Studime interesante për shëndetin
Kundër stresit me vitaminat A, C, E
Kërpudhat, bajamet, spinaq, kikirik, vezë, kakao, qumësht, drithëra integrale dhe bishtajoret, këto mund konsiderohen “super-ushqime” që i dhurojnë energji trupi tonë. Falë përmbajtjes së vitaminave A, C dhe E, aminoacidit, triptofanit e dobishme për të sintetizuar serotoninën, i njohur edhe si “hormoni i humorit të mirë” janë aleatë të fuqishëm për shëndetin tonë dhe fuqizimin e trupit tonë me energji, e domosdoshme për kalimin nga njëra stinë në tjetrën. Pas muajve të ngrohtë të verës dhe pushimeve, rikthimi në punë jo gjithmonë fillon me energjinë e duhur, ndaj “karikimi i baterive” duhet të fillojë me konsumimin e këtyre ushqimeve. Këtë listë ushqimesh e këshillon biologia –dietologe Viviana Acclavio, sipas së cilës falë vlerave të larta ushqyese të këtyre produkteve sigurohet hidratimi i domosdoshëm. Sipas dietologes italiane, hidratimi i trupit duhet të vazhdojë edhe gjatë gjithë vitit, ku përveç konsumimit të frutave nuk duhet neglizhuar edhe konsumi i ujit. Përveç konsumimit të ujit dhe frutave të freskëta, dietologia këshillon që përgatitja e ushqimeve të bëhet me vaj ulliri ekstra të virgjër, pak kripë, mundësisht e jodizuar si dhe përzgjedhjen e erëzave të tilla si rozmarina, borziloku, rigoni, nenexhiku të gjitha këto të pasura me vitamina dhe komponime fenolike, që ndihmojnë edhe kundër plakjes së qelizave. Është gjithashtu e rëndësishme për të ngrënë dy deri në tre herë në javë peshk, burimi kryesor i omega 3, i cili gjithashtu përmban hekur, zink, bakër. Së fundi është thelbësore edhe ngrënia avash e ushqimit, veçanërisht procesi i përtypjes së ushqimit, i cili në rast se përtypet mirë bën të mundur që trupi të marrë më pak kalori dhe rrit ndjenjën e ngopjes.
Diabetikët, po vajit të ullirit, jo mishit
Diabetikëve u këshillohet të konsumojnë vajin e ullirit, fibra dhe peshk. Por u ndalohet rreptësisht konsumimi i vajit të palmës, mishit të kuq dhe margarinës. Praktikisht regjimi ushqimor që duhet të ndjekin diabetikët cilësohet si “dieta e fshatarit” ose e ashtuquajtura dietë mesdhetare, me produkte të fermës. Rekomandimi vjen nga Shoqata Italiane e Diabetologjisë, bazuar në rezultatet e studimit të publikuar gjatë Kongresit të Shoqatave Europiane. Studimi evidenton se konsumimi i këtyre produkteve ka efekt pozitiv në qarkullimin e gjakut dhe frenon problemet kardiovaskulare te diabetikët. Por cilat janë produktet ushqimore që duhen privilegjuar? Studiuesit shpjegojnë se vaji i ullirit duhet të jenë ndër të parët, pasi përveçse stimulon qarkullimin e mirë të gjakut, mbron edhe nga arteroskleroza. Së dyti, të përdorë më së shumti, sallatat, legumet dhe perimet. Mbi të gjitha nënvizohet konsumimi i peshkut. Sa i takon makaronave, edhe këto pjesë e dietës mesdhetare, diabetikët duhet të konsumojnë sasi të limituara, ndërsa sa i takon bukës e preferueshme është buka integrale. Kujdes duhet treguar edhe me konsumimin e frutave, veçanërisht atyre që kanë përmbajtje të lartë sheqeri. Përjashtohen në mënyrë kategorike konsumimi i mishit të kuq, margarinës, djathit të staxhionuar, patateve, ëmbëlsirave, picave dhe pijeve të sheqerosura.
Vitamina D redukton problemet me astmën
Marrja e suplementeve shtesë me vitaminë D, të të sëmurëve me azëm redukton në mënyrë të ndjeshme krizat e rënda dhe për pasojë edhe shtrimet në spital. Ky është rezultati i studimit të zhvilluar nga studiues të “Quwn Mary University” të Londrës, në Angli, prezantuar gjatë Kongresin Ndërkombëtar të “European Respiratory Society”. Mungesa e frymëmarrjes, kolla dhe dhembje të forta në kraharor, janë ndër problemet tipike të shkaktuara nga azma, sëmundje e cila nuk ka kurë por janë disa ilaçe që ndihmojnë të menaxhohen simptomat. Studiuesit, të udhëhequr nga Adrian Martineau, kanë bërë një rishikim të nëntë studimeve të mëparshme bazuar mbi këtë temë, pjesë e të cilëve janë bërë mijëra të rritur dhe fëmijë. Pjesa më e madhe e pacientëve të cilët kishin azmë të moderuar apo të rëndë kanë vijuar trajtimin standard. Por rezultoi se ishte reduktuar me 3% rreziku për kriza dhe shtrime spitalore të pacientëve që merrnin suplemente shtesë të vitaminës D. Gjithashtu ka rezultuar pozitive nevoja për trajtim me steroide, te pacientët në gjendje të rëndë. Me gjithë vlerësimet që ka marrë studimi, mbetet ende për t’u parë sasia e duhur për të dhënë efekt te çdo pacient.
Malaria, zbulohet “ilaçi” që mund ta bllokojë
Vetëm një dozë e një përbërje të re farmalogjike mund të kurojë malarien, sëmundje infektive, provuar klinikisht deri tani te mijtë. Studimi është bërë nga një grup studiuesish të Broad Institute of Mit dhe Harvard, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, publikuar në revistën shkencore “Nature”. Sëmundje prej së cilës sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë vetëm gjatë vitit 2015, janë shënuar 214 milionë raste të reja të malaries, prej të cilës 438 mijë kanë vdekur të infektuar, veçanërisht në Afrikë. Në databazën e mbi 100 mijë përbërësve kimikë, studiuesit të udhëhequr nga Stuart Schreiber, kanë evidentuar një përbërës mjaft shpresëdhënës; i cili ndërvepron në një enzimë e cila eliminon parazitët para së të shumëfishohen në mëlçi dhe në gjak. Injektimi i një doze të vetme ka penguar përhapjen e sëmundjes gjatë 30 ditëve të studimit. Paraziti shkon në mëlçi, pastaj në gjak, në këtë mënyrë ka një lloj faze qarkullimi në trup, pikërisht këtu konsiston edhe puna e përbërjes së re të zbuluar. E cila sikurse shpjegojnë studiuesit, godet të tria fazat, gjë shumë e rrallë për një terapi të vetme. Sipas studiuesve kjo mund të jetë pika e fillimit për zhvillimin e barnave të reja që synojnë zhvillimin e një kure për frenimin e malaries.
Binjakët e lindur në javën e 37, më pak të rrezikuar
Binjakët e lindur në javën e 37-të kanë mundësi më të mirë për të mbijetuar dhe më pak komplikime shëndetësore. Ky është rezultat i një studimi të publikuar në revistën British Medical Journal (BMJ), sipas së cilit tregon se zakoni për të lindur para kësaj kohe nuk sjell përfitime shëndetësore. Për të shmangur vdekjet apo lindjet e parakohshme të fëmijëve, rekomandimet aktuale në lidhje me kohën më të mirë për t’i dhënë fund shtatzënisë janë në kundërshtim me njëra-tjetrën dhe të ndryshojnë në mes të 34 deri në 39 të javëve. E thënë edhe më herët lindjet e parakohshme, shkaktojnë probleme të shëndetit, vështirësi në rrugët e frymëmarrjes dhe sëmundje infektive. Për studimet e reja kanë analizuar 32 studime të mëparshme të zhvilluara përgjatë 10 viteve të fundit, pjesëmarrës në të cilën kanë qenë 35171 gra shtatzënë me binjakë, në mënyrë që të analizonin kohën më të mirë për lindje. Në mënyrë që të reduktohet sa më shumë që të jetë e mundur vdekshmëria foshnjore studiuesit shpjegojnë se shtatzënat me binjakë duhet të kryejnë lindjen në javën e 37 të shtatzënisë. Ndërkohë që rreziku për vdekshmërinë foshnjore rritet pas javës së 38-të.