Veprimi i fundit i Rusisë, të gjithë duhet të shqetësohemi

Veprimi i fundit i Rusisë, të gjithë duhet të shqetësohemi

Ndërhyrja kibernetike e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 u shoqërua nga ajo që ekspertët amerikanë dhe evropianë përshkruajtën si një fushatë shqetësuese e Kremlinit për të rishkruar rregullat për hapësirën kibernetike globale.

Një projekt i një propozimi rus për një “Konventë të Kombeve të Bashkuara mbi Bashkëpunimin në Luftën kundër Krimeve të Informacionit” m’u prezantua së fundmi nga një ekspert i sigurisë i cili kishte një kopje.

Dokumenti prej 54 faqesh përfshin 72 nene të propozuar, që mbulojnë mbledhjen e trafikut të internetit nga autoritetet, “kodet e sjelljes” për hapësirën kibernetike dhe “hetimet e përbashkëta” të aktiviteteve keqdashëse. Gjuha tingëllon burokratike dhe e padëmshme, por ekspertët thonë se nëse miratohet, kjo do të lejonte Rusinë të shtrydhte hapësirën kibernetike edhe më shumë.

Konventa e propozuar e Kremlinit do të rriste aftësinë e Rusisë dhe të kombeve të tjera autoritare për të kontrolluar komunikimin brenda vendeve të tyre dhe për të fituar qasje në komunikimet në vende të tjera, sipas disa ekspertëve kryesorë kibernetikë të SHBA-së.

Ata e përshkruan projektin e fundit si pjesë të shtytjes së Moskës gjatë dekadës së fundit për të formësuar arkitekturën ligjore të asaj që strategët rusë e quajnë “hapësirën e informacionit”.

Propozimi u idejua nga Kremlini në fillim të këtij viti dhe u përvijua në një artikull të 4 prillit në Kommersant. E përditëtshmja e raportoi se ministria e jashtme ruse e kishte përshkruar konventën si një përpjekje “inovative” dhe “universale” për të zëvendësuar Konventën e Budapestit të vitit 2001, e cila është nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara dhe 55 vende të tjera, por është refuzuar nga Rusia. Kommersant tha se “autoritetet ruse panë një kërcënim për sovranitetin e vendit” në paktin e Budapestit

Oferta e Rusisë për të rishkruar rregullat globale nëpërmjet Kombeve të Bashkuara u përputh nga një këndvështrim personal në bashkëpunimin kibernetik në korrik, nga Presidenti Vladimir Putin me Presidentin Trump, gjatë Samitit të G20 në Hamburg. Putin “i mohoi me forcë” Trump-it se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet e SHBA-ve, tha Trump në një cicërimë.

Trump pastaj zbuloi një propozim të fshehtë: “Putin dhe unë diskutuam për formimin e një njësie të padepërtueshme të Cyber ​​Security në mënyrë që hakimi i zgjedhjeve, dhe shumë gjëra të tjera negative, të ruhen dhe të jenë të sigurta”.

Sugjerimi i Trump që Amerika t’i bashkohet Rusisë në  provokoi një stuhi reagimesh në Shtetet e Bashkuara. Një komentator shkroi në Twitter: “Kjo është sikur FBI t’i kërkonte mafies të formojnë së bashku një njësi kundër krimit”.

Shtëpia e Bardhë u tërhoq pas deklaratës së Trump. Këshilltari i sigurisë së brendshme Tom Bossert u tha gazetarëve më 14 korrik: “Unë nuk besoj se SHBA dhe Rusia kanë arritur ende deri në atë pikë në hapësirën kibernetike. Dhe derisa të bëjmë diçka të tillë, nuk do të kishim biseduar për partneritetin”.

Shumë ekspertë kibernetikë të SHBA-ve ndajnë pikëpamjen e Bossert se ndonëse çdo traktat formal ose partneritet me Moskën tani është i pamatur, diskutimet e qeta për ndërtimin e besimit mund të jenë të dobishme. Ato mund të përfshijnë kontaktet ndër-ushtarake ose teknike për të eksploruar mënyrën se si të shmangen ngjarjet katastrofike kibernetike që mund të dëmtojnë sistemet strategjike ose të paraqesin rrezik sistemik.

Zyrtarët amerikanë dhe rusë kishin mbajtur një dialog të tillë për të shqyrtuar normat për internetin, por deri më tani kanë qenë një rrugë pa drejtim. Rusët u drejtuan nga Andrey Krutskikh, një zyrtar i ministrisë së jashtme, i cili është këshilltar kibernetik i Putinit; dhe në anën amerikane, nga Christopher Painter, i cili ishte kreu kibernetik i Shtëpisë së Bardhë nën Presidentin Barack Obama dhe më pas koordinator kibernetik në Departamentin e Shtetit, një post të cilin ai la këtë vit.

Këto kontakte janë të ndjeshme, por ato janë zhdukur pasi marrëdhëniet SHBA-Rusi janë përkeqësuar. Një grup pune i nivelit të lartë ndaloi së u takuari pasi Rusia pushtoi Ukrainën në 2014.

Një grup ekspertësh qeveritarë të sponsorizuar nga OKB mbi Sigurinë e Informacionit u shkri në qershor pasi nuk arritën konsensus mbi masat për përmirësimin e sigurisë së informacionit. Propozimi bilateral i Putinit në Hamburg u zhduk shpejt pas miratimit të parakohshëm të Trump.

Rusët, ndërkohë, vazhdojnë fushatën e tyre për të rregulluar hapësirën kibernetike sipas kushteve të tyre, duke mobilizuar aleatët për të mbështetur alternativat e tyre ndaj konventës së Budapestit; Ankesa më e madhe e Moskës është se kuadri i Budapestit, në nenin 32 (b), lejon pronarët e të dhënave të kontrollojnë përdorimin e tyre, në vend të qeverive. Moska dëshiron kontroll shtetëror të informacionit.

Rusia mori një mbështetje globale për përpjekjet e saj në një mbledhje të shtatorit në Xiamen të Kinës, të të ashtuquajturve vende të BRICS: Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut

Në deklaratën e tyre zyrtare, vendet “e njohin nevojën për një instrument universal detyrues rregullator për luftimin e përdorimit kriminal të TIK-ve [teknologjive të informacionit dhe komunikimit] nën patronazhin e OKB-së”. Vendet “e mirëpresin iniciativën” e Rusisë në kërkimin e një pakti të tillë obligues.

Nëse ngjarjet e vitit të kaluar na kanë mësuar diçka, kjo është se Rusia e sheh informacionin si një armë vendimtare politike dhe dëshiron të kontrollojë këtë hapësirë të mundshme beteje.

Ana rregullatore globale e kësaj gare nuk merr shumë vëmendje, por mund të ndihmojë në përcaktimin nëse kanalet e hapura të informacionit do të mbijetojnë në epokën e autokratëve. The Washington Post

Shpërndaje në: