Shenjtnimi i dobësisë ‘kombëtare’
Dje në Vatikan u shenjtnu Nana Terezë. Paraprakisht, pardje, u mbajt nji koncert në Kishën e Shën Palit, ku performoi ndër tjerë, edhe kangtarja ma e njoftun me origjinë shqiptare, Rita Ora – që jua zbardhi ftyrën shqiptarëve 90 përqind myslimanë, me pozat nudo. Të pranishëm ishin edhe përplot shqiptarë e kosovarë tjerë, ndër të cilët, edhe politikanët tanë që akuzohen për korrupsion, krim të organizuem e trafikim organesh. Ideja ishte që: Shën Tereza e Kalkutës (emni zyrtar prej dje) ka rrajë shqiptare dhe humanizmi e bamirësia e saj, e tregonte shpirtin e madh të ‘kombit’ tonë.
I.Pa formë
Muzika asht tepër me randësi për edukimin e shpirtit dhe trupit. Kjo asht vërejt prej mendimtarëve si puna e Niçes, Platonit, Kunderës, doktrinës së Krishtit, komunizmit, e shumë të tjerëve. Dhe në koncert, u performue muzikë përgjithësisht e përshtatshme. Por kjo muzikë, iu shkonte nerva politikanëve tanë – që nga mosdurimi luenin me smartfonët e tyne. Nuk kanë faj, sepse muzika në fjalë, nuk asht pjesë e jetës së përditshme të nji kosovari tipik, të konstruktuem si qenie amorfe – me vlera të rastit, me dije të rastit, me ndjesi të rastit.
Që prej shumë dekadash, veshët e shoqnisë kosovare, kanë qenë tu ngu muzikë folklorike me çifteli. Pastaj kjo u dredhue në shëmtimin e muzikës argëtuese në tallava… sepse fundja, argëtimi gjithmonë priret drejt radikalizimit të vetes. U përhap popi, hip-hopi, repi – dhe zhurmnaja tjera të padurueshme fjalësh e tingujsh – e përbashkëta e të cilave asht rehatimi i injorancës, çthurrja, çformimi, dalldisja.
Thaçi, për shembull, asht kaq i paformuem, edhe për shkak të edukimit të tij muzikor. Ndjesitë që i marrim nga muzika, na e definojnë në nji masë të madhe karakterin, formimin, edukatën, sjelljet, mendimet.
Koncerti në kishë ishte i mirë por jo për veshët e nji kosovari të prodhuem nga zhurma, të cilat i quen muzikë. Muzika që u luejt nuk përkon me shijet e dy shoqnive, shqiptare e kosovare, që po dështojnë me formue kombe për shkak të karaktereve të paformueme që s’i rezistojnë korrupsionit dhe që nuk prodhojnë vlera e ideale.
Muzikantët që performuen janë me origjinë shqiptare – por ata e përfaqësojnë edukatën muzikore të vetëm dy-tre përqindshit të shoqnive tona. Krenohemi sinqerisht me ta, veç kur të turpnohemi sinqerisht për shijet e shoqnive tona.
II.Pa bindje
Rita në Kishën e Shën Palit nuk i performoi kangët e saj. Nuk performoi as në zhanrin e saj. Fatmirësisht. Dhe nuk ishte e zhveshur si herëve tjera. Fatkeqësisht.
Prania e Rita Orës, në nji ceremoni ku shenjtnohet nji fundamentaliste e misionare e Krishtit, tregon se në çfarë derexhe ka ra Vatikani dhe feja e krishterë në përgjithësi. Nji vajzë që pozon nudo, këndon në Kishë për nji grue të mbulueme që e përçmonte trupin dhe e himnizonte shpirtin!
Vatikani e ka shpallë humbjen e debatit që në fillimshekullin e kaluem. I ka ndalu provat ontologjike dhe kozmologjike për ekzistencën e Zotit. Dhe në përpjekjen e tij për modernizim, e ka mohu skajshëm vetveten: Papa i sodit ka pohu që e kish pagëzu edhe nji alien, nëse i vjen rasti.
Ndërkohë shqiptarët, meqë janë të paformuem, të painformuem e në mbidozë tallavaje, e çmojnë si veshjen e Shën Terezës si zhveshjen e Rita Orës. Si humanizmin religjioz të misionares, si humanizmin antireligjioz që e përçon Rita.
Për shqiptarët, Rita asht poaq shenjtore, sa Shën Tereza. Meqë janë të paformë, nuk e kanë problem t’i pranojnë nji laramani vlerash – pavarësisht që ato janë skajshëm të papajtueshme. Për Nanë Terezën, kish me qenë e papranueshme nji jetë si ajo e Ritës. Dhe për Ritën, kish me qenë e papranueshme nji jetë si ajo e Nanës Terezë.
Mirëpo tu qenë të paformë, pa bindje të njimendta për diçka, ata janë në gjendje të pranojnë gjithçka – mjafton që të ketë ‘origjinë’ shqiptare dhe famë ndërkombëtare.
III. Pa sy
Humanizmi i fesë së Krishtit dhe Nanës Terezë asht fund e kry antihumanizëm. Pse? Sepse asht jetëmohues, himnizues i vuejtjes e dhimbjes, himnizues i skamjes e sëmundjes, përçmues i trupit, kënaqësive dhe forcës. Në veprimet e Nanës Terezë ndryhet nji moral dekadent.
Ai bazohet në nji përrallë mbi jetën e amshueshme, mbi nji krijues ‘gjithashtu e gjithkështu’. Ky humanizëm i mbyllë sytë para krijesës së mishnueme që i del përpara dhe e përfytyron nji thelb të mirë te ai. Nanë Tereza e kishte vizitu vorrin e diktatorit Enver Hoxha, i cili i kishte terrorizu shqiptarët për gjysë shekulli por që thellë thellë ishte ‘i mirë’. Ajo e përfytyronte pikërisht atë thelb të mirë te ai, tu i mbyllë sytë para veprimeve e tij konkrete.
Ky rrëfim e ndërton nji rrethanë spitalore me nji normativë tepër të ngushtë shtypjesh e ndrydhjesh. Normativë plotësisht e delegjitimueme sot, nga nji grumbull tipesh të dijeve të ndryshme si psikologjia, filozofia, fiziologjia, psikanaliza e t j.
T’i mbyllësh sytë para konkretes – ky asht veprimi që e karakterizon shoqninë kosovare. Ajo heziton me pa vetveten ashtu siç asht, e prandaj hidhet në histori, ose amorfçe krenohet me gjithçka shqiptare – pavarësisht vlerave që përfaqëson.
Shën Tereza, ka me i shërby historiografisë tonë qorre, edhe ma shumë se Skënderbeu. Tu qenë të dobët, viktima e jo pushtues, vendali e jo ‘ardhacakë’ – kjo historiografi mbështetet pikërisht në humanizmin religjioz. Historiografia jonë – për justifikimin e dobësive tona historike – ka me u shërby me figurën e Terezës për me ndërtue “thelbin” tonë kombëtar.