Sonte nis festivali ‘HAPU’
“Gjatë këtyre ditëve të Festivalit do të rizbuloni edhe mundësitë tjera të vallëzimit bashkërisht me ne, të zbulimit të rrëfimeve të artistëve të vendit e nga Evropa duke mësuar për sfidat dhe eksitimet e krijimit artistik në hapësirë publike në nivelin evropian”, thuhet në njoftimin e Festivalit “HAPU”, përcjellë KultPlus.
HAPU, festival i Artit në Hapësirë Publike, sipas organizatorëve do të fillojë nëpërmjet një ideje të re, duke rizbuluar dhe ripërjetuar Prishtinën përmes makinës tuaj në eksperiencën artistike “X-terr”, që sipas organizatorëve, është propozimi i fundit i Teatrit ODA në platformën evropiane IN SITU nga artistët e Kosovës dhe që po zhvillohet hap pas hapi për të shpërndarë këtë rrugëtim artistik edhe në qytete e vende tjera evropiane në të ardhmen.
“Me Mischief La-Bas nga Skotlanda kemi transformuar ngushticat dhe sokaqet e fshehura pas kafiterive dhe ndërtesave në qendër të qytetit për të ofruar një eksperiencë artistike të cinizmit prapa “ninullave” dhe “edukimit” të fëmijëve tanë përmes ideve të autoritarizmit, moralizimit dhe indoktrinimit social.” – thuhet në njoftimin e organizatorëve për këtë festival, që do të nisë sonte dhe do të zgjasë deri më 23 të po këtij muaji.
“Në një video nga “17” të projektuar në fasada të vendeve të ndryshme të qytetit do të zbuloni katër rrëfimet e pritjeve, kufizimeve dhe realitetit ku këto katër personazhe përfunduan. Nuk do të duhej të humbni shfaqjen përmbyllëse të katër burrave të veshur në të bardha nga G. Bistaki nga Franca, të cilët me gjithë fantazinë e tyre të kombinimit të zhonglerimit, teatrit e dansit na shpijnë në një rrugëtim magjepsës koreografik e muzikor.
Gjatë këtyre ditëve të Festivalit do të rizbuloni edhe mundësitë tjera të vallëzimit, të zbulimit të rrëfimeve të artistëve të vendit e nga Evropa duke mësuar për sfidat dhe eksitimet e krijimit artistik në hapësirë publike në nivelin evropian.
“Ashtu siç e kemi shijuar shumë punën që kemi bërë gjatë gjithë vitit e edhe më herët, shpresoj që edhe ju të shijoni këto rrugëtime artistike gjatë këtyre ditëve frymëzuese e rizbuluese në hapësirën tonë të përbashkët, të cilës po i krijojmë gjurmë të veçanta artistike vit pas viti në kujtesën tonë kolektive”, thuhet në njoftim të Florent Mehmetit, drejtor artistik i “HAPU”. / KultPlus.com