Kosovar a shqiptar III

Kosovar a shqiptar III

Migrimi masiv fshat-qytet, sidomos i shqiptarëve të pasluftës, nuk i ka gjetur serbët në qytet siç ishin ndoshta në kontekstin e sociabilitetit jugosllav. Kësodore preokupim i shqiptarit s’ishte multietniciteti i deklamuar në reklamat e KFOR-it, por konsolidimi familjar e biznesor në jetën e re të qytetit, që natyrisht tashmë s’kishte serbë.

Për 17 vite të pasluftës akoma është e paimagjinueshme një “korzë” (e përditshme dhe në liri të plotë) e serbëve në sheshin e Prishtinës. Së paku jo pa provokime. Të mos flas për Gjakovën. Siç është poashtu e paimagjinueshme një korzë e shqiptarëve në veriun e Mitrovicës, pa qenë e definuar mirë arsya e shkeljes atje. Përpjekjen për ndonjë ngjizje në tentativë të një përkatësie kosovare, po e pamundëson edhe mungesa e një prirjeje të përqëndruar mes shqiptarëve dhe e serbëve për treg të përbashkët. Nuk ka diçka të shënueshme në këtë drejtim, pavarësisht sa beson dikush se ekonomia i bën njerëzit të harrojnë. Ka dominim të tregut kosovar nga mallrat serbe, mund të ketë “pijace” multietnike në Kamenicë e fshatra të Anamoravës, si dhe kontrabandë të madhe në veriun e vendit/përmes tij, por jo treg në kuptimin e një konkurrueshmerie të denjë në terma të tregut kapitalist.
Qasja e ndërkombëtarëve në anën tjetër që prej fillimit ka qenë e karakterizuar nga një papërvojë me rajonin e veçanërisht me realitetin kosovar (lexo shqiptaro-serb). Fokusi vërtetë se u përqëndrua më drejtëpërsëdrejti tek ne, meqë ishin vetë të huajt që kryen punë me Serbinë më 1999 dhe realisht Kosova nisi të ngritej nga zeroja falë ndihmës së tyre, po mu kjo përvojë me “të shpëtuarin nga mbytja në det”,  krijoi një lloj luksi të eksperimenteve më shumë se sa me të tjerët që prezumohej se dijnë pak më mirë not. Kështu ndodhte që vendi të sflitej në debate për multietnicitetin e minoritetet, në një kohë kur procesi i integrimit të Bullgarisë që jo më larg se në fundin e viteve 80 kishte dëbuar afro 1 milion turq, përkatësisht i Kroacisë që i rëndonin mbi supe 200 mijë serb të dëbuar, tashmë ishte cakëzuar.

Këto implikime zaten paten prodhuar marsin 2004, dhe më vonë shkurtin 2007. Të rrallë kanë qenë ndërkombëtarët që e kanë njohur/jetuar realitetin ballkanik para të 90-tës. Qasja e ndërkombëtarëve, ka variuar nga të kundruarit e vendit si rast që kërkon fokusin dhe veprimin specifik (lufta dhe vitet e para emergjente të pasluftës), kah derdhja e parave/ndihmat “në ndërtimin e kapaciteteve” përkatësisht kushtëzimin e vendit me “plotësim standardesh”e deri tek strategjitë më tërheqëse, dhe kah një shikim vendimtar i rajonit si tërësi unike: mbikëqyrja, këshillimi, “e ardhmja europiane e vendit/rajoni” Në rastin kosovar qasja europiane ka qenë përgjithësisht funksionaliste/instrumentaliste, pra që s’shtronte fort pyetjen pse të bëhet një gjë, por si të bëhet. Vendi shikohej si laborator provash.

Qasja amerikane, vendimtare në shpalljen e pavarësisë, ka qenë natyrisht më patronizuese: “do të bëhet kjo gjë”. Dhe natyrisht se kjo ka pasur dhe ka konskuencat e veta. Përpos që s’ka mjaftuar e as s’mjafton krijimi i një kaste operandësh anglofonë e gjysmëanglofonë, që prej përkthyesish, burokratësh, administratorësh e deri në politikanë në akcelerimin e një shpirti përbashkësie, për më tej kjo vetëm sa e ka atomizuar edhe më tej shoqërinë e komunitetet: burokratë, administratorë e politikanë larg qytetarit (përqëndrimi i gjithçkaje në Prishtinë këtu është temë në vete), por edhe një frymë divergjente mes shqiptarëve e serbëve mbi gjithë çfarë po ngjanë: shqiptarë turboamerikanë, versus serbë që Kosovën e shohin si “NATO dërrzhava”. Disa shkëndija shpresëdhënëse në vitet 2009-2011 me krijimin e Partisë Liberale Serbe, përfunduan me fiasko me dështimin e hapjes së selisë së partisë në veri të Mitrovicës. Personi që u zotua se do të siguronte kapacitetet logjistike për formimin e selisë u vra pranë banesës së tij. Nisja e negociatave me 2011, përkon në të njejtën kohë me luftën e Sirisë, e shoqëruar në ndërkohë nga ajo që u emërtua si “Pranverë Arabe” si dhe me ekspandimin rus në Krime.

Pozicioni amerikan në të gjitha këto zhvillime s’është i krahasueshëm me poziconeve e viteve 2001-2004 kur u rrumbullakësuan ndërhyrjet në Afganistan e Irak. Koincidimi që në këtë kohë negociatat serbo-kosovare të udhëhiqen nga ish politikanë të luftërave të 90’tave (Thaçi, Vuçiq, Daçiq) s’është rastësi, por përbën objekt interesant analize. Këta s’kishin komoditetin e trashëgimit të dinastive familjare, si Assad, por në fakt janë ish nacionalistët e pasuruar të pasmonizmit respektivisht pas 99-tës, që sapo kanë fituar pushtetin. Në Serbi si rezultat i reaskonit konzervator vendor, kurse në Kosovë si rezultat i çarjes së LDK-së,  vjedhjes e blerjes së votave,  përkatësisht shantazhit e kërcënimeve të partisë më të madhe.

Konstelacioni i krijuar ndërkombëtar pati pastaj pastaj reflektimet e veta edhe në Kosovë: negocimin e pafre e të pamend të negociatorëve pa kurrfarë përgaditjeje, e që nxorri një tip si Jabllanoviq/Listën Serbe, pothuajse në të njejtën kohë me lëshimin masiv të vendit nga dhjetëra mijëra shqiptarë. Edhe janari 2015, një ngjarje kulmore e pezmit qytetar përkon në këtë kohë.
Zaten pas çarjes së opozitës, gjithçka në vend ka vajtur dhe po vane vetëm si shpërfaqje ditore e apatisë së pllakosur. Dita ndjek ditën me të njejtat historira, diçka e ngjashme me apatinë e viteve 90.  Zakonisht nuk ndodhë asgjë, që do të mund të ishte indikacion i tentativës për dalje nga gremina, pos se dëgjohen përditë skandale të reja, me të cilat jemi familjarizuar.

400 mijë lëndë presin të pazgjidhura në Gjykata (në një vend me 2 milion banorë kjo përpjestimisht i bie që çdo familje kosovare mund të ketë lëndë në gjykata); sistemi arsimor mbetet nën nivel mediokriteti; ekonomia e vendit në fakt nënkupon vetëm tregti, kontrabandë e shpërlarje parash të tri-katër kompanive/korporatave të mëdha; për atë shëndetësor nuk e di se a mund të shkruhet…ai i planifikimit hapësinor, e së këndejmi edhe pronësor mbetet në duart të “komandantëve”… pjesa e rinisë që s’ka ikur ose i’a mban religjionit, ose ideologjive ksenofobe, që për ironi deklamohen si “oksidentale”.  E nëse do i qëndronim besnik përkufizimit të shtetit, sipas kuptimit tij të parë, pra si gjendje, ateherë gjendja është si më lartë! Një shtet që në fakt del të ketë qenë i menduar vetëm si agjens shpëtimi e çlirimi (shfrenimi thënë më drejtë), por jo si gadishmëri e përgjegjësi.  E krejt kjo natyrisht se ofron strehë për debate mbytëse rreth politikave identitare, përkatësisht nacionalizmit. Jo si politikë a frymë konsistente, por si reaksion. Jo si siguri nacionale, por si ngrehinë pezmi e zhgënjimi. Pra më shumë se sa një jetesë me të, njerëzit “kapen”, përfshihen nga nacionalizmi. Përfundojnë në të,  mbase pa e promovuar fare, pa besuar në të. Natyrisht nuk është se nacionalizmi është zhdukur në vendet përparimtare. Por teksa në Europë rritja e tij afektohet më së shumti nga implikimet e emigracionit, tek ne është sinonimi i pashpresës, megjithëse i shitur si shpresa e fundit.

 

Dhe së fundi, pozicioni i Shqipërisë. Pozicioni i Shqipërisë në këtë 17 vjeçar karshi Kosovës nuk është se ka bërë bumin e dynjasë. Tregu medial shqiptar është futur këndej goxha mirë (jo për kah cilësia që ofron, por për kah shtrirja), një autostradë (shumë e dyshimtë për kah punëkryerjet) është ndërtuar…anasjelltas: bregdeti shqiptar është vërshuar nga turistët kosovarë, si dhe jemi përuaruar ndërsjellazi për të arriturat në këtë një dekadë e gjysmë. Dominimin e tregut kosovar nga produket serbe as që e kanë sfiduar  produktet nga Shqipëria.

Natyrisht, megjithëse të ngecura vetëm në segment mediash, komunikimi rrugor, e turizmi, relacionet shqiptaro-kosovare, kanë ruajtur sensitivitetin e tyre, i mbjellur nga të përjetuarit e Shqipërisë si shtet amë dhe si vend origjine për dekada në Kosovë, si dhe nga ndikimi që ka ushtruar edukimi, i nënkuptuar veçanërisht si historiografi e letërsi, këndej kufirit. Për sa i përket ofrimit të një shembulli të suksesshëm se si e drejton vetes një shtet që ka 90 vite traditë shtetërore karshi një vendi që sapo është bërë shtet, Shqipëria ka dështuar t’ia ofrojë këtë shembull Kosovës. Shqipëria as nuk është një shtet ligjor, dhe në jo pak raste as i dinjitetshëm për jetë. Dhe larg ndonjë vlere të shtuar që do të mund t’ia ofronte Kosovës edhe ashtu të udhëhequr nga varfnjakë mendorë, as shitjen e nacionalizmit nuk e ka nga ndonjë përzemërsi.

Nuk është e rastësishme që nacionalizmit diskursiv shqiptar sot andej e këndej kufirit, i kërcen amplituda e reaksonit më së shumti  kur  flitet për islamin, të kaluarën osmane, a Turqinë se sa nga ndonjë prirje e përshpirtshme mundane.  Apo kur temë janë për Serbia e Greqia. Pse ndodh kjo? Për shkak se nacionalizmi shqiptar u ideua, dhe ruajti nga kjo ide, në kontektsin kohor të panballkanizmit antiosman. Prandaj edhe mund të gjesh shqiptarë në Mitrovicë që pajtohet e shqiptarin e Himarës në deklamimin, “jemi një”, por vetëm si jo-myslimanë, edhe pse të dy mund të dijnë për krimet e Zervas ndaj çamëve respektivisht Ali Pashës ndaj suliotëve. Diskursi i nacionalizmit shqiptar, pavarësisht aureoles komuniste që mori përgjatë dekadave të diktaturës,  në fakt është i sendërtuar kryesisht mbi figura politike e kulturore të krishtera.

Qëndron fakti se në fillet e propagimit të tij, nacionalizmi shqiptar nuk gjeti entuziastë të mëdhenjë ndër myslimanët shqiptarë. Madje gjeti edhe kundërshtarë të hapur që e luftuan. E megjithatë disa figura jo pak të rëndësishme, që formalisht a joformalisht vazhdonin të konsideroheshin myslimanë kontribuan në nacionalizmin përkatësisht sendërtimin e shtetit shqiptar, siç pati myslimanë praktikues e të devotshëm edhe në luftën e fundit. E megjithatë, diskursi orientalist dhe përjashtues i ligjërimit nacionalist shqiptar, sidomos  pas monizmit, luftës së Kosovës dhe 11 shtatorit 2001 është here tërthorazi e herë krejt hapur nacional-katolicist. Jo rastësisht Skënderbeu, Kadare, Nënë Tereza, Ibrahim Rugova e lufta e Kosovës/debati se kush e ndihmoi luftën,  janë ndër tematikat kryesore të këtij diskursi, që natyrisht është fuqizuar edhe më shumë edhe përqafimi i vehabizmit nga një pjesë jo e vogël e njerëzve. Kësodore figurat e menduara si diga të unitarizmit gjithëshqiptar, në fakt janë figurat më të diskutueshme, për të mos thënë më polarizuese shqiptare sot. Krejt kjo na kthen tek një pike: a mundet një popull, përkatësisht dy entitete (Kosova e Shqipëria), e madje një rajon (Ballkani), të mbyten në deklamime që s’i historikisht, si politikisht nuk i gjejmë organike këndej pari? A nuk është ligjërimi i Kymlickas luks për studentët që s’dijnë të shkruajnë? Kjo nuk ka të bëjë vetëm me dallimin topografik të Ballkanit me Europën, megjithëse toposi këtu është i inkorporuar në rravgimin e historisë politike dhe kulturore të rajonit, që duhet parë permes një hermeneutike e topologjie të kujdesshme. Gjeografia historike si disciplinë mund të jetë sot në krizë, por pak lexim të saj nga ditët kur ishte pjellore mund të na e ndryshojnë dioptrinë ndaj vetes si Kosovës, Shqipërisë dhe rajonit. Kosova me feudalë që kanë kapur shtetin, pa ekonomi,  e me përjetim të shtetit jo si gadishmëri e përgjegjësi, por si shpëtim e shfrenim, nuk mund të mbahet. Aq më pak përballë nacionalizmave potencialë që e rrethojnë, dhe që mbeten të ndrydhur e të topitur në një masë vetëm për faktin se  akoma pushteton një agjendë europiane për rajonin, e jo nga ndonjë emancipim nativ. (rasti i serbëve të Bosnes) Në hullinë e nacionalizmave rrethues, bashkimi me Shqipërinë do të mund të shtrohej si përballje me aktin e kryer. Mund të mos e duash një gjë, por të mos kesh fuqi t’ia mbyllësh derën, kur rrethanat kapërdijnë gjithçka para vetes. Natyrisht kjo do duhej të nënkuptonte tri kushte, kruciale për mendimin tim: 1. Marrëveshje me serbët pa luftë, 2. moshkrirjen e subjektivitetit të Kosovës thjesht në krahinë gjeografike të Shqipërisë, si dhe 3. ruajtjen e njëfarë statusi special të veriut të Mitrovicës, përballë ndonjë kufiri të mundshëm me entitet serb (çfarëdoqoftë ai), në Zveçan e lartë, sepse nuk mund të paramendohet një kufi shtetëror  mbi lumin Ibër, në një qytet edhe ashtu të paralizuar e që dimëron si bombë e kurdisur. Natyrisht bashkimi, s’do të sillte kurrfarë martese të lumtur brenda nate, kur kihet parasysh shkëputja kognitive me Shqipërinë, veçanërisht me jugun e saj, por më shumë një  potez ad hocu përballë rrezikut për davaritje edhe më të këqija..

Autori është politikolog

Shpërndaje në: