Diellzë, arkitektën e sorollasin duke i ofruar page-lëmoshe, ose mbetjen pa punë

Për Egzonin, që posa të kthehet ndodh ta pret fati i njejtë me të Diellzës

Për Bilginin, që aq shumë frymë harxhoi me mua e me shokët duke u përpjekur të nis diçka intelektuale në këtë vend, për zhgënjimet e gulçimet tona të një sofre…

Për Valin, historianin më premtues të vendit…

Për Gjyshincën që ka ikur nga virtualiteti

Për Shqiprimin, në angështi mes pashpresës kosovare, rritjes së ndikimit politik  mbi arsimin në Turqi, dhe “tokës së premtuar” – Kanadasë

Për Vesën e Rudinën që s’durojnë të komplesuarit

Për Shpendin, shokun dhe kolegun e ditëve të vështira

Për Fatin, faji i vetëm pse është e papunë sot, është lufta që bën për shpalosjen e maskarallëqeve të EULEX-it me shqiptarë

Për Nuhiun, dhe përçapjet e tij durimtare në letërsi…

Për Bacën Salë, që shqiptarin s’e sheh më të denjë përtej brendashkurajes që i bën në kuadrin e kompasit të tij satirik…

Për Temin, shokun dhe biznismenin e ndershëm që sivjet ndamë zhgënjimin e madh politik

Për Nrecën, pozitiviteti i të cilit na i shtynë ditët…

Lutem që së bashku ta harrojmë këtë dekadë…

 

Shpërndaje në: