Ne i duam teoritë konspirative – dhe kjo është simptomë e një sëmundjeje të thellë sociale

Ne i duam teoritë konspirative – dhe kjo është simptomë e një sëmundjeje të thellë sociale

Të enjten e shkuar Donald Trump autorizoi lëshimin e gati 3 mijë dokumenteve të papublikuara më parë, që lidhen me vrasjen e presidentit Kennedi në vitin 1963. Çka mësuam? Në të vërtetë, jo aq shumë.

Kjo ishte teoria konspirative më e madhe në Amerikë që iu dha frymëzim edhe konspiracioneve tjera. Trumpi, nëse kujtoheni, e nisi karrierën e tij politike me të ashtuquajturën lëvizjen e ‘lindjes’ që thoshte se Obama nuk ishte lindur në Hawaii por në Kenya, dhe prandaj nuk ishte i pranueshëm për të garuar për president [dhe që poashtu në mënyrë të fshehtë ishte mysliman].

Por teoritë konspirative nuk janë një fenomen thjesht amerikan. Dy studime – të parat e këtij lloji – të bëra nga YouGov në bashkëpunim me Universitetin e Cmbridge-it, njëri në shkurt të 2015-s dhe tjetri në Mars të 2016-s, tregojnë se britanikët besojnë poaq sa amerikanët në teori konspirative. Ndërsa 19% e amerikanëve besojnë se 11 shtatori ishte një punë e brendshme, 11% e britanikëve e ndajnë të njëjtin mendim. Ndërsa 18% e britanikëve besojnë se ndryshimet klimatike janë rrenë, këtë mendim e ndajnë  13% e qytetarëve në Shtetet e Bashkuara.

Në fakt, më shumë se gjysma e popullsisë në të dy anët e Atlantikut beson të paktën në një teori konspirative. A kishin alienët kontakt me Roswellin? A ishte filmuar zbarkimi në hënë në një studio të Hollywoodit? Pse Ndërtesa 7 në Qendrën Botërore të Tregtisë ra vetë? Çfarë ndodhi në të vërtetë me Princeshën Diana? Mendoni për këto: vetëm njëherë në jetën tuaj ju e keni pyetur veten për to.

Rol të madh veç ‘fake news’-it në zgjedhjen e Donald Trumpit dhe në Brexit kanë pasur edhe konspiracionet e ndryshme. Duhet të shikojmë diçka me kujdes. Në studimin e bërë më 2015, 55% e respondentëve u pajtuan me fjalinë: “Qeveria vullnetshëm po e fsheh të vërtetën për atë se sa imigrantë jetojnë në këtë vend.” Dhe 52% prej tyre u pajtuan me pikëpamjen se: “Zyrtarët në Bashkimin Evropjan gradualisht po kërkojnë të marrin të gjitha fuqitë ligjvënëse në këtë vend.”

Mendoni seriozisht për këtë: një vit para referendumit, gjysma e britanikëve besonin se kishte tepër shumë imigrantë në vend dhe që BE-ja po komplotonte që të merrte pushtetin nga Mbretëria e Bashkuar – dy argumente që ishin në favor të lënjes së BE-së. Duket se shtypi i djathtë ka arritur ta çojë përpara agjendën e saj anti-Bruksel. Dhe mesiguri e dini se 52% e britanikëve votuan për të lënë BE-në në referendum.

Në pyetjen për imigrantët, kjo ishte përgjigjja sipas partive: 87% e Ukip-it ishin pajtuar, në krahasim me 52% të konservotorëve, 57% të laboristëve dhe 37% të liberaldemokratëve.

Votuesit e djathtë duket se kanë qenë kundër BE-së për goxha kohë, gjë që sot ia pamundëson Theresa May-it [kryeministre] të ketë tjetër opsion veç një shkëputjeje të plotë.

Në vitin 2016, disa muaj para referendumit, sentimenti anti-emigrim ishte shumë i lartë, por më i lartë se në Britani ishte vetëm në një vend: në Gjermani. Kjo ishte pjesërisht si përgjigjje ndaj vendimit të Angela Merkelit për t’i lejuar 1 milionë refugjatë sirianë të hynin në atë vend gjatë verës së 2015-s. Në këtë kontekst, ndodhi edhe rritja e partisë së djathtë ekstreme që ishte kundër emigrimit, Alternativa Për Gjermaninë, që ia doli të hynte në parlamentin gjerman [për herë të parë]muajin e kaluar.

Mund të gjesh teoristë të konspiracioneve në çdo fushë të jetës – dhe kështu stereotipet mbesin: burrat e bardhë të moshës së mesme që kanë edukim të ulët shkollor dhe që janë të papunë është më e mundshmja të jenë konspirativë. Me të vërtetë, është sensi i përjashtimit që i karakterizon konspiraiconistët: ata që e refuzojnë sistemin politik në tërësi, që kanë mosbesim të plotë ndaj të gjitha institucioneve politike, dhe ata që nuk votojnë. Dhe nëse votojnë, votojnë për ekstreme – si në këtë rast, për Ukipin.

Nuk janë teoritë konspirative të cilat bëjnë që njerëzit të zhgënjehen me demokracinë, por është zhgënjimi me demokracinë ai që çon në teori konspirative. Teoritë konspirative janë simptoma e një sëmundjeje të thellë në zemër të shoqërive tona: përjashtimit ekonomik dhe politik. Në studimin e 2016-s, që u bë në pesë shtete tjera të Evropës [Gjermani, Itali, Poloni, Portugali dhe Suedi] u gjet se shtetet të cilat janë më demokratike dhe më të barabarta [Suedia], kanë katër herë më pak besim në teoritë konspirative se ata që janë më pak demokratik dhe me një pabarazi më të madhe [Portugalia].

Brexiti e ka zbuluar atë sëmundje, duke ekspozuar qartë ndarjet e vendit. Dhe për më keq, nëse pasojat ekonomike që do t’i vuaj Britania do të jenë të rënda siç thonë disa, kjo do të bëj që vendi të ndahet edhe më shumë – dhe do t’i rris edhe më shumë teoritë konspirative. | GUARDIAN | PERISKOPI

Shpërndaje në: