Psikologët tregojnë shkaqet pse po divorcohen çiftet shqiptare

Psikologët tregojnë shkaqet pse po divorcohen çiftet shqiptare

Divorci është një fenomen social në Shqipëri gjithnjë e më shumë në rritje. Kur divorci ndodh në rastet kur çifti është i sapormatuar dhe nuk ka fëmijë është zgjidhja më e mirë e mundshme për psikologen Gejsi Ndoja.

E ftuar në emisionin e mëngjësit ‘Ditë e Re’ Ndoja është shprehur se në rastet kur çiftet kanë fëmijë gjërat agravohen. Sipas psikologes divorcet vijnë pasi gjërat nuk janë menduar mirë.

“Shoqëria jonë është një shoqëri që mundohet ti kapë gjërat me të shpejtë, pa i menduar mirë. Ne jemi një popull që kemi vuajtur shumë dhe mundohemi ti kapërcejmë gjërat jo me shkallë, jo ashtu siç duhet dhe jo duke i provuar por duke kapur gjithmonë majën. Ti mendohem do martohem, do bëhem me fëmijë dhe vjen një moment e thua nuk e paskam njohur mirë.”

Pra mosnjohja mirë e partnerëve është një shkak i divorceve. Psikologia shpjegon se faktorë të rëndësishëm janë kushtet sociale dhe ekonomike që po e dëmtojnë shumë shoqërinë shqiptare.

“Gjërat po ndryshojnë, kemi shumë njerëz të papunë, kemi njerëz që njerëz që nuk diagnostikohen qoftë edhe me depresion të lehtë.”

Por jo vetëm, prindërit gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm.

“Prindërit thonë rregullohu dhe rregullimi i jetës së një femre apo një mashkulli nuk është gjetja e një pune të mirë në mentalitetin e prindërve por është një martese e një fëmijë. Kjo është pjesa më e gabuar e gjithë shoqërisë sonë. Idenë që ‘do martohesh dhe rregullohesh’ vazhdojmë e mbartim dhe padashur në një farë mënyre do ta përcjellim tek fëmijët tanë. Ne jemi fryt i prindërve tanë dhe çdo gjë të tyren ne e kemi përthithur. Nëse kemi arritur që ta menaxhojmë apo përpunojmë është gjë e mirë. Por nëse e kemi marrë ashtu siç është dhe vazhdojmë të jemi në të njëtat pozita, pra të bëjmë të njëjtën gjë që kanë bërë prindërit tanë do e shikojmë që jemi dy partner të papunë, me një fëmijë të vogël, nuk kemi një shtëpi se të tilla janë kushtet. Dhe kjo do të sjellë debatet dhe shkon drejt divorcit.”

/Oranews.tv/

Shpërndaje në: