Iluzioni i lirisë në epokën digjitale

Iluzioni i lirisë në epokën digjitale

LONDËR – Në javët e fundit, media gjithandej botës është mbushur me artikuj që tregonin sesi teknologjia po e shkatërronte politikën. Në një autokraci si ajo e Kinës, frika është nga shteti i ultra-fuqizuar si në Big Brotherin e novelës 1984, të shkruar nga George Orwell. Në një demokraci si ajo e Shteteve të Bashkuara, shqetësimi është se kompanitë teknologjike do të vazhdojnë të përkeqësojnë polarizimet politike dhe sociale duke ndihmuar përhapjen e dizinformatave dhe duke krijuar ‘flluska filtri” ideologjike që çojnë në distopinë e Aldous Huxley-t, Brave New World.

Në fakt, duke e sjellë një konvergjencë mes demokracisë dhe diktaturës, teknologjitë e reja i bëjnë të duken të dyja këto vizione distopike të pamundura. Por kjo nuk do të thotë, që nuk ka asgjë për t’u frikësuar.

Shumë mbulueshmëri mediale së fundi iu dha Kongresit të 19 të Partisë Komuniste Kineze [CPC] ku Presidenti Xi Jinping po e konsolidonte pushtetin e tij. Ai është, siç paralajmërojnë observuesit, duke krijuar një diktaturë të epokës së informacionit, në të cilën teknologjitë prej të cilave pritej të sillnin liri për 1,4 miliard banorët kinezë, tashmë po ia mundësojnë të forcojë autoritetin e tij. Duke iu ofruar qeverisë informacione tejet të detajuara për nevojat, ndjenjat dhe aspiratat e kinezëve të rëndomtë, interneti i mundëson liderëve kinezë që të zbusin pakënaqësitë. Me fjalë të tjera, tanimë ata përdorin Të Dhëna të Mëdha [BIG DATA], dhe jo forcën brutale, për të siguruar stabilitet.

E të dhënat janë me të vërtetë të mëdha. Më shumë se 170 milionë kamera mbikëqyrjeje fytyrë-dalluese e mbulojnë çdo hap që qytetarit e qesin. Sistemi i sigurisë së inteligjencës artificiale mund t’i dëftojë të dyshuarit për ndonjë krim derisa ata e ngasin biçikletën ndanë liqenit ose derisa blejnë ndonjë send nga shitësit e rrugës, duke e thirrur menjëherë policinë.

Partia komuniste kineze po e përdor teknologjinë për të menaxhuar edhe radhët e saj, duke zhvilluar dhjetëra aplikacione për të komunikuar me anëtarët. Në ndërkohë, i bllokon disa prej pjesëve të teknologjisë: duke i detyruar të gjitha kompanitë teknologjike që të kenë serverë në Kinë, duke iu nënshtruar kësisoj censurës së saj.

Impakti i teknologjisë në politikën amerikane ishte edhe më i dukshëm, por është analizuar me konceptet e tregut, më shumë se me ato të shtetit. Ndër disa prej tregimeve më pikante ishte roli që luajti ‘fake news’ në rezultatet zgjedhore presidenciale të vitit të kaluar. Facebooku e ka pranuar se 126 milionë amerikanë mund të kenë lexuar ‘lajme të rreme’ gjatë fushatës zgjedhore.

Së fundmi, Hetuesi Special Robert Mueller, po e kryen një hetim në lidhje me atë nëse fushata e Presidentit Donald J. Trump ishte ndihmuar nga interferenca e Rusisë. Ai e akuzoi shefin e fushatës së Trumpit, Paul Manafort-in me 12 akuza – përfshirë “konspiracionin kundër Shteteve të Bashkuara” – për veprimet e tij para fushatës. Këshilltari i jashtëm në fushatën e Trumpit, George Papadopoulos, ishte dënuar që e kishte gënjyer FBI-në rreth takimeve me individë që lidheshin me qeverinë ruse gjatë fushatës, megjithëse ishte deklaruar fajtor dhe po bashkëpunonte me hetuesit që në verë.

Por përtej këtyre zhvillimeve dramatike ka një ankth më të gjerë lidhur me aftësinë e kompanive teknologjike që të kontrollojnë informacionet që iu japin njerëzve. Me algoritmet sekrete të tyre që determinojnë mënyrën sesi e perceptojmë botën, është duke u bërë gjithnjë e më e zorshme për njerëzit që të marrin vendime duke qenë të vetëdijshëm për to – çka filozofët e perceptojnë si dimensionin bazik të vullnetit të lirë.

Kompanitë e mëdha teknologjike, vlejnë më shumë se GDP-ja e disa shteteve bashkë, e kështu po kërkojnë të maksimizojnë profitet, dhe jo mirëqenien sociale. E prapë, në kohën kur vëmendja po e zëvendëson paranë si komoditetin më të vlefshëm, impakti i vendimeve që ato marrin është tepër i madh. James Williams, një ingjinjer i Google që u bë akademik, argumenton se epoka digjitale e ka formuar një garë të egër për vëmendjen tonë, dhe vetëm pak kanë përfituar më shumë se Trumpi, që është për Internetin njësoj siç ishte për televizionin Ronald Reagan.

Në të njëjtën kohë, impakti i teknologjisë në politikë është relativisht i pavarur nga tipi i regjimit. Teknologjia po e mjegullon dallimin mes shoqërive të hapura dhe të mbyllura, dhe ndërmjet ekonomive të lira dhe jo të lira, duke e bërë të pamundur për secilën që të ekzistojë në formatin ideal.

Duke zbuluar mbikëqyrjen masive qeveritare nga NSA-ja, Edward Snowden e bëri të qartë se dëshira e shteteve për të ditur gjithçka nuk kufizohet me Kinën. Krejt e kundërta.

Në Kinë, gjërat po lëvizin në drejtimin e kundërt. Qeveria kineze po bën presion të vazhdueshëm te kompanitë e mëdha teknologjike që t’i japin rol direkt në vendim-marrje – dhe qasje direkte në të dhënat  e tyre. Në të njëjtën kohë, sidoqoftë, interneti po e ndryshon natyrën e politikës dhe ekonomisë kineze, duke i shtyrë të dyja të jenë më të përgjegjshme ndaj nevojave të konsumatorëve.

Për shembull, një shok që punon për kompaninë kërkimore Baidu më shpjegoi sesi kjo kompani po provon të rris cenzurën te konsumatorët, duke i testuar mënyrat në të cilat njerëzit preferojnë të censurohen. Jack Ma i gjigantit Alibaba mendon se Kina mund të përdorë Të Dhënat e Mëdha që të përcaktojë intervenime shtetërore të kalibruara që do të mundësonin ta performonte më keq ekonominë e tregut të lirë. Në dekadat që vijnë, beson Ma, “ekonomia jo e lirë, ose e planifikuar do të rritet gjithnjë e më shumë.”

Në epokën digjitale, rreziku më i madh nuk është që teknologjia do t’iu jap liri shoqërive autokratike në rritje. Rreziku është që frikërat e Orwellit dhe Huxleyt do të bëhen manifeste të të dyja tipeve të sistemit, duke krijuar një lloj tjetër distopie. Shkaku i dëshirave më të thella, qytetarët do të kenë iluzionin e lirisë dhe fuqisë. Në realitet, jetët e tyre, informacioni që marrin, dhe zgjedhjet që bëjnë do të përcaktojnë algoritmat dhe platformat që kontrollohen nga elita qeveritare ose korporata të papërgjegjshme. Project Syndicate | Përkthyer nga Periskopi

Shpërndaje në: