Për faltoren e UP-së
Nji ndërtesë gogol n’oborrin e universitetit ma në fund mund t’u hyjë në punë studentëve që u ka zanë rrugën tash e njizet vjet. Pushtuesit e nisën asokohe për pakicën sunduese. Por sod, kisha e pakryeme pranë bibliotekës mund t’u vyejë të gjithëve – si faltore e përbashkët për besimet e ndryshme.
«Përronit përjetë», thoshte nji mësuese e imja kur jepte nji mendim për të cilin e dinte se nuk gëzonte përkrahjen e kolegëve. Do ta ketë parafytyrue vetullën e ngritun të njerëzve përreth ashtu siç parandiej dhe unë tërbimin e qytetarëve ndërsa i ftoj ta mbarojmë nji punë që e pat nisë kundër nesh i huaji pushtues.
U baj thirrje që ta meremetojmë «kishën te biblioteka». Sepse, dorën në zemër, jo veç që s’kemi çka t’i bajmë tjetër, por ashtu ia shohim edhe hajrin.
Ndonse në trajtën e nji kishe ortodokse sërbe, godina ndodhet n’oborrin e Universitetit «Hasan Prishtina» për të përcjellë nji porosi politike. Mbasi pushtoi Dardaninë më 1990, Sërbia përqendroi mujshinë e saj shtypëse ndaj shkollës shqipe. Dhe ndërsa shkatrronte, regjimi çuditnisht vendoi të ndërtojë – nji katedrale mes Bibliotekës dhe Fakultetit të Drejtësisë.
Kjo vegël padrejtësie do t’ishte arma ma e randë kundër shqiptarëve, tashma të përzanë nga universiteti. Objekti i ri synonte të fundoste dy parime të fisme të kombit shqiptar: (1) arsimin shekullar dhe (2) bashkëjetesën ndërfetare. Tue u thirrë në nevojat shpirtnore të sërbëve, ndërtesa kishë po bahej në fakt fortesë për klasën e pëlqyeme të nji sistemi apartheidi e segregimi.
Nuk asht zor me kuptue pse kryeqytetasit dhe studentët nuk e duan at kishë. Veç historisë së hidhët, ka dhe pamjen e shëmtueme si objekt i papërfunduem. Aq ma tepër, ndërsa nuk shërben për tjetër pos me strehue kolloni macesh e lugatësh, zen nji copë trualli me vleftë miliona eurosh.
Por disa nuk kanë dashtë e shum tjerë nuk kanë mujtë me veprue. Shestimet për ta sheshue «karajapinë» nuk kanë dhanë fryt, ndërsa mbarështuesit ndërkombtarë të vendit e kanë ruejtë ndajhedhën njomake si «trashigimi kulturore». Kisha ka mbetë e paprekun si gogol smirënxitës, tue ngjallë te shqiptarët ate që s’e kishin – mosdurimin.
«Kisha te biblioteka» mund të mbetet ashtu siç asht. Por mund të bahet edhe ngrehinë me vlerë. Zgjedhja na takon neve, dhe ne duhet të gjejmë zgjidhje krijuese. Tue ripërcaktue objektin gjysmak për faltore shumfetare, qeveria jonë mund të vrasë dy zogj me nji gur, ndërsa fashit problemin e «kishës» por dhe u përgjigjet studentëve shpirtnorë.
Hapsinat bashkënore për falje e mejtim nuk janë risi. Nga aeroportet ndërkombtare me salla për rituale besimi, ndonji kishë evropiane ku myslimanët falin xhumanë, tek odat e godinat shumfetare n’universitetet amerikane – shembujt janë kudo. Faltoret e përbashkëta ia kanë dalë mbanë, tue u shërbye çdoherë e ma shum besimtarëve të feve të ndryshme.
Dhe përveç kësaj, qendrat ndërfetare nuk janë pjellë e nevojës a vorfnisë. As nuk janë sajesë e ndonji udhëheqjeje shekullare që synon t’i rahatojë të gjitha fetë me nji të livritun dore. Tempujt laramanë, qe besa, janë vepër e qëllimshme e vetë besimtarëve. N’Universitetin Amerikan të Washingtonit, studentët e traditave të ndryshme tubohen në të njejtën ndërtesë për gati gjysmëshekulli. E përurueme më 1965, Qendra e Jetës Shpirtnore pa dritën me vendimin e pronarëve të shkollës, që ishin vetë drejtuesit e Kishës Metodiste.
Yrnekun botnor mund ta ndjekë edhe Dardania, padyshim. Madje, nëse ka vend për shqetsim, ato që duken si probleme janë në fakt përparsi të nji faltoreje laramane.
Nji mik imi më porosiste që të «mos fut fesat», kur ia paraqita kët ide për herë të parë. Mirëpo reagimi i tij dashamirës ishte paragjykues; mbështetej në nji bindje se besimtarët tanë janë thelbsisht të dhunshëm e jotolerues dhe po t’i vesh nën nji kulm do të plasin zënkat mes tyne.
Se nji frymë e pahijshme fetare ka nisë të lëshojë rranjë dhe te ne asht e vërterë. Por çdo përpjekje me i përkrahë besimtarët dhe me nxitë bashkëpunimin mes tyne do t’ishte edhe paqtuese. Shoqnia jonë do të mund të zgjedhte imamë e shërbestarë t’aftë për t’u dhanë studentëve porosi të denjë fetare e qytetare. Kurse ithtarëve të rrymave të skajshme do t’u zbehej fuqia urrejtjenxitëse, ndërsa s’do të mund ta fajsonin shtetin se po i shkel besimtarët.
Nën nji kupolë të përbashkët, dialogu ndërfetar asht i pashmangshëm. Por tempulli gjithpërfshimës u shërben edhe jobesimtarëve, tue u dhanë mundësinë t’i njohin ma mirë dhe t’i çmojnë traditat fetare. Për UP-në madje, qendra e faljes e mejtimit do t’ishte ngrehina e vetme që kujdeset për gjendjen shpirtnore të studentëve.
Tempulli ndërfetar nuk asht ndërmarrje e thjeshtë; kërkon njerëz, pare dhe përgjegjsi. Meremetimi i ndërtesës mund të kushtojë poaq ja edhe ma shum se ç’ka kushtue ndërtimi i vrazhdë që kemi tani. Plani i kishës lyp përshtatje të zorshme për t’u shërbye qëllimeve tona. Lehtë mund të përfundojmë edhe me ndonji godinë shtesë. Veç projekti nuk asht i pabashëm.
Faltorja shumfetare do t’ishte fitore për ne. Do të ngadhënjenin dy parimet e kombit shqiptar që pushtuesit u munduan t’i shkelin. Shteti shekullar do t’ia mbronte secilit lirinë e besimit, tue ofrue edhe kushte për ta ushtrue fenë. Studentët e besimeve të ndryshme do të shfrytzonin së bashku hapsinën universitare me respekt e dashtuni për njani-tjetrin.
Kurse vetë ndërtesa do të bahej tregim për shoqninë tonë – at shoqni që dhe gjembin e ngjyem në vner arrin ta kthejë në lule të kandshme. Sepse uzinën e pushtuesit ne mund dhe duhet ta shndërrojmë në tempull të paqes për studentët. Mveshun me nji fasadë bizantine, faltorja do ta nderonte të kaluemen perandorake; tue mohue përçamjet e ndasitë, do t’i shërbente ardhmënisë së mbarë të Dardanisë.
|plisi.org