“Pa kuptuar ekonominë, kot merremi me politikë”

“Pa kuptuar ekonominë, kot merremi me politikë”

Jo shumë shkrimtarë arrijnë të shkruajnë një libër vetëm për nëntë ditë, dhe edhe më të paktë janë ata që e pranojnë këtë gjë hapur në prologun e librit të tyre. Yannis Varoufakis nuk shqetësohet aspak për një gjë të tillë në librin për të cilin po flasim. Ai e rrëfen një histori të shkurtër të kapitalizmit për vajzën e tij, Xenian, e cila atëkohë sapo kishte hyrë në fazën e tinejxherllëkut. Së pari u botua disa vite më parë, kur ajo ishte edhe më e re, dhe është përditësuar për lexuesit britanikë vetëm disa javë më vonë. Politikanët dhe shkollarët natyrisht që merren me pritjet e lexuesve të tij; por edhe ai e bën po atë gjë, duke premtuar të shpjegojë ekonominë në një gjuhë të kuptueshme për secilin, duke përdorur gjuhë fare të thjeshtë pseudoshkencore të ekonomisë ‘mainstream’.

Ai beson, natyrisht me shumë të drejtë, se parakusht për demokracinë autentike është njohja dhe të kuptuarit bazik që qytetarët e rëndomtë kanë për ekonominë. Nuk ka dyshim se një gjuhë e re për fushën ekonomike është dëshpërimisht e nevojshme në këtë kohë – në mënyrë që qytetarët të jenë dukshëm më të përfshirë. Koment, Periskopi: Imagjinoni sa inautentike e fallse është demokracia kosovare duke parë sa pak njerëzit e njohin fushën më të rëndësishme që i jep formë jetës së tre, ekonominë.

Por të shkruash diçka kaq të thjeshtuar nuk është diçka e kollajshme. Ekspertët e ekonomisë zakonisht vendosin të fshihen pas një gjuhe tepër të zorshme për t’u zbërthyer, dhe e anashkalojnë në tërësi përdorimin e një gjuhe të kuptueshme. Diskursi i ditëve tona presupozon që ekonomia funksionon jashtë politikës, dhe që më e mira është t’iu lihet ekonomistëve profesionistë dhe matematikanëve që të merren me të. Varoufakis kërkon të rrënojë këtë presupozim: ai argumenton nga fillimi i librit se nëse e lëmë ekonominë vetëm te ekspertët e ekonomisë, atëherë praktikisht heqim dorë, nga angazhimi lidhur me problemet më të rëndësishme politike. Vendimet më të rëndësishme mirren nga këta ekspertë ekonomie e këta matematikanë.

Varoufakis e përdoron konceptin e Karl Polanyit “shoqëria e tregut” në libër, duke e anashkaluar termin që e përdorë shembull, ish-kryeministrja britanike Margaret Thatcher “ekonomia e tregut. Në një frazë të famshme të kësaj të fundit, thuhej se “nuk ka asnjë alternativë tjetër” për ekonominë e tregut. Ekonomisti grek Varoufakis është i vendosur të tregojë se politika mund të prodhojë gjithnjë alternativa të reja ekonomike – duke e kundërshtuar kështu ish-kryeministren.

Ai tregon se nga vijnë paratë me koncepte fare të thjeshta ashtu siç premton në prolog. Beson që paraja u shpik për të regjistruar borxhet, gjë që nënkupton se paraja dhe borxhi ishin të lidhura me njëra-tjetrën që nga antikiteti. Shkresat e para të regjistrimeve tregojnë sesi prodhime si drithërat u janë dhanë borxh farmerëve. Por ishte kthimi nga shoqëria feudale në një shoqëri të tregut që e bëri borxhin në “faktor fillestar” – që nuk mund të ketë përfitim pa borxhin duke presupozuar se bizneset duhej të merrnin hua në mënyrë që të rriteshin. Përhapja e borxhit krijoi poashtu jostabilitet dhe përplasje, mirëpo ishte borxhi dhe jo thëngjillimi ai që u përdor si “karburanti i vërtetë për të ndezur motorin e revolucionit industrial”.

Varoufakis bën një krahasim mjaft interesat mes parasë dhe cigareve si vlerë monetare në një kamp gjerman të të burgosurve të luftës për t’i dhënë shpjegim inflacionit, deflacionit dhe shkallëve të interesit, në koncepte të cilat çdo tinejgjer – apo çdo i mitur – do t’ia dilte t’i kuptonte. Në kamp, të burgosur marrin pako cigaresh nga Kryqi i Kuq. Me kalimin e kohës, siç ndodh rëndom në burgje, cigaret bëhen si paraja, marrin vlerë monetare me të cilat tregtohen gjëra tjera për të cilat të burgosurit kanë nevojë. Nëse në vazhdimësi Kryqi i Kuq do t’iu jepte të burgosurve më shumë e më shumë cigare, kjo do të nënkuptonte se cigarja do të ishte shumë e qarkullueshme në kamp, do të kushtonte më lirë, kështuqë për të blerë ndonjë gjë do të duheshin më shumë cigare (pra, më shumë para) – e ky me fjalë të tjera quhet inflacion. Koment, Periskopi: Një inflacion i tillë, ku para kishte me bollëk por ajo nuk kishte vlerë, e kishim përjetuar gjatë fillimit të viteve 90’-të në ish-Jugosllavi. Në rast të kundërt, pas një bombardimi shkatërrues, çmimet ulen dhe kësisoj cigaret që tymosen janë më të pakta, ama kanë vlerë shumë më të madhe (deflacioni). Cigaret e shpëtuara nga shkatërrimi – si metalet e çmuara që mund të jenë përdorur si monedhë – do të mund të ruheshin, dhe me kohë ‘bankierët’ do të nxirrnin krye, e të cilët do të huazonin cigare me interes të caktuar, duke u siguruar në vijimësi që huamarrësit t’iu kthenin më shumë se që kishin marrë hua. Për siguri, ata do të mund t’iu kërkonin që të burgosurit t’iu linin diçka peng, gjë e cila e shpjegon hipotekën bankare. Gjatë inflacioni, kur vlera e parasë është e ulët dhe e paqëndrueshme, interesi do të rritej. Gjatë deflacionit do të ndodhte e kundërta.

Një pjesë kyqe e analogjisë është kur Kryqi i Kuq vendos të mos sjellë më cigare, ose të vendos sa do të sjellë – atëherë këtu do të ndodhte vendosja e një banke të pavarur qëndrore. Mirëpo, ndërsa bankat qëndrore të ekonomive më të avansuara në botë janë formalisht të pavarura, Varoufakis beson që nuk është e mundur që institucione me kaq shumë fuqi, që mbledhin taksa e borxhe, të veprojnë jashtë politikës. Më shumë se te pasja e një banke qëndrore të pavarur si Kryqi i Kuq në kamp, thelbi qëndron te “të përfunduarit me një bankë qëndrore vendimet e së cilës mbeten politike si gjithnjë, përjashto faktin që nuk ka mbikëqyrje nga parlamenti”.

Për dallim nga Varoufakis, Margaret Thatcher kishte marrë një analogji tjetër: buxheti i shtëpisë dhe ekonomia. Ky qëndrim e hedhë nënkuptimin se ekonomia është shkencë neutrale, e ndarë nga politika. Për Varoufakisin, ekonomia është gjithmonë politike, sepse kushdo që e kontrollon paranë, në fakt e ka pushtetin: pikëpamjet e tij mbi borxhin paevitueshmërisht e reflektojnë përvojën e tij si ministër financash në Greqi gjatë vitit 2015. Kohë në të cilën Greqia dëshpërimisht kërkonte rinegocimin e borxhit të vendit në mënyrë që të zvogëlonte programin brutal të austerititit. Jo befasisht, talljen dhe kritikën më të madhe ai e bën ndaj bankave, të cilat thotë se është thelbësore t’i ruajmë, por nuk duhet t’i tolerojmë kur mundësojnë ofrimin e borxheve të papërballueshme për vendet e ndryshme. Pse të mos “i kthejmë në varfanjakë këta bankierë në mënyrë që t’i paralajmërojmë të tjerët që provojnë të bëjnë diçka të tillë?” – shkruan ai.

Varoufakis nuk kufizohet vetëm brenda fushës së ekonomisë, duke zbërthyer periudhën e antikitetit, periudhën paramoderne, industrializmin dhe periudhën e mëvonshme. Ai është poaq i mprehtë kur flet për të ardhmen ashtu si për të kaluarën, duke n’a sjellë ndërmend distopinë post-humane të stilit The Matrix.

Shpejtësia me të cilën ai e shkruajti këtë libër të lë pa fjalë. Ai ofron mundësinë për njohjen e një gjuhe të re, që do t’i shpërthente mitet në të cilat besojmë. Nëse mund të bënte diçka të tillë për kaq pak kohë, vetëm nëntë ditë, imagjinoni çka do të bënte për nëntëdhjetë.

Ndoshta, ky do të ishte edhe libri mbi ekonominë të cilin gjenerata e ardhshme po e pret. /Përktheu dhe përshtati, Periskopi

Shpërndaje në: