Mbreti vdiq, mbretin e vranë

Mbreti vdiq, mbretin e vranë

Shprehjen le Roi est mort, vive le Roi! (“Mbreti vdiq, rroftë mbreti!”) tradicionalisht e lidhin edhe me nevojën politike për të siguruar publikun se mbreti mund të ketë vdekur, por mbretëria është gjallë e shëndoshë, meqë kemi sakaq një mbret të ri.

Koncepti thuhet ta ketë origjinën në Francën mesjetare, dhe të jetë i bazuar në parimin “le mort saisit le vif”, që do të thotë se trashëgimtari ia ka zënë vendin paraardhësit në çastin e vdekjes së këtij të fundit. Rëndësia e këtij parimi është që të mos lejojë zbrazëti në zotërim, përfshi edhe “pronësinë ndaj fronit” si selia ku mbreti (sovrani) ushtron sovranitetin.

Gëzimi i pasardhjes së realizuar ka të bëjë jo vetëm me mbretin e ri që ia zë vendin atij që iku, por edhe shmangien e interregnum-it, si ndërprerje e vijueshmërisë në pushtet, dhe që shpesh shoqërohet me trazira, përplasje mes faksioneve dhe luftë civile. Kur Henry III vdiq në 1272 gjatë kohës që i biri, Edward I, ishte duke luftuar në kryqëzatë, Këshilli mbretëror shpalli sa vijon: “Froni nuk do të rrijë kurrë bosh; vendi nuk do të jetë kurrë pa monark.”

Në Danimarkë është madje traditë që kryeministri të bëjë një deklaratë të ngjashme, sa herë që vdes monarku: Kongen leve, kongen er død (“Përshëndeteni mbretin, mbreti vdiq”) nga ballkoni i Pallatit të Parlamentit.

Regjimet totalitare, që edhe ato tashmë tradicionalisht kanë në krye një leader suprem dhe autoritar, nuk e gëzojnë dot këtë privilegj të pasardhjes – meqë nuk kanë ndonjë mekanizëm të ngjashëm me atë të trashëgimisë automatike që aktivizohet në rast vdekjeje të sovranit. Këto regjime, si të thuash, nuk janë asnjëherë në gjendje ta përballojnë vdekjen e leader-it që kanë në krye dhe as t’i japin një racionale politike natyrës njerëzore ose vdekshmërisë së trupit fizik të leader-it.

Kjo tingëllon të paktën ironike për regjimet totalitare të majta, të cilat përqafojnë ideologjinë marksiste-leniniste, të njohur edhe si haptazi armiqësore ndaj fesë dhe rolit të Hyjnisë në histori.

Në Shqipërinë totalitare, një nga mënyrat e njohura si “populli” komunikonte me Enver Hoxhën ishte duke i thënë “Rrofsh sa malet!” – ose duke i uruar jetë të gjatë. Versione të këtij urimi janë edhe “t’u bëftë dita një mijë!”, “marrsh nga ditët tona!” dhe “njerëz si ai kanë vetëm datëlindje” – të cilat të gjitha përcjellin, në një mënyrë a në një tjetrën, refuzimin jo vetëm të vdekjes, por edhe të mundësisë së vdekjes së leader-it.

Një udhëheqës totalitar, i tipit të Enver Hoxhës, mbetej gjithnjë i dyzuar midis njeriut që ia zë vendin Zotit në krye të piramidës së pushtetit, dhe njeriut që guxon të bëhet ai vetë Zot, nëpërmjet pushtetit që ka përqendruar në duart e tij. Kësisoj, pavdekësia bëhet atribut elementar i leader-it totalitar, i cili nuk mund ta ushtrojë dot funksionin e vet politik, përveçse duke e përjashtuar mundësinë e vdekjes.

E megjithatë, modaliteti dëshiror i shprehjeve të tilla si Rrofsh sa malet (tona)!T’u bëftë dita një mijë!, Marrsh nga ditët tona! drejtuar Enverit dhe që e gjenin rrugën edhe në poezi lirike, në letra spontane nga poshtë, në slogane politike dhe në tekste këngësh e bart me vete kërcënimin jo dhe aq të fshehtë të vdekjes, si kërcënim gjithnjë të pranishëm – pas çdo buzëqeshjeje, çdo ovacioni, çdo fitoreje. Publiku besnik i një regjimi totalitar nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të negociuar tmerrin e mundësisë për vdekjen e leader-it, përveçse nëpërmjet formulave të tilla liturgjike-magjike, ose supersticionit politik.

Vdekja e Enverit, si subjekt bisedash qoftë edhe të tipit “po sikur”, duhej shmangur me kujdes; dhe jo vetëm për të mos e ndjellë, por edhe ngaqë aparati përndryshe “perfekt” i ideologjisë së pushtetit totalitar nuk kishte përgjigje për të – vetë shteti i Enver Hoxhës nuk mund të përfytyrohej veçse si zgjatim i trupit “fizik” të leaderit, i cili i jepte atij shteti fytyrën “njerëzore.” Veç fëmijët do të guxonin ndonjëherë ta bënin pyetjen fatale: çdo të bëhet kur… e cila, për të rriturit e vetëdijshëm dhe besnikë të regjimit, do të shënonte fundin e botës. Që këtej edhe nevoja praktike për t’i besuar absurditetit të pavdekësisë së leader-it.

Kjo nuk do të thotë se Enveri vetë nuk kujdesej për pasardhjen – përkundrazi. Në një regjim absolutist si i tiji, pasardhja do të përfaqësonte edhe formën e vetme të arsyeshme të përjetësisë, të cilën publiku ia atribuonte lirisht dhe përditë, përmes dëshirash dhe yshtjesh irracionale. Kjo, ndryshe nga leaderë të tjerë, si Stalini ose Titoja, të cilët lanë pas vetes konflikt; sidoqë jo ngaqë ishin dritëshkurtër. Në të vërtetë, caktimi i një pasardhësi dhe kultivimi i tij politik bie ndesh me vetë parimin e unicitetit të leader-it; meqë një pasardhësi tashmë të zgjedhur ose të caktuar nuk i mbetet veçse të presë për vdekjen e para-ardhësit. Çfarë do thotë se, për një leader totalitar, vetë prania e pasardhësit përbën kërcënim.

Ndryshe nga monarkitë, ku pasardhja varet nga suksesioni familjar, dhe mbreti në parim e di që do të pasohet nga i biri (ose e bija), në një regjim totalitar pasardhja është gjithnjë produkt i marrëveshjes ose makinacionit politik; dhe i vetmi akt mirëfilli logjik i pasardhësit, në momentin që emërohet i tillë, do të ishte eliminimi ose likuidimi i leader-it ekzistues.

Regjimit totalitar të Hoxhës i është dashur të përballojë jo vetëm sfidën metafizike të vdekjes së leader-it, por edhe manifestimin e përditshëm të kësaj vdekjeje në vetë procesin e plakjes së leader-it vetë: plakja e të parit sjell me vete sëmundje, sklerozë, paranoja, luftë për pushtet mes bashkëpunëtorëve dhe kontroll të rritur të mjekëve në jetën e diktatorit. Prandaj vendimet që merreshin për mjekimin e Enver Hoxhës ishin me rëndësi kritike jo vetëm për trupin e tij, por edhe për shtetin e tij; aq më tepër që, me kalimin e viteve, preokupimi ndonjëherë edhe i shprehur haptazi “për të mos e lodhur shokun Enver” filloi të vlente si pretekst për monopolizim dhe personalizim të pushtetit në duar të tretësh.

Në kontekstin ku publiku është mësuar me idenë e pavdekësisë së leader-it, duke ia bashkëlidhur këtë qëndrueshmërisë së shtetit vetë, institucioneve dhe organizatave politike (“Rroftë diktatura e proletariatit!”, Rroftë Komiteti Qendror i PPSH-së!”), atëherë vdekja e leader-it, qoftë edhe për arsye moshe ose shëndetësore, do të interpretohet shpesh në mos vetvetiu si vrasje politike, ose efekt i një kospiracioni të suksesshëm. Jo rrallë, në konspiracione të tilla janë përzier dashur pa dashur mjekët – si në rastin e Stalinit, në Bashkimin Sovjetik; ose siç po del tani nga disa thashetheme, akuza dhe kundërakuza të tanishme për vdekjen e Enver Hoxhës.

Kur akuza për vrasje të leader-it, ose qoftë edhe për përshpejtim të vdekjes natyrore, vjen nga rrethi i ngushtë familjar ose i bashkëpunëtorëve ose i mjekëve, kjo lë të kuptohet se për këtë kategori vrasja politike mbetet gjithnjë një opsion; versione të ngjashme kanë qarkulluar me këmbëngulje edhe për Hysni Kapon, dhe natyrisht për Mehmet Shehun (këtë herë, në kundërvënie me hipotezën sërish konspiraciste të vetëvrasjes). Ideja irracionale se mjeku të ka në dorë jo vetëm jetën, por edhe vdekjen, dhe që në çdo moment mund të zgjedhë midis njërës dhe tjetrës materializohet në bindjen se, nga njerëzit që ka afër leader-i i sëmurë, mjekët kanë më tepër gjasë se të tjerët për ta likuiduar, sepse për mjekët tabuja e trupit fizik të leader-it nuk vepron; madje roli i tyre, krahas plakjes së këtij leader-i, është ta marrin këtë trup fizik nën mbikëqyrje dhe të kujdesen për mirëmbajtjen e tij.

Shto këtu edhe faktin e arsyetuar se një leader plak, i sëmurë, i dobësuar dhe shpesh edhe i currufjepsur mund të manipulohet fare lehtë nga dikush tjetër i entourage-it, duke filluar nga e shoqja ose ndihmësit privatë; dikush gjithsesi i papërshtatshëm a i padenjë për të marrë në kontroll pushtetin qoftë edhe thjesht ad interim; për të nxjerrë përfundimin, gjithnjë të arsyetuar, se në këto rrethana përshpejtimi i vdekjes nga ana e mjekëve është në interesin e vetë mbarëvajtjes dhe vijueshmërisë së shtetit (raison d’état): cilitdo shtet.

Siç e mbajmë mend, vitet e fundit të jetës së Enver Hoxhës që tashmë lëvizte në karrigen me rrota të shtyrë prej mjekëve, shoqëruesve dhe familjes, ishin edhe vitet e katastrofës politike, sociale dhe ekonomike në Shqipëri – gjatë të cilave pati përndezje të terrorit politik, krizë në politikën e jashtme, zbrazje të tregut, varfërim të thellë të familjeve dhe mbyllje pothuajse të plotë ndaj botës, pa llogaritur luftën vëllavrasëse në majë të kupolës. Edhe pse Hoxha vetë mbeti gjallë gjatë kësaj kohe, periudha do të hyjë në histori si interregnum-i i mirëfilltë për regjimin, me të gjitha pasojat e kobshme që i njohim. Meqë shteti totalitar nuk i ndan dot “dy trupat e mbretit” (Kantorowicz), në kuptimin politologjik të këtij termi, atëherë sëmundja fizike e leader-it u lejua të molepste krejt makinën e shtetit, aq sa energjitë politike të shtetit të kanalizohen gjithnjë e më tepër drejt nevojës për të mbrojtur shëndetin dhe për të siguruar mbijetesën e të dy trupave të leader-it.

Marrë nga Peizazhe.com

Shpërndaje në: