A ju bën pica më produktiv në punë?
Ngrënia e picës mund t’ju bëjë më produktiv në punë, thotë një studim i ri.
Psikologu i njohur Dan Ariely, i cili po kompleton librin e tij të ri mbi motivimin e njeriut, ka kryer një eksperiment në fabrikën e Intel në Izrael, ku produktiviteti thjesht mund të matet nga sasia e çipave të prodhuar, për të kuptuar më mirë motivimin njerëzor.
Eksperimenti u ndoq nga 4 grupe të të anketuarve. Grupi i parë në fillim të javës mori një mesazh me premtimin se nëse çdo ditë i mbushin kuotat e tyre të përditshme, do të merrnin pica në fund të javës. Grupi i dytë i të anketuarve për të përmbushur kuotat e përditshme iu premtua një shpërblim në të holla, rreth 20 funta, grupit të tretë iu premtua falënderimi me shkrim nga ana e shefit, ndërsa grupi i katërt (grupi i kontrollit) nuk ka marrë ndonjë mesazh.
Në fund të ditës së parë motivuesi më i fuqishëm ishte pica – produktiviteti i grupit që iu premtua picë u rrit me 6,7 për qind në krahasim me grupin e kontrollit.
Grupi që duhej të merrte vetëm lavdërim me shkrim u rendit i dyti me rritje të produktivitetit prej 6,6 për qind, derisa grupit të cilit iu premtuan të holla rriti produktivitetin me 4,9 për qind. Por, ky grup në fund të javës ishte madje 13,2 për qind më pak produktiv, transmeton KosovaPress.
Në fund të eksperimentit u konkludua se grupi, të cilit iu premtua lavdërim me shkrim nga shefi, ishte grupi më produktiv, derisa grupit që iu premtua picë doli në vendin e dytë. Megjithatë, nuk janë konfirmuar arsyet për shkak të të cilave falënderimi i shefit ishte motivues aq i fortë. Për çdo rast, u konfirmua se paratë nuk janë e vetmja gjë që mund të motivojë të punësuarit. Ushqimi i shijshëm dhe shefi që ju çmon ndikojnë po ashtu!