Rusia përmes antivirusit ‘Kaspersky’ ka siguruar planet sekrete të SHBA’së

Rusia përmes antivirusit ‘Kaspersky’ ka siguruar planet sekrete të SHBA’së

Ishte një rast i spiunëve që vëzhgonin spiunët: oficerët e inteligjencës izraelite zbuluan se hakerat e qeverisë ruse kishin kontrolluar kompjuterë në mbarë botën përmes antivirusit ‘Kaspersky’.

Ajo që i dha hakerave rus për më shumë se dy vjet, informacione të ndryshme ishte vegala e saj e improvizimit – më konkretisht softueri antivirus i prodhuar nga një kompani ruse, Kaspersky Lab, e cila përdoret nga 400 milionë njerëz në mbarë botën, duke përfshirë edhe dy duzina të agjencive qeveritare amerikane, raporton “The Neë York Times”, transmeton Periskopi.

Zyrtarët izraelitë që kishin hakuar në rrjetin e vet të Kaspersky’t njoftuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndërhyrjen e gjerë ruse, e cila nuk është raportuar më parë, duke çuar në një vendim vetëm muajin e kaluar për të urdhëruar që Kaspersky të hiqet nga kompjuterët qeveritarë.

Operacioni rus, i përshkruar nga njerëz të shumtë që janë informuar për këtë çështje, dihet se ka vjedhur dokumente të klasifikuara nga një punonjës i Agjencisë Kombëtare të Sigurimit i cili i kishte ruajtur informacione të shumta në mënyrë të parregullt në kompjuterin e tij të shtëpisë, ku ai kishte të instaluar antivirusin Kaspersky.

Ashtu si shumica e programeve të sigurisë, produktet e Kaspersky Lab kërkojnë qasje në çdo gjë që ruhet në një kompjuter për të pastruar atë për viruse ose rreziqe të tjera. Kjo procedurë, një rutinë për softuer të tillë, siguroi një mjet të përsosur për inteligjencën ruse për të shfrytëzuar dhe për të vëzhguar përmbajtjen e kompjuterëve për të marrë gjithçka që ata gjenin dhe që ishin në interesin e tyre.

Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe Shtëpia e Bardhë refuzuan të komentojnë këtë artikull. Ambasada izraelite refuzoi të komentojë dhe Ambasada Ruse nuk iu përgjigj kërkesave për komente.

Kaspersky Lab mohoi çdo njohuri apo përfshirje në hakimin rus. “Kaspersky Lab asnjëherë nuk ka ndihmuar, as do të ndihmojë, asnjë qeveri në botë me përpjekjet e saj në spiunazhin kibernetik”, tha kompania në një deklaratë të martën pasdite. Kaspersky Lab gjithashtu tha se “kërkon me respekt çdo informacion relevant dhe të verifikueshëm që do t’i mundësonte kompanisë që të fillojë një hetim sa më parë”.

Për vite me radhë, ka pasur spekulime se softueri antivirus i njohur i Kaspersky mund të sigurojë një derë të pasme për inteligjencën ruse. Më shumë se 60 për qind, ose 374 milionë dollarë, nga shitjet vjetore të kompanisë prej 633 milionë dollarësh vijnë nga konsumatorët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropën Perëndimore. Midis tyre, ka pasur pothuajse dy duzina agjenci qeveritare amerikane – duke përfshirë Departamentin e Shtetit, Departamentin e Mbrojtjes, Departamentin e Energjisë, Departamentin e Drejtësisë, Departamentin e Thesarit dhe Ushtrinë, Marinën dhe Forcën Ajrore.

Steven L. Hall, një ish-shef i operacioneve ruse në C.I.A., tha se agjencia e tij e dikurshme nuk ka përdorur kurrë softuerin Kaspersky, por agjencitë e tjera federale e kanë bërë këtë./Periskopi/

Shpërndaje në: