Pa dorëza
Para disa ditësh, isha pjesë e një ndodhie te cuditshme. Isha në një taksi, dhe na ndaloi Policia. Normalisht, polici po fillon me proceduren standarde. I kërkoi lejen e vozitjes dhe dokumentet e veturës. Taksisti, pa hezitim ia dha ato. Deri këtu, gjithçka dukej normale. Polici filloi t’ia numëronte shkeljet ligjore që ai kishte bërë. Sic shihej, makina e taksistit kishte 4 vjet e 6 muaj që nuk ishte regjistruar. Madje, ai nuk kishte as kontratë mbi shitblerjen e makinës. Kjo e bëri policin që të dyshonte mbi faktin se a ishte kjo makina e tij në radhë të parë. Më tutje, taksisti nuk kishe as leje për të punuar. Kur polici e pyet se pse punon pa leje, ai i përgjigjet prerazi: “Me këtë punë e mbaj familjen time”. Polici, i shpjegon taksistit që deri tash, pa i listuar detajisht, ai ka shkelur mbi 9 norma ligjore. I kërkon të më lë mua në destinacion dhe të ndalojë së vepruari. Pastaj, e lëshon. Ky niset, dhe e nxjerrë nje Iphone 6 nga xhepi i djathtë i tij, dhe i lajmron shoket e tij taksistë që të mos sillen nga ajo rrugë se pse mund ta pësojnë nga Policia. Kështu, shumë të tjerë, i ikin ligjit dhe ndëshkimit, dhe vazhdojnë të mos respektojnë rregullat.
Të largohemi nga ky shembull për një moment. Le të bëjmë dallimin mes individit si subjekt social dhe juridik. Termi ‘social’ i referohet ndërveprimit të organizmave dhe ekzistencës së tyre kolektive, pavarësisht nëse këto veprime bëhen në mënyrë racionale apo jo. Pra, njerëzit natyrshëm cyten për t’iu konformuar normave sociale, sepse nga kjo ata arrijnë të mbijetojnë socialisht. Në anën tjetër, personi juridik është një entitet legal, puna e së cilit diktohet nga ligjet me qëllimin e shërbimit ndaj institucionit që ia jep këtë autoritet. Është e qartë: legalja nuk mund të ekzistojë pa socialen. Mirëpo, gjatë ekzekutimit të detyrave legale, socialja duhet pezulluar. Me fjale të tjera, Polici, duhet të mendojë si një shërbëtor i ligjit dhe jo si një qytetar. Duke mos bërë këtë dallim, ai, dëmton institucionin i cili është krijuar për të mirën e qytetarit. Kështu, paradoksalisht, me bindjen që ai po bën mirë, po e dëmton vet’ qytetarin, pra, rrjedhimisht, edhe veten.
Ndikimi i kësaj mënyrë të vepruarit rrallëherë është diskutuar tek ne. Në këtë paragraf, unë do të shqyrtoj disa nga efektet e mundshme. Së pari, duhet theksuar që njerëzit i binden shtetit si aparat i cili mirëmban kushtet mbi të cilat zhvillohet aktiviteti i llojllojshëm njerëzor. Tom R. Tyler thoshte që ky raport bazohet mbi nevojën për jetë kualitative. Pra, njerëzit me vetëdije, duke u bërë pjesë e një shteti, pranojnë të ‘diktohen’nga po ai. Ky diktim bëhet përmes direktivave ligjore me të cilat shumica pajtohet të udhëhiqet. Ky diktim sipas tij nuk është vetëm njëkahor. Edhe pse qytetari obligohet me këto norma, është ai që ka kërkuar krijimin e tyre. Institucionet mirëmbajnë në forma të ndryshme këto norma. Nëse zyrtaret nuk kanë vetëdije institucionaliste (pra, vendosin të mos jenë subjekt legal), raporti Shtet – Qytetar zhbëhet automatikisht. Qytetari nuk krijon kurrëfarë lidhje emotive me shtetin, e kësisoj bëhet imun ndaj obligimit për të iu nënshtruar atij. Shteti na duket si “I huaji”. Thuajse e ka bërë dikush tjetër. Edhe ata pak qytetarë, të cilët e kanë respektuar ato rregulla, nxiten të mos e bëjnë në një gjë të tillë. Tek e fundit, pse do të duhej?
Rrjedhimisht, aftësia jonë për të imponuar rregull përbrenda shoqërisë duket të jetë inekzistentente pothuajse në çdo dimenzion shoqëror. Kjo ndodhë pothuajse në cdo instancë institucionale. Prej pozitës më të thjeshtë deri te ajo me përgjegjësinë më të madhe. Ne ballafaqohemi çdo ditë e më shumë raste të zyrtarëve të cilët ‘mbyllin njërin sy’. Pa krijuar cytje për mohim të Shtetit Dërrzhavë, nuk do të ketë shtet. E këtë ndryshim se bën dashuria ndaj Çamerisë ose Tiranës. E bën përkushtimi për të imponuar respekt e obligim ndaj parimeve që janë konstruktuar për të i shërbyer mirë qeniës së vet’ qytetarëve të Republikës. Le të flasim pa dorëza. Ka ardhë koha që Shteti i Republikës së Dërrzhavës të bëhet Shteti i Republikës së Qytetarëve.