I biri injorant kundër të atit intelektual

I biri injorant kundër të atit intelektual

Shkruan: Shkodran Hoti

Andin Hoti është i biri i Ukshin Hotit. Pak e rëndë të thuhet që në fillim, por, Andini, i cili tashmë ka fituar një ulëse në Kuvend në kuadër të PDK’së, duket se tashmë është pozicionuar fuqishëm kundër asaj që ka përfaqësuar babai i tij, i cili lirisht mund të thuhet se është një nga figurat më të ndritura të mbarë historisë shqiptare.  Andini ka vendosur që të jetë krejtësisht e kundërta e babait atdhetar, intelektual e dëshmor. Ai ka vendosur ta luftojë atë që ka përfaqësuar babai, për çfarë ai dha jetën.

Andini nuk është i pari që e bën këtë. Janë shumë dëshmorë që u flijuan, dhe që përdhosja e idealeve të tyre u bë përveçse nga bashkëluftëtarët e tyre, edhe nga familjarët e tyre. Në emrin e tyre e duke u shkelur idealet e tyre, u përfitua dhe përfitohet. Edhe Andini po vepron njësoj. Andini nuk është ndryshe nga bashkëpartiaku i tij, Ramiz Lladrovci. Pozicioni i Andinit në raport me babain, është thuajse i njëjtë me pozicionin e Ramizit ndaj të vëllait, Fehmiut. Njëjtë sikurse edhe pizicioni i Ramë Vatajt me vëllain, Fadilin. Njëjtë me shumë e shumë bashkëpartiakë të tjerë në PDK, që tashmë vijojnë një rrugë krejt ndryshe nga bashkëluftëtarët e tyre të dikurshëm, familjarë apo jofamiljarë.

Andini i cili tash e një kohë u rreshtua me ata që u rreshtuan kundër dëshmorëve, tashmë është shndërruar edhe në vegël të atyre që pa turp i quan “çlirimtarë”. Së fundi, ai pranoi urdhërat e partisë që t’i ripërtypë sharjet me të rënda e akuzat më të pabaza në drejtim të VETËVENDOSJE!’s. Aq shumë është instrumentalizuar Andini, sa pranoi të luante rolin e avokatit të atyre që sajuan aktakuzën për terrorizëm ndaj aktivistëve të pafajshëm të VV’së, për të cilën ka dëshmi të mjaftueshme që është trillim i këtij pushteti kriminal. Sikur harron Andini, që nën okupimin e Serbisë, Ukshin Hotit, e shumë të burgosurve të tjerë iu përgatiteshin aktakuza të ngjashme, mbaheshin padrejtësisht burgjeve e maltretoheshin brutalisht.

Është kulmi i injorancës nëse Andini nuk e di që VETËVENDOSJE! është ajo që mishëroi në mënyrë të përsosur idetë që i trumbetonte Ukshin Hoti, kurse PDK i braktisi ato, dhe nuk u angazhua asnjëherë për zbardhjen e fatit të tij, sikurse edhe të shumë të pagjeturve të tjerë. Por, nëse e di këtë, dhe po flet e vepron siç po bën tash e sa kohë, Andini s’do të mund të quhej ndryshe, pos i pafytyrë e mercenar. Mbase tingëllon e ashpër kjo që them, por më poshtë do të mundohem ta argumentojë këtë.

Meqë Andini vendosi t’i hyjë politikës, dhe atë e bëri në mënyrën me të keqe, duke i hyrë nën sqetull Kadri Veselit, e njëkohësht publikon citate të babait që janë në kundërshtim të plotë me rrugëtimin politik që ka vendosur ta ndjekë, duhet t’i qartësojmë disa gjëra. Dhe qartazi, përfundimet do të jenë këto: Andini ose nuk ka lexuar asnjë faqe nga librat e babait dhe bën sikur e ka lexuar, pra është i pafytyrë; ose i ka lexuar dhe nuk i kupton, është injorant; ose i ka lexuar, i kupton dhe ka vendosur të veprojë në kundërshtim me atë për çfarë u angazhua e u flijua babai, pra është mercenar.

Le ta fillojmë me atë se si e shihte politikën Ukshin Hoti dhe  si e sheh VV’ja, e më pas të shohim se si e sheh Andini dhe PDK’ja.

Një popull, ose e dëshiron realizimin e një qëllimi politik, dhe për të është i gatshëm të sakrifikojë, ose nuk e dëshiron. Qëllimi politik i popullit shqiptar nuk mund të jetë tjetër pos bashkimit të tij një shtet të vetëm shqiptar.”, shkruan Ukshin Hoti.

Fort bukur. Qartë shumë. Pra, Ukshin Hoti nuk e sheh politikën si kalkulim, por si sakrificë. Nuk e sheh si angazhim për ta rehatuar veten, por si vullnet për t’i ndryshuar rrethanat shoqërore. Thërret në mënyrë të prerë që të angazhohemi për bashkimin e kombit, duke ftuar njekohësisht që nese e duam dhe e kemi qëllim këtë, të mos bëjmë kurrfarë përllogaritje.

PDK braktisi idenë e bashkimit kombëtar, nënshkroi kompromise të dëmshme me Serbinë në vazhdimësi për ta ruajtur pushtetin, u pasuran në mënyrë marramendëse nga politika, u korruptuan dhe u kriminalizuan dhe e sollën vendin në gjendje të mjerueshme. Në anën tjetër, VV vazhdon t’i qëndrojë besnike idesë së bashkimit kombëtar, kundërshtoi që nga fillimi negociatat pa kushte me Serbinë, luftoi krimin e korrupsionin në rrugë e parlament dhe dëshmoi se mund të qeveriset pa u korruptuar e pa u kriminalizuar në Prishtinë.  Dhe në fund, Andini nuk i do ato që donte i ati i tij, dhe si përfundim shkoi tek PDK’ja.

Le të flasim edhe për lirinë, meqë Andini në një replikë ndaj deputetit Frashër Krasniqi –  në rrjetet sociale –  citoi një thënie të babait, Ukshin Hoti, ku ai thotë: “Liria nuk është për qyqarët dhe as për frikacakët”.

Këtij artikulimi aq kuptimplotë të Ukshinit, Andini ia shton disa fjali boshe të vetat, me ç’rast thotë: “Ideali im është Liria dhe çlirimtarët si pararojë e saj janë idoli im i përjetshëm! Asnjëherë s’do të jenë ata që i akuzojnë çlirimtarët dhe abuzojnë me Lirinë! E kur flet, po e përsëris, kur flet për krimin një njeri me aktakuzë për terrorizëm, më shumë s’ka çka flitet e thuhet.Zot, ruaje vendin tim nga të ligët dhe qyqarët!”.

Pra, kemi një dallim të madh mes asaj se si e sheh “lirinë” Ukshin Hoti dhe si e sheh Andini. Ukshin Hoti është shumë i qartë kur thotë se liria nuk është për qyqarët e frikacakët sepse nuk e redukton lirinë vetëm të mundësia për të jetuar. Nuk mund të jetë i lirë ai që mjaftohet me ekzistencën e tij dhe frikësohet të kërkojë jetë të dinjitetshme. Ukshini kërkon liri të kombit përmes të cilës kombi zhvillohet.

Kurse, Andini që përmend “akuzat për çlirimtarët” dhe “abuzimin me lirinë”, tregohet shumë i cekët e patetik. Fillimisht, janë “çlirimtarët e Andinit” këta që abuzuan me lirinë. Janë këta që popullin që arriti të çlirohet nga represioni serb e burgosën në grilat e mjerimit e krimit, e ia përdhosen dinjitetin. Nuk ka liri pa jetë të dinjitetshme. E më pas, janë vetë “çlirimtarët e Andinit” ata që ia ngritën akuzat vetes, e jo dikush tjetër. Vetë këta e instaluan Gjykatën Speciale e cila do ta njollosë rezistencën çlirimtare të UÇK’së, dhe derisa VV e kundërshtoi me gjitha forcat, ishte pikërisht PDK që e risolli të votohet në Kuvend dhe përmes shantazhit ndaj deputetëve të saj, ia doli t’i sigurojë votat. Andini mund të vazhdojë ta idolizojë Kadri Veselin, por duhet ta kuptojë se “çlirimtar” nuk mund të quhet ai që lufton 1 vit dhe që e vjedh shtetin e tij 17 vite.

E meqë PDK, të cilës i është bashkuar Andini, gjithë krimin dhe të zezat gjatë këtyre 17 viteve i ka bërë duke e trajtuar popullin si kope delesh e duke u thirrur në “bashkësinë ndërkombëtare” apo “miqtë ndërkombëtarë”, po e shtjellojmë edhe këtë çështje, për të vënë në pah dallimet mes Ukshinit dhe Andinit, rrjedhmisht VV’së dhe PDK’së. Pasi që, në vazhdimësi, PDK që është përgjegjësja kryesore për gjendjen e Kosovës sot, duke tentuar të gjejë strehë tek “ndërkombëtarët”, kritikat e VV’së kundër veprave të saj ka tentuar t’i interpretojë dhe t’i mbjellë tek publiku si luftë e VV’së kundër bashkësisë ndërkombëtare.

“Ajo në zgjidhjen e këtyre çështjeve rendom i ndjek interesat vetjake, ndërsa interesat e palëve të interesuara i merr parasysh vetëm në masën në të cilën ato palë janë të zonjat vetë që t’i mbrojnë e t’i sigurojnë.”, shkruan Ukshin Hoti.

Pra, është pikërisht e njëjta mënyrë se si e sheh VV rolin e bashkësisë ndërkombëtare, dhe krejt e kundërt me atë se si e sheh partia e Andinit, PDK. VV kërkon parimin universal të vetëvendosjes dhe respektimin e tij si garantues i vetëm i paqes, si dhe kërkon shtetësi të plotë dhe që Kosova të jetë palë që i artikulon interesat e saj si shtet. PDK në anën tjetër, vazhdimisht e minimizoi shtetësinë e Kosovës me kompromiset e ndryshme në dëm të saj e në favor të Serbisë, dhe asnjëherë nuk diti të artikuloi interesat e tona si shtet, e në vend të kësaj veproi me servilizëm e pa dinjitet.

“Në natyrën e shqiptarëve ka qenë gjithmonë nderimi i miqve, por para së gjithash nderimi i vetvetes.”, shkruan në një moment tjetër intelektuali i madh shqiptar, Ukshin Hoti.

 Dhe pikërisht këtë e thotë edhe VV. Nuk mund t’i nderojmë amerikanët e gjermanët pa e nderuar veten. Në anën tjetër, PDK nuk e respekton as veten e as miqtë ndërkombëtarë. Servilizmi i saj tregon përuljen që kjo parti tashmë me shpirtin e zënë rob ia ka bërë vetes. Kurse deklarimi i Hashim Thaçit që dokumentohet nga përgjimet “Pronto”, teksa në një rast përmenden ndërkombëtarët e ai thotë “luj koqe me ta”, është treguesi më i mirë për “respektin” dhe “nderimin” e PDK’së ndaj ndërkomëtarëve.

 E, Andini është në PDK  dhe vazhdon të thirret në emrin e Ukshin Hotit. Kurse ka aq shumë kontradikta mes tij e aktivitetit të tij politik dhe ideve e idealit që kishte Ukshin Hotit, aq sa të përmendeshin të gjiths,  ky tekst do të stërzgjatej. 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: