Përse nuk votojmë nga kompjuteri?

Përse nuk votojmë nga kompjuteri?

Meqenëse jemi në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, të bashkangjitur e keni një shkrim nga unë lidhur me votimin elektronik (ang. e-voting) dhe sfidat teknologjike të cilat e ndërlikojnë këtë proces.

Votimi elektronik kundrejt atij klasik.

Zgjedhjet elektorale (ang. elections) janë formë demokratike e përcaktimit të një individi apo grupi për të udhëhequr një detyrë zyrtare. Duke i trajtuar zgjedhjet si të dobishme, kjo metodë e gjetjes së përfaqësuesit të masës, ka mbijetuar që nga shekulli XVII.

Procesi klasik i votimit fillon me propozimin e një anëtari/grupi dhe përfundon me emërimin e tij si zë i popullit. Megjithatë, mes këtyre dy hapave themelorë, ekzistojnë procedura që në situata të caktuara, këtë proces e bëjnë të mundimshëm për t’u ndjekur, pavarësisht rëndësisë së daljes në votim. Në mbarë botën, zvogëlimi i numrit të votuesve ka gjasë të shkaktohet nga moti jo i përshtatshëm, përtesa për të dalë, distanca dhe kushtet e dobëta infrastrukturore deri te qendra e votimit, mosha e shtyer; gjendja jo e mirë shëndetësore, frika nga falsifikimi i votës, mosinteresimi për çështjet politike dhe shumë arsye të tjera.

Shumica e këtyre shkaktarëve do të mund të asgjësoheshin nëse kalohet nga votimi klasik në atë elektronik. Dihet se shpeshherë, pjesë e analizës së vlerësimit të një dukurie, për shkak të thjeshtimit të punës dhe ruajtjes së kohës, përdoren sondazhet (ang. polls). Në anën tjetër, votimi online përdoret dhe në rastet kur paraqitet nevoja e pozicionimit të një anëtari/grupi në krye të listës (psh Toplistat muzikore, garat ndërkombëtare etj).

Por, pavarësisht zhvillimit të teknologjisë, duke e parë si formë jo të sigurt, pak vende në botë e kanë praktikuar, ose e praktikojnë procesin elektronik të votimit, qoftë në zgjedhjet kombëtare, ose lokale, sepse ky proces ka hasur në tri sfida kryesore teknologjike që e pamundësojnë ose vështirësojnë atë:

  1. Mungesa e sigurisë kibernetike.
  2. Rrezikimi i privatësisë së votës; anonimitetit. Fletëvotimet duhet të jenë anonime.
  3. Nevoja e mbikëqyrjes së rreptë të procesit në tërësi.

Njëri ndër pak vendet në botë që arriti t’i kalojë këto sfida është Estonia, ku në vitin 2005, u bë shteti i parë që ofroi votimin online në zgjedhjet lokale. Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2013, 20% e votave janë mbledhur në këtë formë.

Vota mostër në sistemin elektronik; si funksionon sistemi e-voting? Votuesit estonezë e përfunduan këtë obligim qytetar nga shtëpia e tyre. Ata ia dolën mbanë duke përdorur një kartë shtetërore e cila përmban një chip të sigurt të kriptimit. Votuesi e përdor këtë kartë të bashkangjitur me një pin të fshehtë për t’u kyçur në serverin e zgjedhjeve. Pasi të zgjedhin kandidatin e parapëlqyer, përdoruesit i nevojitet karta për ta kryer nënshkrimin dixhital.

Në këtë mënyrë, arrihet votimi. Votuesit mund të përdorin një aplikacion në telefonat e tyre të mençur, për të vërtetuar se vota është regjistruar me sukses. Përparësi e veçantë e këtij sistemi është se, me qëllim të zvogëlimit të gjasës se pjesëmarrësit janë detyruar të votojnë pa vullnetin e tyre, atyre u lejohet të votojnë sa herë që duan, por vetëm vota e fundit do të numërohet. Pas përfundimit të zgjedhjeve në Estoni, një ekip i ekspertëve të pavarur nga fusha e sigurisë kompjuterike, u bashkuan për ta ekzaminuar këtë sistem estonez të votimit. Problemi qëndron se kushdo me qasje në internet, veçanërisht, sulmuesit ndërshtetërorë, grupet kriminale, mund të fillojnë të sulmojnë, shpesh, pa u vërejtur.

  1. Alex Halderman, profesor i shkencës kompjuterike në Universitetin e Michigan-it, njëri nga anëtarët e këtij ekipi, tha se ai bashkë me ekipin, e rikrijuan këtë sistem në laboratorin e tyre inxhinierik. Ata e morën kodin e gatshëm burimor, software-in aktual të klientit dhe e bënë analizën e plotë të sigurisë për të verifikuar mundësitë e sulmeve. Simuluan sulmet e mundshme në dy pika kryesore: Kompjuterin e votuesit dhe serveret qendrorë. Ata vërejtën se kompjuteri i votuesit ishte lehtazi i prekshëm nga Malware (Software dashakeqës që për qëllim ka të dëmtojë ose gjëmtojë sistemin kompjuterik). Malware po punonte në sfond, kështu duke regjistruar pinin e fshehtë të votuesit. Gjithashtu, serverët nuk ishin fort të besueshëm. Sulmi ndaj serverit e përdori Software-in Trojan, në pajisje, që nënpunësit e zgjedhjeve e përdorin për t’i vënë në funksion serverët e tjerë. Kjo pajisje do të mund të infektohej nga një instalim i brendshëm i Malware-it Trojan ose nga sulmuesit, të cilët i shfrytëzojnë këto dobësi të sistemit.

Sidoqoftë, mënyra elektronike e votimit është në një masë të madhe e lavdërueshme. Kjo lidhet me përshtatshmërinë e saj në procedura dhe me përparësitë që ka kundrejt votimit ekzistues klasik. Ndër këto përparësi, theksohen:

  1. Zvogëlimi i shpenzimeve shtetërore; punësimi i mijëra njërëzve në kryerjen e detyrave gjatë procesit të zgjedhjeve; tabelimi i fletëvotimeve, letrat, printimi.
  2. Aftësia e përmirësimit të gabimeve; votuesit mund të kthehen mbrapa derisa nuk japin miratimin përfundimtar.
  3. Rritja e pjesëmarrjes së votuesve për shkak të procedurës së thjeshtë.
  4. Mosparaqitja e nevojës së konfigurimit të zgjedhjeve. I njejti sistem mund të përdoret sa herë që vendi shkon në zgjedhje, sigurisht vetëm me ndryshim të emrave të kandidatëve.
  5. Lajmërimet me anë të email-it, duke dërguar tek votuesit të cilët nuk kanë votuar, informata në lidhje me zgjedhjet.
  6. Renditja e rastësishme e emrave të kandidatëve, e cila pamundëson prioritizimin e tyre në listë.
  7. Dalja e menjëhershme e rezultateve, në momentin e mbylljes së sistemit. Në të ardhmen e afërt, sikurse kompjuterizimi i shumë proceseve elementare, do të bëhet dhe votimi. Vetëm nëse deri atëherë, ideja e votimit mund të mos jetë zhdukur akoma.

Shkruan: Edona Haziraj

Tetor, 2017.

 

Shpërndaje në: