Komploti Rus në Ballkan, mësim për SHBA-në
“Një operacion rus për ndikim në Shtetet e Bashkuara është çfarë po e përcjellim për së afërmi”, ka cituar së fundi “Washington Post” të ketë deklaruar një zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane. Dhe siç shkruan në shkrim: Agjencitë amerikane të inteligjencës dhe të sundimit të ligjit po e hetojnë atë çfarë e konsiderojnë operacion të madh të maskuar rus në Shtetet e Bashkuara për të ngritur nivelin e humbjes së besimit publik në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe në institucionet politike, kanë deklaruar zyrtarë të inteligjencës dhe Kongresit.
Fushatat e informacionit nuk janë diçka e re që vijnë prej Rusisë, që ka kohë që i ka nisur në Ballkan së paku në tetë vitet e fundit, prej ndarjes së Kosovës nga Serbia dhe shpalljes së pavarësisë së saj. Ka një strategji për krijimin e perceptimit se Rusia është fuqi e madhe dhe aleate e fuqishme, me pak substancë prapa këtij pretendimi kur vjen puna te investimet dhe donacionet për shtetet në të cilat po përfshihet.
Dhe ja çfarë mund të mësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej qasjes me kosto të lartë, por me qëllime të mëdha të Rusisë.
Pse Ballkanin?
Ballkani Perëndimor nga ana simbolike është fort i rëndësishëm në politikën e jashtme të Putinit. Shumëkush në Rusi e sheh rënien e Jugosllavisë si shembull poshtërimi, ku Perëndimi nuk i bëri hesap pikëpamjet e Moskës – dhe bota postsovjetike për herë të parë pa shenjat e atyre që do të quheshin më vonë “revolucione me ngjyra”. Dhe ajo shenjë ishte “Otpori”, ose “Rezistenca”, një lëvizje masive e padhunshme që në fakt hoqi qafe pushtetin e Slobodan Milosheviqit dhe pastaj u shndërrua në organizatë joqeveritare që trajnonte aktvistët pro-demokracisë
Putini asnjëherë nuk ka arritur të çlirohet prej zemërimit dhe poshtërimit se Rusia humbi ndikimin në Kosovë derisa ajo po bëhej e mëvetësishme, nëse jo edhe shtet i njohur i pavarur. Ai ka përdorur kryengritjen dhe pavarësinë e këtij vendi për justifikimin e ushtrimit të pushtetit të Rusisë, duke luftuar në Abhazi dhe Osetinë Jugore më 2008, dhe në rastin e aneksimit të Krimesë më 2014.
Rusët ndjejnë se duhet të jenë fuqi e madhe, shtet që duhet të përfshihet dhe të jetë i pranishëm në Ballkan. Historikisht kjo ka ndodhur për dy arsye: së pari, për shkak të interesave të perandorisë ruse për kontrollimin e Bosforit; së dyti për shkak se shumë rusë besojnë fuqishëm se sllavët duhet të bashkohen përtej kufijve aktualë, një ndjenjë e quajtur “pansllavizëm”, me pretendimin se ka “marrëdhënie të veçanta” ndërmjet Rusisë dhe popujve sllavë në Ballkan.
Si e drejton Rusia fushatën e propagandës së saj në Ballkan?
Fushata e propagandës ruse është fort e fokusuar, me shënjestër komunitetet sllave-ortodokse serbishtësfolëse në Ballkan. Mjetet kryesore të politikës së informacionit të Rusisë janë rrjeti i televizionit dhe portali RT (dikur Russia Today). Këto dyja kanë kombinuar një staf të vogël prej rreth tridhjetë personash.
Mesazhi kryesor është si në vijim: ka marrëdhënie speciale ndërmjet Rusisë dhe komuniteteve ortodokse sllave në Ballkan
Ky narracion është krijuar në shumë mënyra. Së pari, drejtuesit dhe autorët e emisioneve dhe shkrimeve i referohen historisë dhe kulturës së përbashkët sllave, duke theksuar fort përfshirjen e ngahershme dhe (sipas linjës së fushatës) të ndershme të perandorisë ruse në këtë pjesë të botës.
Së dyti, portalet përdorin retorikë antiestablishment dhe antiperëndimore, duke iu referuar ngjarjeve dhe ideve të caktuara që rezonojnë në mesin e serbëve, si bombardimi i Serbisë nga ana e NATO-së më 1999.
Dhe më kryesorja, u referohen teorive të konspiracionit për kërcënimin që vjen prej Perëndimit, si sugjerimi se Madeleine Albright, që ishte sekretare amerikane e Shtetit kur NATO-ja bombardoi Jugosllavinë më 1999, paska pasur, sipas tyre, “urrejtje patologjike kundër serbëve”
Analistët dhe politikanët lokalë pro-rusë po fuqizojnë edhe më fort rrëfimin rus, duke ua kujtuar audiencave veton e Moskës për bllokimin e miratimit të rezolutës për gjenocidin serb në Srebrenicë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe ndihmën ruse për dështimin e panimit të Kosovës në UNESCO. Kundërshtimi i Qeverisë serbe ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në UNESCO kishte qëllimin kryesor të kontaminimit të njohjes zyrtare të ekzistencës së Kosovës; kundërshtimi zyrtar serb, megjithatë ishte një sukses prej palës serbe që pretendon se nuk mund t’i besohet Qeverisë së Kosovës se mund t’i mbrojë manastiret ortodokse serbe. Kundërshtimi i Beogradit, mbështetur prej Rusisë, bëri që Kosova në fund të dështonte.
Perëndimi portretizohet njëherësh si ndryshe në aspektin kulturor (ndryshe prej Moskës) dhe se nuk është i zoti të pranojë përjashtimin sllav.
Narracioni i zgjedhur rus është shumëfishuar prej një numri portalesh e mediash të ndryshme në Ballkan. Qendra për Studime Euroatlantike në Beograd identifikon 109 organizata që promovojnë aspekte të ndryshme të marrëdhënieve serbo-ruse, përfshirë fondacionet ruse dhe një numër deputetësh serbë pro-rusë.
Afërmendsh se theksimi i vëllazërisë ruse në vete nuk është dezinformim. Por çfarë Rusia po mundohet të bëjë është të krijojë përshtypjen se dy vendet kanë marrëdhënie si ato të vëllait të madh me të voglin. Moska po mundohet ta shesë imazhin e vendit që i dëgjon dhe i respekton si të barabarta qeveritë sllave në Beograd, Shkup dhe Banjallukë.
Krejt ndryshe prej kësaj, Perëndimi nuk ka ofruar narracion të qëndrueshëm që shteteve të Ballkanit t’i qëndrojnë pretendimit se janë pjesë e identitetit të BE-së. Si rezultat i kësaj, përkrahja publike për BE-në ka nisur të bjerë.
Cili është qëllimi rus?
Strategjia ruse e komunikimit po jep rezultatet e veta. Shumë më shumë qytetarë serbë po deklarojnë se do të preferonin të lidheshin në aleancë me Rusinë (67,2 për qind krahasuar me 18,8 për qind kundër) se sa ata që dëshirojnë t’i bashkohen BE-së (50,9 për qind krahasuar me 38,8 për qind kundër).
Është interesante se komunikimi strategjik rus nuk ofron alternativë koherente për BE-në. Mediat e strategjisë ruse e kritikojnë Brukselin dhe politikat e mëdha europiane, por nuk e portretizojnë Unionin Euroaziatik si alternativë për Beogradin.
Hesapet duket se janë më sfiduese kur vjen puna te perspektiva ushtarake. Rusia është e hapur për dekurajimin e shteteve të Ballkanit për anëtarësim në NATO, duke i inkurajuar që të kenë bashkëpunim më të ngushtë ushtarak me Moskën, duke u përfshirë në Traktatin e Sigurisë së Përbashkët (CSTO). Mali i Zi pritet t’i bashkohet NATO-së diku ndëmrjet dhjetorit të sivjetëm dhe prillit të vitit të ardhshëm. Përballë këtij afati kohor, Moska mund të shtyjë Serbinë të bashkëpunojnë ngushtësisht me forcat ruse, duke iu bashkuar aleancës CSTO.
Fushata kundër NATO-së mund të ketë ndikim të madh në misionet paqeruajtëse të BE-së (EUROFOR) dhe NATO-s (KFOR) në Ballkanin Perëndimor në planin afatshkurtër.
Ja çfarë mund të mësojë Perëndimi prej strategjisë së komunikimit në Ballkan?
Së pari, Ballkani mund të jetë test për fushatat e informacionit të Rusisë në vende të tjera. Investimet e kufizuara kanë krijuar rezultate të mira të ndryshimit të perceptimit të opinionit për partitë pro-ruse në kuvendin serb, ku kanë fituar më shumë se pesëmbëdhjetë për qind të votave. Megjithëse kanë fituar pak vota, kjo mund të jetë e mjaftueshme për të devijuar politikat qeveritare në favor të qasjes ruse.
Së dyti, fushata e propagandës është treguar e suksesshme në lojën me theksimin e dallimeve, por rallëherë ka ofruar alternativa koherente. Fushata promovon perceptime kundër Perëndimit, duke trimëruar polarizimin, por nuk ofron alternativë bindëse ndaj Bashkimit Europian.
Së treti, Bashkimi Europian ka punuar për t’iu kundërpërgjigjur propagandës ruse mbi të gjithë në vendet rusishtfolëse. Por ende nuk i ka kushtuar rëndësi ndikimit rus në Ballkan, pavarësisht prej thirrjes në konferencën e Shkollës Ekonomike të Londrës për rolin rus në Ballkan, mbajtur më 2015.
Para pushtimit të Ukrainës, Nikolay Bordyuzha, gjeneral rus, ishte pyetur për përpjekjet e propagandës ruse. Ishte cituar të ketë thënë se “në luftën e informacionit, pala që e tregon të vërtetën është ajo që humb”.
Rusia ka rritur gradualisht shpenzimet në shërbime të radios, televizionit dhe internetit jashtë vendit. Megjithëse mundësitë që Rusia të ndërhyjë ushtarakisht përtej Ukrainës dhe Sirisë duken të kufizuara, Kremlini padyshim do të vazhdojë strategjinë e tij të propagandës, sidomos në lidhje me zgjedhjet kyç në Perëndim.