“Vdekja” e gazetës

“Vdekja” e gazetës

Sa keq janë gjërat për shtypin?

Shumë keq. Tirazhi i gazetave dhe të ardhurave nga reklamat po bie me shpejtësi marramendëse. “The Sun” në Britani kishte një tirazh prej më shumë se tre milionë në vitin 2010; në fillim të këtij viti, kishte rënë në 1.7 milionë. “The Daily Telegraph” ra nga 691,000 në 488,500 gjatë po të njëjtës periudhë; “The Guardian”, nga 302,000 në 166,500. Këtë pranverë, “The Independent” pushoi së ekzistuari si një gazetë e shtypur.

Që nga viti 2005, më shumë se 300 gazeta lokale në Britaninë e Madhe janë mbyllur. E njëjta gjë ka ndodhur në pjesën më të madhe të botës perëndimore. Sipas Shoqatës Botërore të Gazetave dhe Botuesve të Lajmeve, gjatë pesë viteve të fundit tirazhi i gazetave ka rënë me 23.9 për qind në Evropë dhe 11 për qind në Amerikën e Veriut. (Ndonëse falë rritjes në Indi, Kinë dhe gjetkë, në novel global ai është rritur me 22 për qind: rënia e gazetës së shtypur është problem i Botës së Parë).

Përse po ndodh kjo gjë?

Në një fjalë të vetme: prej Internetit. Modeli i vjetër i biznesit për gazetat ishte “mbulimi i çmimit plus reklamat”. Tani që lajmet botohen falas në Internet, shitjet e gazetave janë goditur keq. Reklamat po zhvendosen nga shtypi në internet: Të ardhurat nga reklamat për gazetat e shtypura në Mbretërinë e Bashkuar ranë me 11 për qind në vitin 2015, ose 150 milionë stërlina – më shumë se fatura e pagave të “The Times”, “The Sunday Times” dhe “Daily Telegraph” të marra së bashku. Për vite me radhë, gazetat kishin shpresuar të mbërrinin në një pikë kompensimi, ku të ardhurat nga reklamat online do të mbushnin boshllëkun e shkaktuar prej gazetave të shtypura.

Kjo nuk ka ndodhur. Reklamat online nuk sjellin shumë të ardhura – zakonisht më pak se 10 për qind të të ardhurave totale. Për shembull faqja shumë e suksesshme “Mail Online” ka 14 milionë vizitorë në ditë, megjithatë të ardhurat e saj në 2015, afro 73 milionë sterlina, ishin shumë më pak se sa biznesi i gazetës së shtypur të Mail. Një tjetër pionier i gazetarisë digjitale, “The Guardian” ka një prani shumë të madhe online, por nga pikëpamja financiare është në vështirësi – në vitin 2015 pati humbje prej 69 milionë stërlina. Oreksi për lajme është i fortë si gjithmonë – ndoshta edhe më i madh – por gazetat vuajnë për të “monetizuar përmbajtjen”.

Përse nuk sjellin të ardhura reklamat online?

Reklamat e klasifikuara ishin dikur një burim i madh të ardhurash për gazetat, por këto janë “gëlltitur” kryesisht prej faqeve të specializuara si AutoTrader, PrimeLocation dhe eBay. Biznesi i reklamave online është i dominuar prej aktorëve të mëdhenj digjitalë, si Google dhe Facebook, që përthithin pjesën më të madhe të shpenzimeve për reklama: Në Britaninë e Madhe, fitimet e Google vitin që kaloi ishin 4.92 miliardë stërlina. Ato kontrollojnë mënyrën se si konsumohen pjesa më e madhe e lajmeve – Facebook dhe Google kanë portalet e tyre të lajmeve, ndërkohë që Apple ka një aplikacion të ri – gjë që u jep shumë avantazh. Dhe programet e bllokimit të reklamave online e rrisin vështirësinë për këtë lloj tregu.

Po sikur të kërkohet pagesë për materialet?

Një numër titujsh i ofrojnë materialet e tyre me pagesë, ose kanë adoptuar një sistem ku ofrojnë vetëm disa artikuj falas në muaj. Kjo gjë funksionon për botimet vërtetë cilësore me përmbajtje të specializuar: për shembull, Financial Times kishte 566000 të regjistruar digjitalë në vitin 2015. The Times, The Sunday Times dhe The Daily Telegraph janë gjithashtu me pagesë, dhe duket se kanë sukses – por kjo gjë redukton shumë trafikun në rrjet. Shumë gazetave u është dashur të pranojnë se kjo gjë thjeshtë nuk funksionon. Vitin e kaluar, The Sun i dha fund, pasi kishte tërhequr vetëm 250 000 lexues të regjistruar.

A fitonin ndonjëherë para gazetat?

Disa prej tyre kanë qenë shumë fitimprurëse. Siç thoshte Rupert Murdoch në vitin 2005, ato ofronin “lumenj me flori”. Por ndonjëherë, shtoi ai, “lumenjtë thahen”. Sipas Financial Times, fitimet e liderëve të tregut – The Daily Telegraph, The Daily Mail dhe The Sun – ranë me 40 për qind në dekadën e fundit. E vërtetë, disa gazeta cilësore kanë vuajtur edhe në të kaluarën, por ato mbështeteshin prej trusteve jofitimprurëse (The Guardian), apo nga grupe të mëdhenj fitimprurës (The Times). Problemi i madh ështëse, mënyra si njerëzit konsumojnë lajmet, ndoshta ka ndryshuar përgjithmonë.

Si ka ndryshuar konsumi i lajmeve?

Gazeta tradicionale është enciklopedike: ajo bën bashkë pak nga gjithçka – lajme, komente, sport, kulturë, stil jetese. Por sot, lexuesit online kanë prirjen të kalojnë nga një faqe interneti në tjetrën, duke u fokusuar tek ato që lidhen me interesat e tyre të veçanta – lehtësia e botimit në internet, ka bërë të mundur krijimin e një numëri të madh faqesh të vogla të specializuara. Sipas një studimi të OECD në vitin 2010, leximi online është shumë më “ad hoc, i parregullt dhe sporadik”, sidomos mes të rinjve. Kështu që, përpjekja për të përsëritur gazetën e përditshme në internet, mund të jetë e destinuar të dështojë. Në të kundërt, gazetat e fundjavës kanë mbajtur shumë më mirë.

A ka rëndësi rënia e gazetës?

Rënia e të ardhurave nënkupton që ditët e redaksive të mëdha janë të numëruara. Mes viteve 2001 dhe 2010, numri i gazetarëve në Mbretërinë e Bashkuar ra me pothuaj një të tretën. Disiplinat – kontrolli i fakteve, trainimi, akreditimi – që karakterizojnë gazetarinë serioze janë në rrezik. Siç thotë Katharine Viner, Kryeredaktore e The Guardian, “redaksitë janë në rrezik që të humbasin atë që ka më shumë rëndësi në gazetari: zbulimin e atyre gjërave që dikush nuk do që ju ti dini, përmes ‘daljes në rrugë’, kërkimeve, pyetjeve sfiduese”. Ashtu si e sheh ajo, lajmet do të dominohen gjithnjë e më shumë nga artikuj që shërbejnë si “karrem për klikime” – artikuj të ricikluar që janë shkruar që në krye të herës për të tërhequr trafikun në internet, kjo në dëm të debatit demokratik. Do të jetë e vështirë të ruhen investigimet e gjatë dhe të hollësishëm.

A është vërtetë kaq i zymtë horizonti?

Jo. Shumica e gazetave të mëdha janë duke mbijetuar, ndonëse jo duke lulëzuar, dhe ulja e barrierave të futjes në këtë biznes ka sjellë një seri faqesh të reja që kanë ndihmuar për prishjen e monopolit të disa pak organizatave të lajmeve. “Shoqëria nuk ka nevojë për gazeta. Ajo për të cilën kemi nevojë, është gazetaria”, argumentonte disa vite më parë guruja i Internetit, Clay SHirky. Por sërish, gazetaria e mirë është e kushtueshme. Ajo për të cilën kemi vërtetë nevojë janë mënyrat për ta financuar. /Përgatiti: bota.al/

Shpërndaje në: