Galaxy Note 7 nuk pritet mirë në treg

Galaxy Note 7 nuk pritet mirë në treg

Koreanojugorët duket se kanë patur qëndrime të përziera mbi modelin e ri Galaxy Note 7, të cilin kompania u detyrua ta tërheqë nga tregu për shkak të problemeve me baterinë.

Gjigandi teknologjik Samsung Electronics tha të premten se do të zëvendësonte të gjithë telefonat e këtij modeli të cilët kanë bateri me difeke, si dhe do të ndalonte për një kohë të papërcaktuar shitjet në tregjet e prekura, duke sjellë një goditje të rëndë në parashikimet e fitimeve të kompanisë.

Disa koreanojugorë janë ende të shqetësuar për reputacionin e vendit të tyre dhe kanë ndërruar mendim për blerjen e smartphone-t të ri.

“Për shkak të incidentit, produktet e vendit do të fitojnë reputacion të keq. Mendova të blija një Galaxy Note 7 kur u hodh në treg, por duke parë çfarë ka ndodhur, nuk besoj më se do e ble,” është shprehur një 26-vjeçar.

Të tjerë e kanë mirëpritur vendimin e shpejtë të Samsung dhe thonë se ky incident nuk do të ketë shumë ndikim.

“Problemi me baterinë mund t’i shtyjë njerëzit të dyshojnë zotësitë teknike të Samsung-ut, por nëse kompania i zgjidh problemet teknike, imazhi kombëtar i Koresë nuk do të cënohet dhe ndikimi do të jetë vetëm afat-shkurtër,” është shprehur një klient besnik i Samsung.

Deklarata e kompanisë erdhi vetëm dy javë pas hedhjes në treg të pajisjes së re, e cila kushton 885 dollarë.

Samsung po planifikon të zëvendësojë jo vetëm celularët me bateritë me difekt, që janë shitur tashmë, por edhe produkte në inventar ose në tranzit për të shkuar tek shitësit me pakicë.

Vetëm aparatet celulare ishin përgjegjës për 54% të fitimeve të Samsung Electronic nga janari në qershor, të përllogaritura rreth shumës 12 miliardë dollarë.

Shpërndaje në: