Nga vallja e shotës tek vallet indiane – transformimi i dasmave shqiptare (Video)
Dasmat janë një ndër industritë më fitimprurëse gjatë sezonit të verës në Kosovë. Që nga restorantet e deri tek këngëtarët janë të angazhuara gjatë këtij sezoni.
Por edhe kanë ndryshuar shumë dasmat shqiptare. Të njohura për laramanin e performancave të ndryshme në to, nga këngët popullore, muzikë të zhanrit tallava, DJ të ndryshëm të hip hopit e deri tek bende popi, e përbëjnë një dasmë moderne.
Së fundmi në dasmat moderne kosovare janë parë të angazhohen edhe Ansamble të valleve dhe këngëve tradicionale si formë e atraksionit për dasmorët.
Por serialet “hinduse” të bëra të famshme së fundmi, nëpër televizione të ndryshme kosovare dhe të Shqipërisë duket se kane ndikuar edhe në dasmat shqiptare.
Përpos të gjitha këtyre atraksioneve që vetëm se ekzistojnë në traditën e dasmave kosovare, tani ka arritur edhe një dukuri e re. Dasmat shqiptare tash e tutje janë edhe me vallëzim dhe muzikë hinduse apo indiane.
Kësisoj në shumë dasma në Kosovë dhe Shqipëri, një grup vallëtarësh shqiptar që bëjnë vallëzim tradicional hindus, çdo ditë e më shumë janë të pranishme.
Vallëzimi indian në këto dasma ndodh kështu: valltarët pozicionohen në mes të sallës së dasmës në fillim apo në fund të festës. Dasmorët bëjnë vendin për valltarët dhe muzika ritmike e indiane fillon.
Vallëzimi dhe veshja nga balerinët është i tipit “bellydancing”. Lëvizjet e këtij lloji të vallëzimit janë kryesisht tek dridhjet e belit dhe njihet si një ndër stilet indiane më të vjetra të vallëzimit.
Siç duket performancat tradicionale me tupan dhe veshje kombëtare nuk janë më interesante për shqiptarët.
Kompania “Indian spirit Albania” është kompani e krijuar apostafat për trendin e ri të dasmave shqiptare.
Indian spirit Albania janë të vetmit grup të cilët përgatisin vallëzime indiane në Shqipëri dhe Kosovë.
Është vështirë të kuptohet prejardhjae kësaj ideje e vallëzimit indiane në dasmat shqiptare.
Kjo dukuri të jep përshtypjen se fryma indiane ka pushtuar zemrat e shqiptarëve pas shfaqjeve të serialve në kanalet lokale, si seriali indian, Uttaran, që shfaqet nga e hëna deri të premten, në kanalin KTV.
Po ashtu filmat e dashurisë të Bollywood mund të kenë influencuar njerëzit që po paguajnë për këtë.
Vallëzimi indian vjen në shumë forma nga kompania, disa dasma zgjedhin që performanca e indiane të bëhet fare në fillim të dasmës, disa preferojnë në mes të gazmendit e kështu sipas dëshirave të klientëve.
Kjo kompani ka pasur raste edhe që është angazhuar nga mysafirët e dasmës si dhuratë për çiftin e sapomartuar.
Indian Spirti Albania të kontaktuar nga Insajderi ka marrë informatat bazë për organizimin e grupit indian të dasmave.
Grupi i valltarëve përbëhet shumicën e rasteve nga katër persona, mund të jenë grup prej katër vajza, apo kombinimi tre vajza dhe një djalë dhe përshtatje të tjera varësisht nga preferencat.
Çmimi real i grupit është 700 euro, mirëpo kompania ka bërë zbritje në 500 euro, për katër valltarë.
Në këtë çmim hyjnë të gjitha shpenzimet e grupit, transporti dhe fjetjet në vendet përkatëse të dasmave.
“Është një program artistik që zgjatë rreth gjysmë ore, ku performojnë balerinat, gjithashtu kemi edhe performancë të çiftit së bashku me gjithë dasmorët dhe balerinët,” tha zyrtjarja nga Indian Spirit Albania./Insajderi.com